Ilir Beqaj, është fermeri më i madh në Bashkinë e Finiqit, me afro 25 hektarë agrume, ullishte, vreshta, sera perimesh e linja prodhimi prodhim vaji, pijesh, lëngjesh. Ilir Beqaj ka krijuar fermën “Albania Ionian Coast Olive Oil” në 11 hektarë toka në Finiq; ku gruaja e tij Adriana Beqaj ka legalisht 55% pronësi, ndërsa 45%, i ka maskuar pas menaxherit të tij Kristi Sinani dhe te e ëma Renata Sinani.
Por denoncime e dokumente të tjera zyrtare, dëshmojnë se Ilir Beqaj ka edhe një fermë tjetër në Finiq, të quajtur “Agro-Isaku”, me të njëjtin aktivitet, në të njëjtën adresë dhe më të njëjtët ortakë që është te ferma “Albania Ionian Coast Olive Oil-AICOO”.
Në fermën “Agro-Isaku”, Ilir Beqaj, ka 70% të pronësisë, të maskuar pas Kristi Sinanit, ortakut të gruas te ferma tjetër “Albania Ionian Coast Olive Oil-AICOO” në Finiq; por edhe këtu, Kristi Sinani ka aksione në emër të tij e të Johana Sinani dhe nga 5% disa familjarë të tyre.
Këtë fermë, Ilir Beqaj e ka hapur më 9 janar 2019, ose dy javë para hapjes së restorantit “Gzona” te Kalaja e Tiranës; ndërsa pas 6 muajsh, më 13 qershor 2019 hapi fermën tjetër “Albania Ionian Coast Olive Oil-AICOO” po në Finiq, të cilën e ka regjistruar në emër të gruas.
Në fermën “Agro- Isaku Sh.p.k”, ortak me Ilir Beqjen në vlerën 5% aksione, është dhe Llambro Zhupaj, pronari i firmës së ndërtimit “Gjozeza Sh.pk”, i cili po ndërton hotelin me 6 kate të Ilir Beqjes, buzë detit te zona turistike pranë Portit të Peshkimit në Sarandë.
Nuk është rastësi, që më 12 prill 2021, ose 8 muaj para se Ilir Beqaj të merrte lejen e ndërtimit të hotelit dhe 1 muaj para nisjes së punimeve, asambleja e fermës “Agro-Isaku”, ka miratuar që 5% aksione të Lediana Murtos, mikeshë e Adriana Beqajt, t’i dhurohen Llambro Zhupajt, ndërtuesit të hotelit të Ilir Beqajt në Sarandë.
Përveç administratorit, adresës fizike e zyrtare, e-mail-eve, telefonave, ekspertëve kontabël e ortakëve të njëjtë; në aksionet e fermës “Agro- Isaku Sh.p.k”, është bërë një çorbë transferimi aksionesh me akte-dhurimi brenda personave të lidhur familjarisht e në interesa me Ilir Beqajn dhe gruan e tij, që krijon dyshime se ish ministri ka 100% të pronësisë edhe në këtë fermë.
Konkretisht, më 9 nëntor 2022, Blerina Gjolleshi, Zamira Poçi e Gersi Poçi, mikesha të Adriana Beqajt, dhurojnë 15% aksione te Ismail Sinani, babai i Kristi Sinanit dhe burri i Renata Sinanit, ortakë të Adriana Beqajt te ferma tjetër “Albania Ionian Coast Olive Oil-AICOO” po në Finiq.
Shefki Poçi e Llambro Zhupaj, ndërtuesi i hotelit të Ilir Beqajt, i dhurojnë nga 4.5% aksione Kristi Sinanit; ndërsa Dritan Kulla dhe Lediana Murto, i dhurojnë nga 4.5% aksione Johana Sinanit; por kujtojmë, që të gjithë këta jetojnë e punojnë në Tiranë, ndërsa emrin e kanë fiktivisht te dy fermat e Ilir Beqajt./Pamfleti