Kryeministri Edi Rama është angazhuar që të vendosë në dispozicion të qeverisë italiane territorin e vet për të ngritur kampe të ngjashme me burgjet si dhe të presë mijëra refugjatë nga vendet e treta për të paktën një periudhë 5-vjeçare, sipas protokollit të nënshkruar nga kryeministri Edi Rama dhe homologia e tij italiane, Giorgia Meloni.
Protokolli i nënshkruar mes Ramës dhe Melonit u publikua të martën në mbrëmje nga Këshilli i Ministrave. Dokumenti është kujdesur që të mos përmendë termin kamp refugjatësh, duke e zëvendësuar atë me fjalët “struktura” apo “zona”, por bën të qartë se emigrantët do të detyrohen të qëndrojnë të mbyllur brenda këtyre strukturave.
Pala italiane është përgjegjëse për menaxhimin brenda kampeve, bashkë me kostot për qëndrimin apo trajtimin shëndetësor të refugjatëve. Autoritetet italiane janë gjithashtu përgjegjëse që të mos lejojnë daljen e emigrantëve në pjesën tjetër të territorit të Shqipërisë, si gjatë kohëzgjatjes së procedurave administrative, ashtu edhe pas përfundimit të tyre.
“Në rast daljeje të paautorizuar të migrantëve nga zonat, autoritetet shqiptare do t’i shoqërojnë ata po pranë këtyre strukturave,” shkruhet në dokument.
Përveç vendosjes në dispozicion të territorit, pala shqiptare angazhohet që të sigurojë ruajtjen e rendit dhe të sigurisë publike në perimetrin e jashtëm të zonave si dhe gjatë transportit të refugjatëve drejt tyre.
“Palët bien dakord se numri i përgjithshëm i refugjatëve të pranishëm njëkohësisht në territorin shqiptar, në zbatim të këtij protokolli nuk mund të jetë më i lartë se tre mijë veta,” thuhet aty.
Dokumenti i publikuar nga Këshilli i Ministrave nuk shpjegon se ku do të vendosen kampet, por sipas Agjencisë italiane të Lajmeve, ANSA, njëra prej tyre do të jenë pranë portit të Shëngjinit dhe qendra e dytë në Gjadër. Shëngjini pritet të shërbejë si pika e parë e pritjes dhe e skanimit të emigrantëve, ndërsa në Gjadër do të ndiqen procedurat e tjera të aplikimit për azil.
Që prej ngjitjes në pushtet të qeverisë së krahut të djathtë të Melonit, reduktimi i refugjatëve që hyjnë ilegalisht në Itali ka qenë një prioritet kryesor i saj. Megjithatë, nënshkrimi i marrëveshjes me Ramën u prit si një rrufe në qiell të hapur, si në Romë ashtu edhe në Tiranë.
Përfaqësues të opozitës italiane e kritikuan marrëveshjen si një shkelje të hapur të ligjeve ndërkombëtare dhe e krahasuan situatën që pritet të krijohet në Shqipëri me kampin famëkeq të Guantanamos.
Në Shqipëri, përfaqësues të opozitës kritikuan mungesën e transparencës dhe vendimarrjen personale të Ramës.
Amnesty Intenational, një organizatë ndërkombëtare e të drejtave të njeriut, e quajti gjithashtu marrëveshjen mes Ramës dhe Melonit si “të paligjshme dhe joefikase”.
“Personat e shpëtuar në det nga autoritetet italiane, përfshirë ata që kërkojnë siguri në Evropë, janë nën juridiksionin italian dhe nuk mund të dërgohen në një vend tjetër përpara se të shqyrtohet kërkesa e tyre për azil dhe rrethanat individuale,” tha Elisa De Pieri, hulumtuese rajonale për Amnesty International.
Amnesty International thekson se marrëveshja parashikon rikthimin me forcë, një praktikë e ndaluar sipas ligjit ndërkombëtar dhe evropian dhe për të cilën Italia është dënuar njëherë më parë nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në vitin 2012./BIRN