Berisha: Nuk do të pranojmë kurrë që Edi Rama dhe gjyqtarët apo prokurorët e tij politikë të shkelin Kushtetutën

Kryetari i PD, Sali Berisha tha në një konferencë për shtyp se, nuk do të pranojmë kurrë që Edi Rama dhe gjyqtarët apo prokurorët e tij politikë të shkelin Kushtetutën. Berisha tha se, garantoj çdo qytetar, se me qendrimin tim po mbroj shtetin ligjor dhe Kushtetutën e Shqipërisë, përndryshe do të shkoj në gjykatë pa asnjë problem.

“Me këtë deklaratë dua të sqaroj të gjithë shqiptarët dhe të gjithë të interesuarit përtej kufijve të vendit tonë, qendrimit tim ndaj kërkesës së gjykatës dhe refuzimit tim për të shkelur Kushtetutën, duke lejuar vendosjen e një procedure anti-kushtetuese.

Garantoj çdo qytetar, se me qendrimin tim po mbroj shtetin ligjor dhe Kushtetutën e Shqipërisë, përndryshe do të shkoj në gjykatë pa asnjë problem, madje dhe me një platformë sqaruese dhe të detajuar për të zbardhur të vërtetat dhe të errësuara qëllimisht, pavarësisht nëse jemi para gjykatës, prokurorisë, parlamentit apo në sheshe publike.

Prandaj, e ftoj edhe njëherë Edi Ramën të ketë guxim të vijë të votojë amendamentin që heq çdo mbrojtje nga deputetët shqiptarë dhe fshin menjëherë çdo dallim në Kushtetutën e vendit mes të pushtetshmëve dhe qytetarëve të tjerë.

E di që disa deputetë socialistë mund të mos e votojnë, por deputetët e opozitës do ta mbështesin njëzëri, nëse do të mbërrijë ky amendament në Kuvendin e Shqipërisë.

Unë nuk mund dhe nuk do të lejoj një gjyqtar mercenar të rishkruajë Kushtetutën në tavolinë. Ne jemi Republikë parlamentare, jo kryeministrore as edhe gjyqësore.

Deklaroj me vendosmëri se nuk i lejoj vetes asnjë kufizim apo hezitim për t’u paraqitur dhe për t’iu përgjigjur Prokurorisë apo Gjykatës. Unë jam i prirur të shkoj. Dhe thashë edhe njëherë nuk kam asnjë vetëkufizim.

Në vitin 2012 propozova në Kuvend një amendament duke u hequr deputetëve çdo mbrojtje kushtetuese. Edi Rama, në atë kohë kreu i opozitës, e hodhi poshtë kategorikisht me pretekstin se: “do të na arrestonte Sali Berisha”.

Tani e ftoj edhe një herë publikisht zotin Rama të jetë burrë, të ketë guximin politik dhe të votojë amendamentin që propozova në vitin 2012. Tani ai është në pushtet dhe Sali Berisha nuk mund të arrestojë askënd. Marrja e rrugës Putiniste dhe përdorimi i mercenarëve, të cilët marrin përsipër të rishkruajnë Kushtetutën kur dhe si duan, për të kënaqur grykësinë politike të kryeministrit, është një atentat kundër shtetit ligjor.

Ata që marrin përsipër të shkruajnë Kushtetutën në vend që ta zbatojnë atë janë banditë kundër shtetit, dhe jo përfaqësues të tij. Pas tre vitesh hetim intensiv, dhe siç e kanë cilësuar vetë, shterrues, Edi Rama dhe bashkëpunëtorët e tij në krim nuk gjetën asnjë provë dhe asnjë fakt për të ngritur kallëzim penal kundër meje. Megjithatë, urdhëruan masa sigurie si person nën hetim, arrest me paraqitje të detyrueshme dhe bllokimin e pasaportës sime me vendim gjykate pa marrë autorizimin e Kuvendit. Kushtetuta e Shqipërisë, neni 73 pika 2 thotë: Deputeti nuk mund të arrestohet ose t’i hiqet liria në asnjë formë, ose t’i nënshtrohet kontrollit personal, ose në shtëpi pa autorizimin e Kuvendit.

Eshtë rasti i parë në 32 vite pluralizëm politik, që ndaj një deputeti merren masa të tilla pa miratimin e Kuvendit. Unë dhe deputetët e opozitës jemi gati të votojmë nesër për heqjen e kësaj dispozite nga Kushtetuta. Megjithatë, nuk do të pranojmë kurrë që Edi Rama dhe gjyqtarët apo prokurorët e tij politikë të shkelin Kushtetutën”, u shpreh Berisha.

About Redaksia

Check Also

Rama merr në mbrojtje Veliajn pasi e degdisi në azil

Pasi e nisi në ekzil, Rama lan duart si Ponc Pilati me Veliaj dhe e …

Leave a Reply