Degjenerimi i pushtetit në Shqipëri!

Shqipëria, një vend që synon integrimin në Bashkimin Evropian, është tashmë në një udhëkryq  demokratik dhe ligjor. Qendra e kësaj situate të tensionuar është trajtimi i z. Sali Berisha, faktor kryesor i opozitës shqiptare. Megjithëse Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK) ka marrë mbështetje dhe inkurajim nga shqiptarët për luftën e saj kundër korrupsionit, ka shqetësime serioze lidhur me drejtësinë e cunguar dhe standardet e dyfishta të zbatuara ndaj individëve të ndryshëm me pushtet.

Publiku shqiptar po bëhet gjithnjë e më skeptik mbi paanshmërinë e hetimeve të SPAK dhe përdorimin e tyre për qëllime politike. Konfliktet e interesit, shkeljet proceduriale dhe nxitimi për të bërë zhurmë, kanë krijuar hije dyshimi të forta mbi këtë institucion. Këto akte jo vetëm që cenojnë besimin ndaj institucioneve, por rrezikojnë edhe vetë themelin e demokracisë në vend.

Ky kontekst ka shkaktuar një krizë të thellë në Shqipëri, e cila po përhapet edhe në kontekstin ndërkombëtar, duke ndikuar negativisht edhe në procesin e zbatimit të ligjeve që lidhen me integrimin e vendit në Bashkimin Evropian.

Sulmet e qeverisë ndaj opozitës, përdorimi i përçarjes dhe asfiksimi i zërit parlamentar si rasti i kryetarit të saj z Sali Berisha janë bërë shumë të dukshme. Më shqetësuese është mungesa e llogaridhënies dhe kontrollit të pushtetit, si dhe mos-përcaktimi i kredencialeve zyrtare të partisë më të madhe opozitare. Këto janë sinjale alarmi për rrëshqitjen e vendit në një autokraci, ku qeveria kontrollon të gjitha pushtetet.

Institucionet ndërkombëtare të akredituara në vend si dhe ajo pak shoqëri civile duhet të reagojnë dhe dënojnë me ashpërsi përqëndrimin e pushtetit dhe privatizimin e qeverisjes. Kjo situatë jo vetëm që kufizon lirinë e fjalës dhe të drejtat politike, por gjithashtu dëmton imazhin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

Është koha që shqiptarët të mos jenë më vetëm vezhgues pasivë të prozhektorit të propagandës shtetërore. Fjala e publikut është e rëndësishme dhe Shqipëria meriton një qeverisje më transparente dhe të drejtë. Ndihmë do të ishte Vota e Diasporës, e cila është një mekanizëm për të demokratizuar vendin, por në momentet kur një pjesë e shqiptarëve brenda vendit të intimiduar nga pushteti nuk guxon të flasë, është detyrë e diasporës të ngrihet zëri në favor të mendimit të lirë dhe të reagohet me të gjitha mënyrat demokratike! Vetëm kështu vendi mund të ecë përpara drejt një të ardhmeje më të ndritur dhe të sigurtë.

Dhurata ndaj të gjithë shqiptarëve, si kartolinë e ndërrimit të viteve nuk ishte hapja e kapitujve negociues me Bashkimin Evropian, por hakmarrja politike në momente festive për të gjithë shqiptarët. Kriza aktuale politike dhe ligjore në Shqipëri kërkon vëmendje dhe veprim të menjëhershëm.

Besmir Dervishaliu
Ekspert Komunikimi/Politolog

About Redaksia

Check Also

Pakësimi i popullsisë është kërcënimi më i madh për t’u asgjësuar si komb!

Nga Enver BYTYÇ! Mundet që një vend të pushtohet edhe nga një pushtues i egër. …