Berisha: Jehona botërore e aksionit pa kthim të opozitës ia çorri maskën Edi Ramës

Kryetari i PD, Sali Berisha tha në konferencën për shtyp se, ishte një fitore e madhe për opozitën jehona botërore e aksionit të saj pa kthim, e cila i çorri maskën Edi Ramën. Berisha tha se, diktaturat nuk shemben duke ndaluar një votim, por duke treguar të vërtetën njerëzve dhe opinionit publik shqiptar dhe ndërkombëtar.

“Dy arsye bënë mbrëmë që Shqipëria të jehojë në titujt më kryesorë të medieve ndërkombëtare.

E para ishte ndeshja përmbyllëse e kombëtares në eliminatoret e Euro2024.

E dyta ishte qëndresa e opozitës shqiptare në parlament kundër mobodiktaturës apo narkodiktaturës së Edi Ramës.

Për të parën le të shprehim ne urimin më të përzemërt, mbështetjen më të fuqishme kuqezinjve, ekipit, kapitenit dhe trajnerit të saj fantastik.

Për të dytën, duhet të theksoj se mediat më serioze të planetit, BBC, Fox News, ZDF, SKY, Washington Post, Guardian, Independent, Telegraph dhe dhjetëra e dhjetëra media në të pesë kontinentët, kishin në tituj kryesorë aksionin opozitar pa kthim të opozitës shqiptare.

Analistët e qeverisë, për të shumuar aksionin, për dezinformuar apo hedhur baltë mbi të, u shprehën se nuk ishte kjo një fitore, pasi buxheti u votua gjithsesi.

Mjerimi nuk ka kufi në mendim, përveçse këtë. Beteja e opozitës është për një qëllim madhor. Misioni ynë është shembja e diktaturës.

Diktaturat nuk shemben duke ndaluar një votim, por duke treguar të vërtetën njerëzve dhe opinionit publik shqiptar dhe ndërkombëtar.

Dhe e vërteta mbrëmë u tregua pa asnjë filtër nga mediat më të fuqishme të botës.

Opozita i tregoi mbrëmë botës se kryeministri shqiptar, që herë vishet me atlete për modern dhe herë tjetër me çitjane për oriental, votoi dje në 4 minuta, në rekordin më të turpshëm botëror, buxhetin dhe kjo sepse ai nuk pranon të lejojë në përputhje me Kushtetutën, krijimin e komisioneve hetimore parlamentare për veten, familjen, sojsorollopin e tij dhe ministrat dhe zyrtarët e tij.

Opozita i tregoi botës se Edi Rama në fakt është një kryeministër, por pasi voton buxhetin, i ndalon opozitës të paraqesë ligje, duke i mohuar asaj 31 të tilla, pa proces të duhur parlamentar.

Opozita i tregoi botës të vërtetën se Shqipëria de facto nuk është më një demokraci, sepse Edi Rama kërkon t’i caktojë opozitës përfaqësuesit e saj.

Sepse Edi Rama e blindoi njëlloj si një narkodiktator në romanet e Markezit, që opozita të mos kërkojë të drejtat e saj.

Të drejtat kushtetuese që kërkojnë deputetët e opozitës në parlament, nuk janë të drejta personale të tyre, janë të drejta të 600 mijë votuesve që kanë votuar kundër qeverisë së Edi Ramës.

Pra, një fitore e madhe për opozitën kjo jehonë botërore e aksionit të saj pa kthim, e cila i çori maskën Edi Ramës dhe hap pas hapi do vijojë në këtë betejë pa kthim, deri në çmontimin e diktaturës në Shqipëri, deri në shpëtimin e Shqipërisë”, u shpreh Berisha.

About Redaksia

Check Also

Drama e shkollës, vetëm 22 studentë të rregjistruar tek Gjeografia, 7 tek Fizika, 0 tek…

Arkeologjia dhe trashëgimia kulturore, është një ndër programet me më pak interes në Universitetin e …