Ambasada e SHBA dhe Delegacioni i BE në Tiranë kanë reaguar në lidhje me deklaratat e Lulzim Bashës se “ndërkombëtarët kanë ndërhyrë në çështjet e Reformës Zgjedhore”. Në reagimet e ndërkombëtrarëve thuhet se, nuk jemi përfshirë në asnjë ndërmjetësim, reforma zgjedhore kërkon dialog politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës të të gjitha palëve.
Ambasada e SHBA ka reaguar në lidhje me deklaratat e Lulzim Bashës se ndërkombëtarët kanë ndërhyrë në çështjet e Reformës Zgjedhore. Basha tha se “në bashkëpunim me aleatët strategjik të Shqipërisë, Partia Demokratike ia ka dalë të bindë palën tjetër për nisjen e punës për reformën zgjedhore”.
Ambasada thotë për News24 se takimet me anëtarë të parlamentit janë pjesë e angazhimit diplomatik, por thekson se “nuk janë pjesë e ndonjë ndërmjetësimi”.
Ambasada gjithashtu sqaron se interesi i tyre mbetet për ‘qeverisje të efektshme dhe përfaqësuese për të zbatuar rekomandimet e ODIHR-it dhe mirëpresim idetë e të gjitha partive të përgjegjshme për këtë qëllim’.
Pyetje: Z. Basha pas seancës plenare, në një deklaratë për mediat, njoftoi se me ndihmën e Ambasadës suaj, ka bindur PS që të arrijë dakordësin me Enkelejd Alibejan (bashkëkryetar I Reformës Zgjedhore) për Reformën Zgjedhore. A mund të konfirmoni nëse keni ndërmjetësuar ju dakordësinë që Lulzim Basha pretendon se është arritur mes Damian Gjiknurit dhe Enkelejd Alibeaj? A mund të na jepni detaje mbi negociatat e zhvilluara.
Përgjigja e Ambasadës së SHBA
Si pjesë e angazhimit tonë normal diplomatik me anëtarë të parlamentit, Ambasada e SHBA takohet rregullisht me kryetarë, bashkëkryetarë dhe anëtarë të komisioneve të ndryshme parlamentare, përfshi Komisionin për Reformën Zgjedhore. Takimet nuk janë pjesë e ndonjë ndërmjetësimi. Interesi ynë mbetet për qeverisje të efektshme dhe përfaqësuese për të zbatuar rekomandimet e ODIHR-it dhe mirëpresim idetë e të gjitha partive të përgjegjshme për këtë qëllim.
BE përgënjeshtron Bashën: Nuk jemi përfshirë në asnjë ndërmjetësim!
Delegacioni i BE në Tiranë ka reaguar në lidhje me deklaratën e Lulzim Bashës së ndërkombëtarët kanë ndërhyrë në çështjet e Reformës Zgjedhore.
Në një reagim për gazetarin e News24, Osman Stafa, ata janë shprehur se nuk janë përfshirë në asnjë ndërmjetësim dhe kanë theksuar nevojën për të ndjekur rekomandimet e OSBE/ODIHR
Basha pas seancës së sotme plenare, në një deklaratë për mediat, njoftoj se me ndihmën e Ambasadës suaj, ka bindur PS që të arrijë dakorësinë me Enkelejd Alibejan (bashkëkryetar i Reformës Zgjedhore) për Reformën Zgjedhore. A mund të konfirmoni nëse keni ndërmjetësuar ju dakordësinë që Lulzim Basha pretendon se është arritur mes Damian Gjiknurit dhe Enkelejd Alibeaj? A mund të na jepni detaje mbi negociatat e zhvilluara.
Përgjigja
Në përgjigje të raportimeve që qarkullojnë në media, dëshirojmë të sqarojmë se ndërkohë që BE-ja nuk është e përfshirë në asnjë ndërmjetësim, qëndrimi ynë mbetet i njëjtë: vazhdojmë të theksojmë nevojën për të ndjekur rekomandimet e OSBE/ODIHR. Siç e kemi thënë edhe më parë, përfshirë edhe Raportin e vitit 2023 për Shqipërinë, reforma zgjedhore kërkon dialog politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës të të gjitha palëve.