Genc Gjokutaj, avokat i kryetarit të PD, Sali Berisha, në një dalje për mediat reagoi ndaj masës së kërkuar nga SPAK për “arrest shtëpie” me mbikëqyrje policore.
“Seanca e sotme kishte të bënte me kërkesën e SPAK-ut për zëvendësimin e masës së sigurimit ndaj z. Berisha në “arrest shtëpie”.
Në fillim të seancës ne i kërkuam gjyqtares të jepte dorëheqjen në shkakun e bërë tashmë të ditur për shkak njëanshmërie. Ajo nuk u shpreh as pro, as kundër, ndërkohë që përpara seancës ne e kishim dorëzuar në Sekretarinë e Gjykatës, kërkesën me të gjitha provat që provojnë faktin se z. Berisha ka qenë kryetar i KLD, kur në shkurt të vitit 1996 gjyqtarja e çështjes ishte shkarkuar.
Nga ana e prokurorëve vijoi seanca, pavarësisht se ne kishim bërë kërkesën për përjashtim deri në momentin kur shteruan kërkesën prokurorët dhe ne bëmë një set pyetjesh, për të cilat ata bënë sikur dhanë përgjigje, por në fakt ato përgjigje nuk u dhanë.
Kërkesa e prokurorëve qe shoqëruar me prova për të cilat ne kërkuam të njiheshim dhe gjykata vendosi shtyrjen për nesër në orën 11 të seancës, mbasi të mbarojë dhe njohjen me aktet tona dhe besoj dhe kërkesa për përjashtim.
Ajo që unë dua të denoncoj në paligjshmërinë e kërkesës së prokurorëve është që ndryshimi i masës së sigurimit është kërkuar me mbikëqyrje policore, pra “arrest në shtëpi” me mbikëqyrje policore e pambështetur në ligj, çka tregon edhe njëherë qëllimin e SPAK-ut dhe të kësaj gjykate jo për të bërë një proces të ligjshëm, por për t’u hakmarrë për nevoja jo ligjore”, tha avokati Gjokutaj.
Pyetje: Z. Gjokutaj, ju keni kërkuar përjashtimin e znj. Irena Gjoka për njëanshmëri duke thënë se është shkarkuar në vitin 1996 nga z. Berisha, por gjashtë muaj më pas ajo është futur prapë në sistem dhe ka rifilluar detyrën po në kohën e z. Berisha. A keni ju një qëndrim për këtë?
Av. Gjokutaj: Kjo nuk është e vërtetë. Znj. Maneku-Gjoka ka filluar në vitin 1998 dhe është ezauruar kjo pjesë.
Pyetje: A do të paraqiteni nesër në seancë?
Av. Gjokutaj: Ne?! Po kur kemi munguar ne ndonjëherë?! Patjetër që do të paraqitemi!