“Të pavarur” si Fehmi Abdiu…

Nga Gent STRAZIMIRI

SPAK më në fund paska marrë masë detyruese për Ilir Beqajn, famoz më së shumti për brutalitetin me të cilin e kryente vjedhjen e fondeve shtetërore se sa për shumat marramendëse për të cilat firmoste.

“Rastësisht”, për Beqajn është vendosur e njëjta masë e kërkuar për Sali Berishën, denoncuesit të parë e më të shquar të aferave korruptive për të cilat sot Beqaj hyn e del në SPAK.

Nuk besoj se ka më ndonjë dyshim se këtë do ta shesin si “barazi për të gjitha palët”, “një andej e këtej”, “SPAK nuk pyet se kush i del përpara”…

Domethënë një banalitet mediokër që shokët e regjimit të “Sigurimit” e përdorin përgjithësisht si armë të fundit të daljes nga sikletet, pak para ngordhjes.

Në zgjedhjet e vitit 2001, Gjykata Kushtetuese e kryesuar nga Fehmi Abdiu i dha Partisë Socialiste 35 mandate deputeti “me proces gjyqësor”.

Në atë kohë, Gjykata Kushtetuese shërbente si instanca më e lartë pas KQZ, për zgjidhjen mosmarrëveshjeve mes palëve në zgjedhje, me një ligj të pavotuar nga opozita, por vetëm me votat e “maskave” të dalë nga “zgjedhjet” e vitit 1997…

Për ta përforcuar edhe më shumë “pavarësinë” e Gjykatës Kushtetuese, “parlamenti i maskave”, emëroi kryetar të Gjykatës Kushtetuese jo një komunist a kriminel dosido, por as më shumë e as më pak se Fehmi Abdiun, nënkryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste…

Vetë KQZ, përmes të njëjtës formulë, pa votat e opozitës, u ndërtua me “njerëz të pavarur nga politika”, të kryesuar nga një njeri me mbiemrin Nano, si kryeministri, por me emrin Fotaq e jo Fatos, në mos gaboj…

Pra në instancat ku ndaheshin mandatet e deputetëve apo numëroheshin votat, opozita nuk kishte asnjë përfaqësues pasi, ishin të gjithë “të pavarur” si… Fehmi Abdiu…

Zgjedhjet e vitit 2001 filluan në maj dhe përfunduan në shtator, sepse u copëzuan në 5 raunde nga njeriu me mbiemrin Nano në KQZ..

Në fund mandatet i ndante Fehmi Abdiu, i cili brutalisht, me mediokritetin që vetëm e keqja absolute mund ta ketë, i dha partisë së tij 35 mandate, aq sa kapi e kaloi 2/3 e deputetëve në parlament…

I akuzuar nga vëzhguesit ndërkombëtar të zgjedhjeve për anshmëri absolute dhe shpërfillje të ligjit, Fehmi Abdiu u përgjigj zyrtarisht se Gjykata Kushtetuese kishte qenë në fakt “instanca më e pavarur dhe më e paanëshme në atë proces… siç e tregonin vetë shifrat…”

Kishte shqyrtuar 70 çështje, dhe 35 vendime ishin në favor të mazhorancës dhe 35 të tjera në favor të opozitës… madje edhe personalisht të Sali Berishës..

Dhe ishte e vërtetë!

Mandati i deputetit të Kavajës ishte ankuar në gjyq nga njëfarë Sali Vogli, drejtor i ujësjellësit të Kavajës dhe kandidat i PS në zgjedhje, i cili kishte marrë diçka tek 10% të votave, kundrejt mbi 80% të fituara nga Sali Berisha, deputeti i përjetshëm i qytetit të demokracisë…

Në një qytet anti-komunist “par exellance” si Kavaja, Sali Vogli ishte i vetmi individ mjaftueshëm i bindur dhe i paqenë, që PS i nxirrte përballë Sali Berishës në zgjedhje… vazhdimisht…

Rezultoi se Fehmi Abdiu dhe “Partia” ishin kujdesur hesapi të dilte “fit e fit”…

Pra, që paditës të qeverisë të ishin jo më pak se 35 “Sali Vogli” të cilët të sfidonin në gjykatë mandatet e PD në secilën prej kështjellave të saj, përfshi dhe Shkodrën, pikërisht që në fund, Fehmi Abdiu të dilte “i pavarur”, “i ekuilibruar” dhe që “nuk pyet se kush i del përpara”…

“Sali Vogli” i radhës është Ilir Beqaj, e përmes tij duan të shesin për të  “pavarur” dhe të “paanshëm” SPAK, me një fjalë “Fehmi Abdiun” e sotëm.

Në vitin 2001 nuk u bëri punë! Sot hiç e hiç…

E vetmja risi në këtë skenar është se banaliteti vazhdon me mediokritet e brutalitet… njësoj si e keqja…

SPAK YOU prapë

KAQ!

About Redaksia

Check Also

“Trinitia e shenjtë”…

Nga Iva V.GRILLO Duket se permasat e tragjedise qe po luhet ne kurrizin e shqiptareve …