Që Djalli i pushtetit të mos i afrohet kurrë më temjanit të zgjedhjeve!

Nga Ndriçim KULLA

“Marr guximin të të shkruaj, tjetër ç’do veç shpirtit tim?” – Janë dy vargjet e famshme të poemës së Pushkinit që ai ia dërgon Tatianës së tij. Në shekullin e romantizmit, edhe Foskolo me Jakopo Ortisin, edhe Gëte me djaloshin Verter, kanë shkruar romane të tipit epistolar, ku shprehen vuajtjet shpirtërore të njeriut për dashurinë e tij fatkeqe.

Rreth shtatë vite më parë kur kishte filluar lëvizja protestuese e Çadrës në një ambient të ndezur politik, në një raport të degraduar midis pozitës dhe opozitës  prej muajsh me radhë, megjithëse nuk kishin kuptim, Kryeministri i qeverisjes shkatërrimtare me shumë hipokrizi në kundërshtim me sjelljen e tij politike ose i ka shkruar publikisht, ose i ka kërkuar dialog, opozitës, kundërshtarëve të tij politikë.

Pikërisht në ato kohëra fragmentare ai iu drejtohej kundërshtarëve politikë: “Çfarë doni ju të dashur?! Derisa unë të arrij t’iu vras prapa krahëve, ju mos më sulmoni anglisht nëpër tribunat politike apo kancelaritë e botës perëndimore!”

Ndryshe nga poetët dhe filozofët e mëdhenj fisnikë, ai kishte strukturuar në mendje në Shqipëri, kulturën politike të urrejtjes dhe të pabesisë, duke u shfaqur i dhembshur në sytë e botës për kundërshtarët e tij.  Duke pasur si referencë, sjelljen e tij tipike intolerante si politikan, që e ka problem opozitën, kemi të drejtë edhe sot të pyesim:

Pse vallë mund t’i ketë shkruar ose drejtuar kështu, kundërshtarit, njëi tillë?

Pse në këtë mënyrë, kur ai në thelb është tjetër politikan dhe njeri hakmarrës, vërtet i paadministrueshëm?

Mos në nënvetëdijen e tij është edhe kjo një lloj shprehje dashurie romantike për demokracinë apo një tmerr për pushtetin që mund lerë?

Janë të shumta kundërthëniet e këtij epistolari emblematik të Kryeministrit për pakuptueshmërinë e qëllimit të tij të vërtetë.

Por edhe për njerëzit e thjeshtë, opakësia e këtij veprimi të Kryeministrit ka lënë shumë hije dyshimi.

Mos vallë në këtë mënyrë flitet me kode midis rreshtave?

Apo e gjitha kjo ka qenë një lojë rebusesh që ne nuk i dinim, se koka e opozitës ishte zënë rob prej tij në një betejë spiunësh, por që fshehtas, prapa skenës ai vazhdoi që të luante diçka të përsëritur, diçka së cilës demokratët iu trembeshin dhe socialistët e uronin?

Edhe sot, Kryeministri i kthyer në një diktator të vërtetë mbas gati dymbëdhjetë vjetësh, flet si për inerci për të njëjtën taktikë të zgjedhur kundrejt opozitës, si në rastin e Çadrës shumë vite më parë.

Ndoshta këtu ka të drejtë, të gjitha demonstrimet e opozitës tashti po ngjajnë me një Çadër gjigante të lëvizshme, që rritet e gufohet prej zemërimit popullor, muaj pas muaji.

E pikërisht si atëherë, mazhoranca shfaqet mospërfillëse, herë e frikësuar, herë përbuzëse e herë trimërore.

Do t’iu shtypë përsëri diktatori, disa ditë më parë i lebetitur nga akuzat e pakundërshtueshme që i bëri kryetari i opozitës në kuadrin e Gjyqit Publik të korrupsionit të tij.

Edhe atëherë Tryeza e Dialogut qe zgjidhja që ofrohej e që në fakt nuk ndodhi dhe nuk u bë realitet.

Ka mbetur diçka ireale në mendësinë e tij për forcën e pakufizuar që mendon se ka. Për këtë arsye ndoshta socialistët urojnë që të ketë të njëjtin fund.

Po a jemi vallë në të njëjtat kushte si atëherë?

Megjithëse faktorët politikë kanë ndryshuar dhe janë kthyer përmbys, Kryeministri vazhdon të sillet si në realitetin e pengut me mendësinë e diktatorit.

Por sot, mazhoranca ama është bërë vërtet 7 vjet më e egër në korrupsionin dhe lidhjet e veta me krimin, por opozita shumë vjet më e vërshueshme për të nisur me rrugën pa kthim, në besim e në shpresë tek qytetarët, duke lënë pas ngatërresat e kurdisura të kohës së pengut të madh.

Kryeministri 20 vjet më i rrënuar në dredhitë e tij gjoja për zgjedhje të lira e të ndershme, kurse opozita e ribashkuar nga përçarjet e planit të errët makbethian Rama – Mcgonigal, përjetësisht më syçelët dhe më e kthjellët në mos rënien edhe njëherë në grackën që i ka krijuar ish-drejtuesi saj, Pengu i deklaruar deri në neveri Luzim Basha.

Pikëpyetja e parë sot është, se sa e qëndrueshme do të jetë mazhoranca në këmbënguljen ose kokëfortësinë e padrejtësive 11-vjeçare të saj?

Por po njëlloj, a do të ndryshojë ndonjë gjë më thelbësore në strategjinë e opozitës?

Ajo nuk duhet të ndihet aspak e kompleksuar nga krahasimi me Çadrën, përkundrazi, ligjërimi i saj në ditët e Çadrës ka qenë një majë për t’u përshëndetur e pse jo edhe për t’u përsëritur.

Të gjithë sot presim që dyshimet të davariten, që gabimet të bëhen plotësisht mësim dhe pësimet një strategji më e mirë.

Vetëm kështu njerëzit do të besojnë dhe shpresojnë se qëndresa e sotme e opozitës, është e vërtetë, e sinqertë, është synim për nisje të një epoke të re. Por thellësia e veprimeve duhet të shkojë edhe më tej.

Mjaft nga idetë e hedhura së fundmi mbi demokracinë brenda partive, mbi mënyrën transparente të zgjedhjes së kandidatëve më të mirë, mbi mënyrën e e përmirësimit kulturor dhe intelektual të përfaqësimit parlamentar, mbi përmbysjen e katapultuar të drejtësisë së re sorosiane, mbi taksat e ulëta dhe rritje rrogash e pensionesh etj.etj.

Duhet të bëhen pjesë e rëndësishme e një plani të fortë që të buçasë, që opozita duhet ta shpallë dita ditës në protestën e madhe kombëtare që nuk duhet të ketë kthim, por që nuk duhet nënvleftësuar gjithashtu se duhet prezantuar me shumë novatorizëm dhe gjallëri. Pasi rritja e besimit në qëndresë, në moslëshim si herën e shkuar të kauzës së lirisë, duhet të rrisë fort shpresën se kësaj here djalli i oligarkisë dhe pushtetit nuk do t’i afrohet më temjanit të zgjedhjeve për t’i manipuluar.

Aktualisht gjuha e letrave dhe e komunikimit të dikurshme e kryeministrore po ngurtësohet, ndryshe nga kohët kur me Pengun e fshehur në xhep kërkonte me demek dialog.

Pse kështu?!

Ku shkoi delikatesa dhe përulja e ditëve mbasi vidhte zgjedhjet e radhës dhe fillonte pseudo-qeverisjen me këto pushtete të grabitura?

Ku shkoi “dashuria” për opozitën” si në kohën e “kolerës” kur kishte neutralizuar me marifetet më të errëta, drejtuesin e opozitës?

A po venitet vallë nga heshtja e saj ulëritëse për ndryshim?

Mos vallë qëndresa kumbuese është zëri më i mirë i përgjigjes së mazhorancës së heshtur të shqiptarëve?

Askush nuk mund ta llogarisë veten të flasë në emër të popullit, edhe sikur të ketë fituar dy vjet më parë, pa lëre më që t’i ketë masakruar zgjedhjet si edhe ka ndodhur, pasi gjërat kanë ndryshuar, gjithçka nuk është si më parë, populli nuk është si më parë, por i etur për të dalë burrërisht dhe kokëfortësisht rrugëve.

Në këtë kuptim, nuk mund të flasësh në kohë të shkuar për një gjë që ka evoluar.

Në emër të parapëlqimit të popullit nuk mund të flitet si para disa vitesh, por duhet të flasësh sot, dhe sot populli po kërkon njëzëri, qoftë në rrugë, qoftë në shtëpi, qoftë duke bërtitur e qoftë në heshtje, vetëm një gjë: T’i jepet fund njëherë e mirë tranzicionit, rikthimit të demokracisë, ndalimit të pluralizmit dhe grabitjes së zgjedhjeve.

Nuk është as koha e as durimi ajo që rëndon mbi opozitën, por precedenti i një situate që nuk ka ndodhur kurrë më parë.

Ky është shpirti që trazon Kryeministrin, që guxon dhe kërcënon opozitën si diktator, që e ndalon dhe e privon atë nga e drejta kushtetuese në parlament e kudo.

Ndoshta do të tentojë të bëjë edhe një dekalog tjetër moral të mashtrimit dhe vetë-mashtrimit në kohët e ardhshme, siç bëri herët e shkuara, që ta ketë në të ardhmen si doracak për dalje nga krizat. Ndoshta edhe një ungjill lutës për shpëtim siç bëri në kohën e Çadrës kur dikush përtej oqeanit i bëri dhuratë atë, Mcgonigalin, kryeagjentin e fuqisë më të madhe botërore, për ta bllokuar rrugën e lirisë së opozitës në Shqipëri.

Në po të njëjtën mënyrë dikur Kryeministri iu drejtua kundërshtarëve të tij politikë, që “të mos e shajmë njeri- tjetrin anglisht” dhe nga ana tjetër, si në tragjedinë Makbeth, përgatiste në skutat e një bote të erret krimi dhe korrupsioni, vrasjen e një kundërshtari politik.

Në po të njëjtën mënyrë u lutej dikur studentëve, Kryeministri, dhe po njëlloj ata i përgjigjeshin se “nuk kemi përse të flasim”, ai duhej vetëm të bënte detyrat e shtëpisë së qeverisë, që atyre nuk u ishin realizuar.  Edhe fundin ne e dimë në të gjitha rastet. I kemi kësisoj precedentët.

Tashti pa lutje, pa Tryeza Dialogu, vetëm me përballje, pasi demokracia nuk ka përse dialogohet. Ajo është esenca, partitë janë vetëm të rrjedhura prej saj. Po ashtu edhe qeveritë, edhe kryeministri.

Kjo është beteja që duhet të kryejmë. Duhet të luftojmë për thelbin, jo për format e varura prej saj.

E thelbi ynë si demokraci janë zgjedhjet. Për këto ia vlen edhe të shuhesh si parti, pasi fryma e esencës, e thelbit, pra vetë demokracia do të dijë si ta ringjallë përsëri si feniksi nga hiri i vet.

Këtë mësim të pashlyeshëm nga historia opozita duhet ta ketë parasysh në çdo ditë që e afron me zgjedhjet parlamentare të 2025-s.

Qëndresa është durim, është pritje, është domosdoshmëri dhe shpresë.

About Redaksia

Check Also

Ti duhet të duartrokasësh…

Nga Boldnews.al Ti duhet të duartrokasësh SPAK-un. Ai është zemra e Reformës në Drejtësi, që u …