Dr. Endri Shabani, ka reguar pas mashtrimit publik se në vitin 2021 mori më shumë vota se Sali Berisha në zgjedhjet parlamentare.
Në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, Shabani u bëri një sfidë të ftuarve duke u kërkuar të shohin rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2021, duke pretenduar se ai ka marrë më shumë vota se Sali Berisha në Tiranë.
“Sali Berisha ka marrë personalisht më pak vota seç kam marrë unë në Tiranë. Merri votat personale të 2021 të Sali Berishës dhe krahasoji. Sali Berisha vota personale, me lista të hapura në Tiranë, hape tani rezultatin ka marrë më pak se Nisma Thurje!”, deklaroi Shabani.
Pas kësaj “sfide”, TPZ verifikoi në faqen zyrtare të KQZ-së dhe rezulton se Shabani ka marrë vetëm 751 vota personale, ndërsa Berisha 6772.
Pasi i doli gënjeshtra, Shabani ka reaguar sërish, por edhe pse një politikan i ri, që supozohet të ketë mentalitet ndryshe nga politikanët e vjetër që mashtrojnë pa mbajtur përgjegjësi, ai nuk është tërhequr nga gënjeshtra, por thotë se ka marrë më shumë vota në zgjedhjet lokale të vitit 2023, sesa Berisha në zgjedhjet parlamentare në vitin 2021, duke u bërë i pari politikan në Shqipëri që i bën qejfin vetes duke krahasuar dy palë zgjedhje të ndryshme.
Me sa duket, politikani i ri është shqetësuar aq shumë, sa edhe në status-justifimin që ka botuar, i është dashur të theksojë, siç bën në shumë nga daljet e tij, se është i doktoruar në Universitetin e Oksfordit.
Të studiosh në këtë universitet prestigjioz është sigurisht një arritje, por ta përmendesh çdo moment për t’i dhënë legjitimitet vetes, tregon impotencë intelektuale, që i duhet të fshihet pas “markës” të Oksfordit.
Theksojmë edhe njëherë se nuk është aspak turp, që një politikan i ri të marrë pak vota, por është turp kur gënjen publikisht dhe akoma më shumë turp, kur kapet në gënjeshtër dhe nuk tërhiqet por bën pirueta të rëndomta.
Dr. Shabani, lëre rehat Oksfordin dhe hiq dorë nga gënjeshtrat e ‘vockla’!