Kryetari i PD, Sali Berisha tha në mbledhjen e Këshillit Kombëtar se, këto dy vite ne kemi prishur rehatinë, kemi tronditur gjer në palcë Edi Ramën, narkokraturën e tij sepse kemi treguar të vërtetën.
“Por pse gjithë kjo luftë kundër Sali Berishës? Pse po ndodh ky agresion dyvjeçar ndaj opozitës?
Pse ky regjim është i tmerruar kaq shumë nga opozita sa janë të gatshëm të shkatërrojnë pluralizmin, Kushtetutën, parlamentin, drejtësinë, vetëm e vetëm për të na luftuar ne?
Është e qartë, këto dy vite ne kemi prishur rehatinë, kemi tronditur gjer në palcë Edi Ramën, narkokraturën e tij sepse kemi treguar të vërtetën.
Opozita luftohet sepse kur qeveria u cian veshët qytetarëve se Shqipëria është Europa e Ballkanit, të kujton Sulltan Hamitin kur thoshte se shqiptarët janë otomanët e Europës.
Kjo është e vërtetë vetëm për Edi Ramën, parajsa. Për ministrat e tij, sojin e tij, zyrtarët makutë që pasurohen dhe vjedhin çdo natë dhe ditë. Kurse është krejt tjetër për qytetarët dhe veçanërisht për të rinjtë. Nga kjo parajsë kanë ikur 1.3 milionë shqiptarë në 9 vite”, tha Berisha.