Berisha: Qytetarët gjobiten për arsimin, shëndetësinë, transportin dhe kudo!

Kryetari i PD, Sali Berisha tha se, shqiptarët vidhen, por edhe gjobiten në mënyrë të tmerrshme për shërbimin shëndetësor, gjobiten për arsimin, për transportin. Ai tha se, sot shqiptarët shkollojnë fëmijët e tyre në Shqipëri me tarifa 3-4 herë më të larta se po t’i shkollonin në Austri apo Gjermani.
“Faleminderit për ndërhyrjet, me të cilat hodhët dritë mbi aspekte të ndryshme të këtij buxheti, i cili i parë me realizëm është jo vetëm buxheti i vjedhjes më të madhe të shqiptarëve, por fatkeqësisht edhe i gjobitjes së tyre më të madhe.
Po të kemi parasysh barrën që u krijon për shpenzimet shëndetësore, për shkollimin, këto janë një barrë në rritje që vjen nga viti në vit, në një kohë kur kjo barrë, në vendet e tjera është 4-5 herë më e ulët se në Shqipëri.
Sot, shqiptarët shkollojnë fëmijët e tyre në Shqipëri me tarifa 3-4 herë më të larta se po t’i shkollonin në Austri apo Gjermani. A mund të imagjinohet kjo?
Sot shqiptarët, paguajnë për fëmijët e tyre, që shkollohen në Tiranë, qiratë të tretat më të lartat në Europë pas Parisit dhe Mynihut.
Doktor Tritani e tha, të paguash 50 përqind nga xhepi, dhe absolutisht është aq dhe më shumë, për kujdesin shëndetësor, është një pamundësi reale për të përballuar problemet që krijon sëmundja për shëndetin tënd.
Pra, detyrohesh ta përballosh shkel e shko, ta përballosh pjesërisht dhe të mos sigurosh shërbimet dhe ilaçet që meriton në tërësi.
Spitalet kanë një degradim ekstrem. Në kuptimin e asaj që spitali publik të diagnostikon, por sot mbetesh në mëshirë të fatit gjer të nesërmen në urgjencë, për të hequr trombin ose për të bërë ndërhyrjen që kërkojnë ta bëjnë në sektorin privat. Nuk ndodh në asnjë vend. Kjo ndodh vetëm në Shqipëri.
Shqiptarët vidhen, por edhe gjobiten në mënyrë të tmerrshme për shërbimin shëndetësor, gjobiten për arsimin që duhet të paguajnë.
Gjobiten në transport e kudo, për arsye se qeveria me politikat që ndjek, garanton çmimet më të larta në botë për naftën. Pa diskutim që ka spekulim të madh nga tregtarët, por e vërteta është se qeveria i ngarkon ata me atë taksë me të cilën shiten në pompë benzina apo nafta.
Kjo është një mendësi e hajdutit, ta themi haptas. Se po të them komuniste, edhe ashtu është, që këtyre që kanë, t’ia kthejmë xhepat. Se pse këta kanë, se kanë një veturë. Po kjo është një filozofi hajduti”, u shpreh Berisha.

About Redaksia

Check Also

Berisha: Mosbindja do të përshkallëzohet! Mos dëgjoni papagajtë e qeverisë që bëjnë opozitën e opozitës

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës së tij në konferencë me gazetarët, deklaroi …