Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka regjistruar ankimin e kryetarit të PD-së, Sali Berisha për zëvendësimin e masës së sigurisë dhe përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka, e cila është në konflikt interesi me vendimin politik të dhënë kundër kryedemokratit.
Kreu i PD-së, Sali Berisha kundërshton masën e sigurisë ‘Arrest shtëpie’ dhënë në 30 dhjetor 2023, si dhe mospërjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka, e cila ndodhet në konflikt interesi.
Kujtojmë se gjyqtarja Irena Gjoka është përjashtuar nga Sali Berisha në vitin 1996 për korrupsion gjatë kohës që ka qënë Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Ankimet e Berishës do të gjykohen nga gjyqtarja Iliriana Olldashi.
Njoftimi i Apelit të GJKKO
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar regjistroi çështjen penale nr. 27 akti, datë 16.11.2023 regjistrimi, mbi ankimin e personit nën hetim S.B. me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 520, datë 30.12.2023 (disponuar mbi kërkesën për zëvendësimin e masës së sigurimit personal) dhe vendimit nr. 521, datë 27.12.2023 (disponuar mbi kërkesën për përjashtim gjyqtari) të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”.
Sipas shortit, trupi gjykues monokratik përbëhet nga gjyqtarja Iliriana Olldashi.