Fasonët drejt falimentimit nga rënia e euros, 75 mijë vende pune në rrezik

Shoqata Pro-Eksport Albania, përfaqësuese e kompanive fason të tekstileve dhe këpucëve, ripërsëritën kërkesën për marrjen e masave nga institucionet shqiptare, pasi sektori po kalon një situatë shumë alarmante.

Pro-Eksport Albania, në një letër drejtuar ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete, dhe ministres së Sipërmarrjes, Delina Ibrahimaj, theksojnë se kursi i këmbimit, rritja e kostove, mungesë e theksuar likuiditeti, amortizimi i impianteve prodhuese e një sërë problematikash të tjera vijojnë të ndikojnë prej muajsh në rënien drastike të porosive dhe eksporteve.

Për shkak të vështirësive, sipas shoqatës, shumë biznese janë mbyllur dhe të tjerat kanë reduktuar linjat e prodhimit, duke rrezikuar shkurtimin e 75,000 vendeve të punës.

Sipas tyre, negativisht ka ndikuar edhe indiferenca e politikave mbështetëse nga qeveria.

Përfaqësuesit e sektorit fason kërkojnë vazhdimin e dialogut për zgjidhjen e situatës si dhe parandalimin e situatave të ngjashme në të ardhmen, me zbatimin e paketës Manifakturë të propozuar nga PEA e cila do të mundësonte orientimin dhe kalimin e sektorit në prodhues konkret Made in Albania.

Për të pestin muaj radhazi eksportet e tekstileve e këpucëve kanë vijuar tendencën tkurrëse. Në tetor sipas të dhënave eksportet e këtij grupi ranë 11,4% që është rënia më e lartë që nga periudha e pandemisë, kur fabrikat mbyllën punën për shkak të problemeve të krijuara në ekonominë globale nga kufizimet e pandemisë.

Edvin Prençe kryetar i ProEksportAlbania më herët pohoi për Monitor se sektori ka humbur konkurrueshmërinë, si rrjedhojë e rritjes së kostove dhe rënies së euros. Shtrenjtimi i kostove ka detyruar bizneset e sektorit të kërkojnë rritje të çmimeve, të cilat në shumicën e rasteve nuk janë pranuar nga klientët europianë, që u janë drejtuar vendeve te tjera Ballkanike (Maqedoni e Veriut, Serbi e Bosnjë) ose vendeve të Afrikës (Tunizi, Marok e Egjipt).

About Redaksia

Check Also

Pensionistët shqiptarë më të varfërit në Europë, blejnë dy herë më pak se vendi i parafundit

Vitin e kaluar, vendi i parafundit për nga niveli i pensioneve në Europë ishte Bullgaria. …