Nga Mitro ÇELA
(“Një njeri i lirë, në se dështon, nuk fajëson askënd.” Xhozef Brodski, poet rus, fitues i çmimit “Nobel” )
PJESË NGA LIBRI
DHJETOR ’90-OLIMPI I DEMOKRACISË
Errësirë brenda errësirës
8 dhjetor 1990. E shtunë. Punoja në gazetën “Bashkimi”. Katër vjet më parë më kishin vënë “drunë’ nga “ZP”-ja. Gjatë ditës, më shumë tunda derën. Një çaj mali në bufenë e gazetarëve. Kafe? Nuk kishte dollarë për të importuar?! U ktheva herët në shtëpi. Mora makinën e shkrimit. Boshllëk. Asgjë për të shënuar, pikërisht në çastin kur për vendin kishin nisur tallazet që do të shembnin një diktaturë, edhe pse shtëpia ime ndodhet 2 kilometra larg Qytetit të Studentëve. Pse?
Pas krizës së ambasadave. Pas arratisjes së mijëra shqiptarëve drejt Evropës, duke hyrë më 2 korrikk 1990 në ambasada. Pas shembjes së Murit të Berlinit. Pas Gorbaçovit… Shqipëria nakatosej me ideologjinë marksiste. Kishte miq: Fidel Kastron e Kubës dhe Kim Ir Senin e Koresë së Veriut?! Errësirë brenda errësirës. TVSH dhe Radio Tirana-memece. “Zërin e Amerikës” – duke pasur lepurin në bark, e dëgjoje, por nuk e përtypje. E dëgjoje, por nuk e komentoje…
9 dhjetor 1990. E diel. Në mëngjes erdhi në shtëpi Irena. Studente.
-Mos ka pasur ndonjë rrëmujë nga Qyteti i Studentëve?- pyeta.
-Diçka kam dëgjuar. Por nuk di!
Ka të drejtë të mos dijë. Bota e saj është ushtari. E ka njohur që në shkollë të mesme. Sot? Ai është ushtar. Ajo studente. Kur studentët ngrenë krye, ajo është në krahët e ushtarit, nën kurorën e ndonjë pishe.
Lavdi Zotit edhe pyllin e ka afër…edhe jarani është në formë, sepse, për mungesë valute, nuk është importuar nga ajo esenca që hidhet në çaj dhe dobëson bateritë e ushtarëve…
Liria mbi barrikadë
11 dhjetor ‘90. E martë. Në mëngjes shkova në Qyetetin e Studentëve. Grumbull djemsh e vajzash. Ishte improvizuar një podium. Flisnin oratorë të ndryshëm, secili për hesap të vet. Dikush më tregoi një djalë me baluke, me xhakavento të zezë: është Azem Hajdari…
M’u afrua një student: “Profesor (unë jepja ekonomi në kurset e gazetarisë), ju jeni me ne?” Instinktivisht iu përgjigja:
-Përderisa jam këtu?!
Ishte fraza më pa kuptim që mund të thuhej.
Pashë kryeredaktorin e “Zërit të popullit” Spiro Dede. E kishin rrethuar studentë. Dukeshin armiqësorë. U afrova.
-Pse nuk botoni informacion për ne? Pse shqiptarët duhet ta dëgjojnë të vërtetën nga “Zëri i Amerikës”?
Në mikrofon u dëgjua një zë. “Është Sali Berisha, -tha një student.- E njoh doktorin se jam student nga Tropoja”…“Kam ardhur këtu si miku juaj…” Midis studentëve pati shënja mosaprovimi…
Pastaj foli Hamit Beqja. Një fjalim i gjatë. Pa pika e presje. As mish, as peshk.
… “Xhaketë e kthyer,-tha dikush… ‘‘Nuk u ngop së foluri ky njeri, xhanëm…”
Ramiz Alia përballë studentëve
11 dhjetor. E martë. Në orën 16 shkova në Qytetin e Studentëve I shoqëruar nga gazetari Gëzim Sinemati. Rrugës mora vesh se ishte mbledhur Plenumi i KQ të Partisë. Kishte pasur debate të forta. Ishin shkarkuar 7 anëtarë të Byrosë Politike. Me dy vota kundër-Spiro Koleka dhe Shefqet Peçi-Plenumi kishte vendosur të lejohej pluralizmi. Dhe së fundi nga radha, por jo nga rëndësia: Shoku Ramiz Alia do të takohej me një përfaqësi të studentëve.
Ora 20.00:
Në autobus hipën përfaqësuesit e studentëve. Ne shikonim gjithë ankth rrugën. Shoferi e preu timonin majtas. Në turmë u shtua ankthi. Pas disa minutash, dikush tha: “Autobuzi u fut në Pallatin e Brigadave”…Natë. Errësirë. Kallkan. Mijëra njerëz kodrave të Qytetit të Studentit. Shumica studentë. Bashkë me ta, prindër. Kishte punëtorë nga kombinati i autotraktorëve “Enver Hoxha”. Tipografë. Qytetarë nga Tirana, por edhe nga Durrësi, Shkodra, Kavaja… Thirrje në kor. Poshtë diktatura! Enver-Hitler! Poshtë dinastia! Nga parullat në këngë. Korale. Motive patriotike: “Se mjaft në robëri, o e mjera Shqipëri”…
Presidenti Ramiz Alia në mes. Në një krah Skënder Gjinushi, ministër i arsimit. Në anën tjetër Lisen Bashkurti, sekretar i parë i Rinisë. Përballë studentë e pedagogë. Qetësi. Frymëmarrje të tensionuara. Akullin e theu Presidenti:
-Do më dëgjoni mua një herë dhe pastaj të flisni ju…Sot ishte një mbledhje e Plenumit të partisë…Desha tju njoftoj për çka u vendos. Së pari, në qershor 1991 të mblidhet kongresi I 10-të I Partisë së Punës …Së pesti, të lejohet krijimi i organizatave politike të pavarura…
Pauze. I pari u ngrit Arben Demeti…Pastaj Arben Imami, Azem Hajdari, Zef Brozi, Tefalin Malshyti, Shenasi Rama, Arben Meçe, Blendi Goxhe, Ardian Petrollari, Edmond Budina, Mimoza Ferraj, Arben Lika…Kaluan rreth tre orë. Autobusi mori rrugën për në Qytetin e Studentëve. Në podium u ngjitën me radhë disa oratorë: Berisha, Imami etj. Kudo thirrje entuziazmi. Tha Pashko:
-Në magnetofon do të vëmë kasetën ku është incizuar biseda me Ramiz Alinë. Ju dëgjojeni!- tha.- Ne do të mblidhemi, sepse do të hartojmë programin e Partisë…
Ata kaluan para meje. Në fillim urova Pashkon. “Mitro, hajde! Do të punojmë për programin,- më tha.- Mendoj se do të na nevojitet përvoja jote.” Pastaj takova Imamin, Berishën etj.
-Pse nuk shkon, -më tha Gëzim Sinemati,- m’u duk sikur të ftuan me gjithë zemër.
-Nuk kam të drejtë të shkoj! Këta kanë tri ditë që luftojnë. Ndërsa unë kam rrufitur kafe të ngrohtë…
Çfarë kishte ngjarë? Dy – tre javë më parë se të se të fillonte lëvizja studentore, në Qytetin Studenti qarkullonte një letër “top secret”. Kishte dy qëllime. Së pari, të firmosej. Së dyti, të krijohej: “ Organizata e studentëve dhe intelektualëve të rinj.” Këto ide, ishin hedhur nga një grup studentësh dhe pedagogësh të godinës 15-të. Javën e parë të dhjetorit 1990, ishin mbledhur tek shtepia e Gramoz Pashkos: Eduart Selami, Aleksandër Meksi, Sali Berisha, Azem Hajdari, Genc Ruli. Debate. Me bereqet dhe pa bereqet. Mbi të gjitha shkëlqeu një batutë e Aleksandër Meksit: “Lërini budallallëqet! Në asnjë vend të botës nuk ka parti studentësh…” U diskutuan dy variante: Parti Demokratike apo Lidhja Demokratike. Mbeti varianti I parë, sepse Lidhja Demokratike bënte një farë dualizmi me Lidhjen Demokratike të Kosovës.