Nga Iva V.GRILLO
Ajo që quhet sot “Drejtësi e Re” nuk është gjë tjetër veçse një copë rreckë e cila përdoret për të mbuluar e maskuar egon, krimet dhe babëzinë për pushtet e pará të Kryeministrit e sektit të tij.
Kjo “rreckë” e katandisur si mos më keq, po përdoret gjithnjë e më shumë tashmë nga ky i fundit si një instrument propagandistik apo shantazhi, si një shpatë Demokleu e cila do t’u bjerë kokës gjithë “të paudhëve” që i zënë “udhën” (drejt pushtetit absolut) kryeministrit.
Fatkeqësia është se financuesit e sponsorizuesit e “Drejtësisë së Re” tashmë janë në pozicionin e Frankestein, të cilit i doli monstra e vet jashtë kontrollit…dhe nuk kishte më asnjë mundësi për t’a kontrolluar …
Në monstër është kthyer “Drejtësia”-rreckë, në monstër është kthyer dhe kryeministri shqiptar të cilit “Frankestein-et” modernë ia kanë krehur bishtin jo pak…për hir të interesave dhe balancave të tyre.
Tashmë në Shqipëri kanë filluar proceset gjyqësore popullore!
Janë të shëmtuara dhe alarmante, të qarta si drita e diellit që janë politike dhe persekutuese ndaj kujdo që i shkel në kallo sektit në pushtet.
Sponsorët e “Drejtësisë së Re” dhe krehësit e bishtit të një diktatoruci po shikojnë tashmë se ky i fundit jo vetëm që ua ktheu investimin e tyre në një copë rreckë, por tani nuk ka më as kohë e as nevojë të merret me ta.
Por ajo që po përvijohet qartë është fakti se kryeqeveritari shqiptar nuk ka asnjë urgjencë apo interes për t’u futur në BE.
Mesa duket, personalisht i del më mirë të rrijë tek pragu…aty ku nuk duhet të japë llogari… e herë luan gjyhnahqarin që nuk e qasin brenda, herë bëhet i rëndësishëm duke bërë allishverishe që nuk do ti bënte dot nga brenda BE-se…e herë qëllon nga jashtë me gur bamirësit e vet.
Sipas interesit personal…
Një tradhëti e pastër e aspiratave europiane të shqiptarëve dhe një kthim pas në drejtësinë politike te kohës se diktaturës.