Ina Media
Deklaratat noteriale për njohjen e borxhit/detyrimeve janë forma e fundit për pastrimin e parave. Në Shqipëri noterët hartojnë rreth 10 mijë deklarata të tilla në një vit kalendarik dhe ekspertët vlerësojnë se me këtë teknikë pastrohen miliona euro. Ndërkohë, Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave refuzon që të informohet në kohë reale nga noterët. Kjo sjellje e Agjencisë së Inteligjencës Financiare përballë gatishmërisë së noterëve prej tre vitesh merr formën e një skandali, që kërkon hetim nga autoritetet. Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave refuzon raportimin e noterëve në kohë reale.
Plot 225 mijë euro ka “legalizuar” noterja Shpresa Gjoçi nëpërmjet një deklarate për njohje detyrimi, me numër 234/185. Paratë ishin dhënë vite më parë dhe deklarata noteriale është hartuar vetëm mbi bazën e vullnetit të palëve.
Kolegu i saj, noteri Ermal Hamzaj, në një tjetër rast, me deklaratën për njohje detyrimi më datë 3 shtator 2021, ka “certifikuar” 100 mijë euro të tjera.
Rastet e mësipërme janë dy nga rreth 50 deklaratat noteriale për njohje detyrimi, që kam mbledhur tashmë, me shuma që variojnë nga 50 mijë deri në 225 mijë euro.
Pesë vite më parë në Gjykatën Civile të Tiranës palët (njëra prej të cilave Lefter Sulkaj, ish-administratori i Spitalit Gjerman, i arrestuar për mashtrim), me deklaratën noteriale për njohje detyrimi në shumën 1.5 milionë dollarë (1 miliard e 500 milionë lekë të vjetra) i kërkonin gjykatësit të lëshonte urdhër ekzekutimi.
Asnjëri prej këtyre akteve noteriale nuk është referuar nga noterët përkatës në Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave (DPPP) në Ministrinë e Financave, institucioni që përgjigjet për këtë fenomen, edhe pse shumat janë të tilla, që i detyrojnë noterët ta bëjnë këtë veprim. “Kjo është një marrëdhënie konfidenciale. Nuk dua të flas”, – përgjigjet shkurt Gjoçi në zyrën e saj, pas interesimit të INA-s.
Deklarata noteriale për njohje detyrimi shërben për dy qëllime. “Është një dokument, që vërteton, njeh veprimin, që dy njerëz kanë bërë në ilegalitet, jashtë sistemit bankar. Me këtë deklaratë pala debitore, ajo që ka dhënë paratë, dëshiron ta njohë borxhin dhe më pas i kërkon gjykatës të nxjerrë një urdhër ekzekutimi”, – shpjegon nënkryetari i Dhomës Kombëtare të Noterëve, Fatmir Laçej.
Pavarësisht se deklarata noteriale për njohje borxhi “konvertohet” në urdhër ekzekutimi nga një gjykatës civil, ky i fundit nuk ka asnjë mundësi apo të drejtë të gjykojë mbi përmbajtjen e saj. Gjykatësi gjykon vetëm mbi aktet (dokumentet) dhe nuk ka kontakt fare me palët.
Mënyra e dytë se si përdoret deklarata noteriale për njohjen e detyrimit është ajo kur palët bien dakord, që të shlyejnë borxhin pa shkuar në gjykatë. Në këtë rast deklarata noteriale për njohje detyrimi shërben vetëm si “burim” justifikues në bankë për shuma mbi dhjetë mijë euro. Nga hetuesit e Policisë së Shtetit kjo shihet si një formë për pastrimin e parave.
INA ka arritur që të sigurojë numrin e përgjithshëm të deklaratave noteriale për njohje borxhi/detyrimi në dy vitet e fundit. Shifrat janë domethënëse.
Gjatë vitit 2022 në zyrat noteriale janë hartuar 9626 deklarata për njohje të borxhit, ndërsa vetëm për 9 muajt e parë të vitit 2023 (nga data 1 janar-deri më 30 shtator) janë hartuar 7504 deklarata të tilla. Në këtë shifër nuk përfshihen kontratat e huas, të cilat janë me kamatë (interes).
Eksponentë të krimit të organizuar po hartojnë në noterë të ndryshëm, madje edhe në rrethe të ndryshme, kontrata noteriale për njohje detyrimi, “borxhet” fiktive për të pastruar paratë e siguruara nga veprimtaria kriminale, madje SPAK është duke hetuar punonjës shtetërorë, gjykatës, prokurorë e punonjës policie, që duan të “certifikojnë” pastërtinë e figurës nëpërmjet deklaratave të tilla.
Shifrat e vendosura në këto deklarata janë të konsiderueshme.
“Ka edhe shifra me 100 mijë lekë ose 1 milion lekë të vjetra, por ka deklarata noteriale për njohje detyrimi, që shkojnë deri në 100 mijë euro. Unë kam bërë të tilla. Janë njerëz që i njoh”, – thotë noteri Fatmir Laçej.
Një analizë e INA-s nxjerr se pjesën më të madhe të akteve të tilla noteriale e ka bërë rreth një e pesta e noterëve. Ky përqendrim i kryerjes së këtyre akteve tregon “gatishmërinë” që ka kjo bashkësi noterësh për të kryer veprime të dyshimta, ligjore. Në rastet e hartimit të një deklarate noteriale për njohje detyrimi kuptohet që veprimi është kryer jashtë zyrës së noterit dhe jo në momentin aktual, por kohë më parë. Në këto rrethana noterit i lind detyrimi që të kryejë atë që quhet vigjilencë e zgjeruar për burimet e financimit të atij që ka dhënë borxhin, motivet përse ia ka dhënë, sepse borxhi (ose huaja) nuk duhet të ketë kushte kamate, si dhe arsyen, për të cilën janë përdorur nga marrësi.
Numri i deklaratave noteriale për njohje detyrimi ka pësuar një rritje eksponenciale pas vitit 2016. Kjo shpjegohet me disa rrethana: së pari, nisi procesi i vetingut për gjykatësit dhe prokurorët; së dyti, u forcuan rregullat e bankave për deklarimin e burimit të të ardhurave; së treti, “me kanabizimin e vendit”, – shpjegon në kushte anonimati një noter në kryeqytet.
Në një studim të kryer nga BIRN-i, vetëm gjyqtarët e gjykatave administrative në Shqipëri gjatë procesit të vetingut rreth 83 milionë lekë i kanë justifikuar me deklarata të tilla huaje ndaj personave të tretë ose deklarata për njohje detyrimi. Këtë praktikë në shumicën e vendimeve për prokurorë dhe gjykatës, që i kanë paraqitur deklaratat noteriale, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e ka quajtur fiktive. Sipas atij studimi, bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare, detyrimet e larta jashtë sistemit bankar konsiderohen si tregues transaksionesh të dyshimta.
Të dhënat e publikuara raportojnë për një rritje të sasisë së parasë që qarkullon jashtë sistemit bankar. Sipas të dhënave zyrtare nga Banka e Shqipërisë, në fund të muajit korrik të vitit 2023, jashtë bankave qarkullonin mbi 3.8 miliardë euro, nga 3.6 miliardë euro që ishin vitin e kaluar. Në të njëjtën linjë me këtë shqetësim është edhe Shoqata e Ndërtueseve, e cila para disa ditësh publikoi konstatimin e saj se, pjesën e parë të vitit 2023 shitja e pronave të paluajtshme është bërë duke anashkaluar sistemin bankar, pra, me pará fizike (cash). Aktualisht, Shqipëria nuk ka kufizime në vlerën e pagesave që mund të kryhen me pará fizike për blerjen e mallrave apo shërbimeve.
Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave huamarrjen e ka renditur në vendin e gjashtë të tipologjive të raporteve për aktivitet të dyshimtë, që kjo agjenci inteligjence merr nga aktorë të ndryshëm, përfshirë edhe noterët. Për herë të parë këtë tipologji Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave e ka evidentuar në vitin 2013. Në atë vit Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave ka marrë 18 raportime për dyshime për pastrim parash nëpërmjet sponsorizimeve, dhurimeve apo dhënieve hua për të tretët.
Një pjesë e deklaratave noteriale për njohje detyrimi, ato që kapërcejnë shumën 100 mijë euro, ku përfshihen edhe deklaratat e noterëve Gjoçi dhe Hamzaj, janë duke u hetuar nga ekspertët e Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave ose nga Agjencia e Inteligjencës Financiare. Ato janë pikasur gjatë inspektimeve në zyrat e noterëve nga punonjësit e kësaj strukture, sepse vetë noterët nuk e kanë njoftuar Drejtorinë e Agjencisë së Inteligjencës Financiare, siç kërkon ligji. Por, duket se rastet e evidentuara nuk e luftojnë apo parandalojnë fenomenin.
Gjatë 16 viteve të fundit, që nga viti 2007, Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave ka inspektuar në mjediset e tyre (në zyrë) më pak se gjysmën e noterëve. Por, duke marrë në konsideratë se një numër të konsiderueshëm të noterëve në Tiranë e kanë inspektuar më shumë se një herë, ka ende një kontingjent noterësh, që nuk është inspektuar asnjëherë nga punonjësit e Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave.
Aktualisht, sipas udhëzimit të Ministrisë së Financave, noterët kanë detyrim që t`i raportojnë transaksionet e dyshimta, fizike brenda 24 orëve nga momenti që janë kryer.
Agjencia e Inteligjencës Financiare ka rezerva për noterët, të cilët, sipas saj, nuk raportojnë në kohë ose fshehin një pjesë të akteve noteriale, që bëjnë.
Ndërkohë që kryetarja e Dhomës Kombëtare të Noterëve, Mimoza Sadushi, duke folur në emër të noterëve, ka një tjetër qëndrim. “Gjithmonë kemi synuar të jemi shumë transparentë ndaj kësaj drejtorie, – thotë Sadushi. – Nga ana tjetër kemi synuar që ta “shkarkojmë” noterin nga procedurat e shumta dhe burokratike, që duhet të kryejë në përditshmërinë e tij”.
Për këtë arsye Dhoma Kombëtare e Noterëve ka propozuar që raportimi në Njësinë e Inteligjencës Financiare për të gjitha aktet noteriale të kryhet në kohë reale, në momentin që kryhet nga noteri. Teknologjia digjitale e bën këtë të mundur.
“Ne e kemi bërë propozimin, e kemi bërë punën tonë, por, me sa di, për mungesë fondesh drejtoria nuk është e gatshme që ta presë këtë informacion në kohë reale”, – thotë znj. Sadushi.
Që prej vitit 2020 Dhoma e Noterëve me financimin e saj (kontribut i të gjithë noterëve) ka ngritur sistemin digjital, NISA. Ky sistem mundëson digjitalizimin e të gjithë procesit dhe praktikave noteriale. Sistemi, i njohur nga qeveria shqiptare si një bazë të dhënash shtetërore, gjeneron një numër shumë të madh të dhënash mbi veprimtarinë e rreth 430 noterëve në të gjithë Shqipërinë.
Bazuar në këtë mundësi, që ofron programi NISA, Dhoma Kombëtare e Noterëve i ka propozuar Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave dërgimin automatik dhe në kohë reale të raportimeve të transaksioneve me pará fizike (cash). Kjo praktikë i mundëson Agjencisë së Inteligjencës Financiare të njihet me të gjitha transaksionet që ndodhin në Shqipëri, duke vendosur më pas se cilin prej tyre të investigojë më tej.
Kjo sjellje e Agjencisë së Inteligjencës Financiare bie ndesh me propagandën e qeverisjes aktuale për kalimin e shërbimeve online. Digjitalizimi i shërbimeve dhe i komunikimit me institucionet publike është propaganduar si një nga format për të shmangur dhunën institucionale ndaj qytetarit dhe për të reduktuar aktet e korrupsionit.
INA zotëron korrespondencën midis Dhomës së Noterëve në Shqipëri dhe Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave për të mundësuar raportimin në kohë reale nëpërmjet teknologjisë digjitale të të gjitha transaksioneve, që kryhen me pará fizike në Shqipëri.
Propozimi i Dhomës së Noterëve së pari realizon raportimin në kohë reale dhe shmang sjelljet e vullnetshme ose të paqëllimshme të noterëve për të mos i raportuar rastet e dyshimta. Në këtë rast është sistemi që e gjeneron informacionin dhe e kryen veprimin. Së dyti, kursen kohën e noterit për të plotësuar formularin e raportimit, për të hyrë në sistemin digjital të Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave, për një proces që aktualisht gjenerohet nga sistemi NISA.
Dhoma e Noterëve i ka nisur propozimet që në shkurt të vitit 2021, duke i shoqëruar me tre variante raportimi: “Varianti i parë është mundësia e raportimit direkt nga noteri në sistemin NISA dhe hapja e një llogarie për të raportuar në grup, gjithë raportimet ditore të noterëve. Për ta realizuar këtë variant kërkohen vetëm disa përmirësime të programit”, – shkruajnë ekspertët e Dhomës së Noterëve.
Varianti i dytë mundëson raportimin direkt nga noteri nëpërmjet sistemit NISA dhe marrjen e konfirmimit të pranimit të raportimit nga sistemi i raportimit të DPPPP-së (në kohë reale). Mirëpo ky variant kërkon një modul të posaçëm (program) për administrimin e raportimeve të sistemit NISA dhe një ndërveprim midis sistemit NISA dhe Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave me një lidhje të sigurt në kohë reale.
“Varianti i tretë ofron mundësinë e marrjes së raportimeve, duke përdorur platformën qeveritare të ndërveprimit GG (Government Gateway), për realizimin e të cilit kërkohet angazhim burimesh njerëzore për të ndryshuar bazën ligjore, si dhe një buxhet i konsiderueshëm”, – shkruhet në email-in e datës 10 shkurt 2021, që Dhoma e Noterëve i përcjell Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave.
Ekspertët e Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave fillimisht kanë shprehur gatishmërinë dhe optimizmin për ta realizuar këtë mënyrë funksionimi. Por, dy muaj më pas, më 20 prill të vitit 2021, kanë kthyer përgjigje zyrtare se “aktualisht DPPPP-ja nuk është ende e gatshme të bëjë testime për procesin e raportimit të formularëve RTPF nga NISA”.
Për Dhomën e Noterëve Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave nuk ka dhënë asnjë shpjegim për arsyet e refuzimit të kësaj skeme.
Dhoma e Noterëve në Tiranë pohon se përfaqësuesit ose drejtuesit e Agjencisë së Inteligjencës Financiare kanë që nga viti 2021, që deklarojnë se do e konsiderojnë kërkesën për informatizim. Por, duket se kjo kërkesë ka dalë nga agjenda e takimeve dhe përparësitë e Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave.
INA, duke shfrytëzuar Ligjin për të Drejtën e Informimit, e pyeti Agjencinë e Inteligjencës Financiare (AIF), për arsyet e refuzimit të propozimit të Dhomës së Noterëve për raportimin online dhe për koston financiare të realizimit të këtij raportimi.
Përgjigjja zyrtare ishte një shmangie ndaj pyetjeve të INA-s: “Që prej vitit 2021 Dhoma Kombëtare e Noterisë ka bërë funksional sistemin NISA, që mundëson regjistrimin e të gjitha akteve noteriale në vend, në të cilin Agjencia e Inteligjencës Financiare ka akses të plotë”.
Më pas përgjigjja kishte një citim nga legjislacioni për mënyrën e raportimit dhe në fund përgjigjja mbyllej në këtë mënyrë: “Mes Agjencisë së Inteligjencës Financiare dhe Dhomës Kombëtare të Noterëve ka një proces të vazhdueshëm takimesh, komunikimi dhe bashkëpunimi të ngushtë për përmirësimin e vazhdueshëm të funksionimit të sistemeve të aksesit në informacion, si dhe raportimit në përputhje me legjislacionin për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”.
“Ne e kemi shtruar rrugën. Ata duhet të këmbëngulin për ta realizuar këtë proces”, – thotë Fatmir Laçej, nënkryetari i Dhomës Kombëtare të Noterëve. Laçej vlerëson drejtuesit e kësaj strukture, por nuk i duket bindës argumenti i mungesës së fondeve. Ai tregon se është në bisedime me administratorët e kompanisë, që kanë realizuar programin NISA, për të realizuar programin edhe nga ana e Agjensisë së Inteligjencës Financiare. “Nëse duam ta formalizojmë ekonominë, noteri ka një rol kyç, – thotë ai. – Ky komunikim, që ne propozojmë, forcon rolin e noterit dhe e çliron atë nga ngarkesat e tepërta.”
Një noter i ndëshkuar nga Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave në Tiranë pikërisht për mungesë raportimi pohoi për INA-n se arsyet e vërteta të refuzimit të aplikimit të raportimit online në kohë reale janë disa. Së pari, se duke raportuar në kohë reale, inspektorët e Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave nuk kanë më arsye për të kryer kontrolle fizike në zyrat noteriale. Forma e inspektimeve fizike, jo vetëm që është një mjet presioni i pushtetit ndaj noterëve, por edhe një mundësi korrupsioni. Arsyeja e dytë, sipas noterit, është “toleranca” e nënkuptuar për të vijuar me pastrimin e parave në Shqipëri.
“Është amnistia fiskale, e kryer nga aktorët e drejtësisë”, – shprehet një tjetër noter në Tiranë.
Si rezultat i inspektimeve, që punonjësit e Agjensisë së Inteligjencës Financiare kanë realizuar në zyrat noteriale, janë aplikuar edhe masat administrative, kryesisht gjoba.
Vetëm në vitin 2014 janë vendosur 29 gjoba.
Një formë ndëshkimi, e njohur me ligj, është publikimi i gjobave. Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave nuk e ka aplikuar këtë formë dënimi në asnjë rast për noterët. Vetëm në dy raste Agjencia e Inteligjencës Financiare i ka propozuar Ministrisë së Drejtësisë heqjen e licencës së noterëve. Në të dyja këto raste kërkesa është refuzuar nga Ministria e Drejtësisë.