Nga Iva V.GRILLO
Kryeministri duhet të mbajë përgjegjësi që për një dekadë ka diskriminuar një rajon të tërë duke i mohuar investimet, vemendjen dhe kujdesin Shkodrës vetëm e vetëm se nuk ka votuar siç i intereson atij.
Deklaratat me lëvrime 20 milionë eurosh menjëherë sa iu rregullua humori kryeministrit gangster janë deklarata që vërtetojnë që ai e trajton buxhetin e shtetit si çiflikun e të atit … Këto janë deklarata që do të inkriminonin çdo zyrtar, i cili diskriminon në bazë të bindjeve politike qytetarët e tij, “en bloc”.
Ndoshta disa shkodranë edhe ekzaltohen kur dëgjojnë këto deklarata, të lodhur pas një dekade “thatësire” fondesh, por mos harrojnë se në thelb kjo nuk është gjë tjetër veçse një keqtrajtim dhe tallje që kryeministri u bën qytetarëve për të cilët e ka për detyrë të kujdeset, pavarësisht nëse e votojnë apo jo.
Shkodra e shkodranēt fisnikë kanë kontribuar e kontribuojnë fort për vendin e tyre dhe ata meritojnë shumë më tepër sesa të jetojnë nën diktatin e një kulçedre e cila u bllokon e lëshon “ujin”… sipas humorit të vet.