Në protestën e radhës poshtë shtëpisë ku qëndron i izoluar me urdhër të gjykatës speciale, Sali Berisha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se qëndron pas ndërmarrjes për ta eleminuar opozitën e drejtuar nga ai vetë.
“Pasi vendosi mediat në kontroll oruellian, pasi rrëmbeu me makinën e terrorit dhe industrinë e blerjes votën e shqiptarëve, ai u vërsul edhe asaj që kishte mbetur nga opozita, 600 mijë shqiptare. Rama u vërsul se kuptoi se ka iku koha e betejave të tradhtuara. Ka ikur koha e opozitës së kontrolluar. E kuptoi se opozita me të drejtën e saj doli në shesh, nisi betejë, betejë pa kthim” u shpreh Berisha para qindra protestuesve që ishin mbledhur në rrugën Mustafa Matohiti.
Por në planet për të goditur opozitën, Berisha bëri bashkëpuntor të Ramës edhe prokurorët e SPAK, që sipas tij janë thjesht disa mercenarë pa dinjitet të pushtetit. Si provë që prokurorët e SPAK i binden Ramës, ai solli mbylljen e dosjes 339 me përgjimet e Vangjush Dakos për zgjedhjet në Durrës, mbylljen e dosjes 184 me përgjimet e Ramës për zgjedhjet në Dibër dhe së fundmi, heshtjen për autokolonën e Bajrave në zgjedhjet e 14 Majit në Shkodër.
“Keni dëgjuar shumë gjera për zgjedhje dhe fushata. Por e vërteta është se me Edi Ramën kurrë zgjedhje të lira nuk ka. E patë vetë zgjedhjet në Shkodër se si autokolona e blinduar e mafias së Edi Ramës terrorizoi Rozafën e lirisë së shqiptarëve. I keni dëgju vetë regjistrimet se si Edi Rama, ministrat e tij, drejtuesit e policisë, kryetarët e bashkisë drejtonin grabitjen e votës së shqiptarëve.
Për një moment pyesni veten: Çfarë ndodhi me dosjen 184? Çfarë ndodhi me dosjen 339? CFarë ndodhi me autokolonën mizore të Bajrave që mbillnin terror në qytetin e lirisë? Çfarë ndodhi me këto? Asgjë.
Pse asgjë ? Se Edi Rama ka përzgjedhur në SKAP-in e partisë vrasës të dytë të votës tuaj. Miqtë e mi jam ish-kryeministër, ish-president, gjithë jetën time jam përulur me nderim para çdo punonjësi që ka zbatuar ligjin, kurse sot shqiptarët përballen me një bandë mercenarësh, me kriminelë që paguhen më shtrenjtë se çdo president në rajon dhe paguhen vetëm për të firmosur vjedhjen e votës nga Edi Rama, për të firmosur karrigenn e tij në pushtetin e krimit. A mund të pranohen këta si të tillë? A mund të pranohen këta zamanë dhe damanë? Këta janjë njësoj si Bajrët, këta janë njëlloj si banditët e tjerë. Janë njëlloj si banditët e tjerë që terrorizojnë shqiptarët dhe bëhen mburojë e tyre para ligjit dhe kanë moral ky grusht horrash të shiten si njerëz të ligjit para jush. Asgjë nuk kanëme ligjin këta janë mercenarë të Edi Ramës, armiq të egër të dinjitetit tuaj, armiq të egër të të ardhmes tuaj!” u shpreh Berisha.