Kur premtonin drejtësi të re, socialistët, por edhe ndërkombëtarët, na thanë se ajo nuk do të varej askund. Me pavarësi të drejtësisë, vetëkuptohej se sistemi i ri do të ishte i pakapur politikisht. Jo më kot, kudo në sondazhe, pasqyrohej një mbështetje e madhe nga qytetarët për sistemin e ri të drejtësisë.
Prandaj foto e kryetarit të Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushit, që ka lidhur në qafë shallin e kuq të pionerit dhe pozon i përqafuar me socialistët e Vlorës tregon se nën rrogozin e propagandës për një sistem të ri drejtësie të pavarur, socialistët fshihnin një qëllim tjetër: zëvëndësimin e njerëzve të Berishës me njerëzit e Ramës.
Dhe tani që po hyjnë në vitin e 11 në pushtet, as nuk e fshehin më.
Foto është publikuar nga ish-deputeti i PD-së Fatos Hoxha, i cili ka marrë shkas nga një fjalim i Edi Ramës që kërkonte drejtësi për 21 Janarin. Në fjalën e tij para familjarëve të të vrarëve në 21 Janar, Edi Rama iu referua një vendimi që priste të merrte Gjykata e Lartë në 27 shkurt.
“Një datë e shpallur nga Gjykata e Lartë e Shqipërisë, 27 shkurt 2024. Pak më shumë sesa një muaj prej sot, do të marrim vesh nëse dosja e gjakut të “21 janarit” do t’i kaloj për shqyrtim SPAK-ut për të hapur për së mbari hetimi e krimit shtetëror në bazë të vendimit të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut apo do të vazhdojë të mbetet e mbyllur për Zoti e di sesa kohë akoma nën barkun e madh të Prokurorisë pa shtyllë kurrizore të rrethit gjyqësor të Tiranës”, u shpreh kryeministri.
Në vendimin që do të marrë gjykata e Sokol Sadushit, do të caktohet nëse vrasja e Aleks Nikës duhet hetuar nga Prokuroria e Tiranës apo nga Prokuroria Speciale (SPAK). Në rast se gjykata e Sadushit vendos që hetimet t’i kryejë SPAK, atëherë objekt i hetimit do të jenë zyrtarët e lartë të asaj kohe, si ish-kryeministri Sali Berisha, ish-ministri i brendshëm, Lulzim Basha etj.
SPAK e ka dhënë një përgjigje që nuk e ka në kompetencë hetimin e vrasjes së Aleks Nikës. Sipas Altin Dumanit, vrasja është kompetencë e Prokurorisë së Tiranës, pasi nuk ka prova konkrete që Sali Berisha apo Lulzim Basha të kenë dhënë urdhër për vrasjet.
Në një letër për familjarët e viktimave, Altin Dumani u shpreh i gatshëm të hetojë këdo për të cilin ka prova, por për momentin sipas tij, çështja i takon Prokurorisë së Tiranës.
“Nëse në vijim të verifikimeve apo hetimeve, do të konstatohet ekzistenca e ndonjë vepre penale apo subjekt në kompetencë hetimi sipas nenit 75/a të Kodit të Procedurës Penale, atëherë aktet e procedimit penal të dërgohen për kompetencë lëndore në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, referuar dhe nenit 28 të Kodit të Procedurës Penale”, shkruante Dumani vitin e kaluar.
Përgjigjia është e njëjta që morën Ulsi Manja dhe Damian Gjiknuri që kishin kërkuar të njëjtën gjë. Tani kërkesa është përsëritur nga Edi Rama, që thotë se qëndrimi i juristëve duhet të ndryshojë nga vendimi i fundit i Gjykatës së Strasburgut, sipas të cilit vrasja e Aleks Nikës ishte një krim shtetëror.
Nëse SPAK deri tani nuk ka pasur se si t’i bindet Edi Ramës, duket se atë do ta detyrojë gjykata e Sokol Sadushit.
Përfitimet e Sadushit nga sistemi që propozoi vetë
Sokol Sadushi është akuzuar vazhdimisht nga opozita për shërbimet që i ka kryer socialistëve në pushtet, apo për lehtësirat që ka përfituar nga procesi i vetingut.
Ai u zgjodh kryetar i Gjykatës së Lartë në tetor të vitit të kaluar. Para se reforma në votohej në Kuvend, ishte një nga ekspertët që hartuan Kushtetutën për sistemin e ri të drejtësisë dhe që u mbështetën nga Partia Socialiste.
Me ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë, përfitoi duke u katapultuar në Gjykatën e Lartë, megjithëse i kishte shkruar vetë dhe i kishte propozuar vetë ligjet dhe funksionimin e institucioneve.
Ndryshe nga shumica e gjyqtarëve dhe prokurorëve të tjerë, Sokol Sadushi nuk iu nënshtrua një kontrolli të pasurisë dhe të figurës si gjyqtar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Ai e kaloi vetingun përmes një kontrolli të Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Ky lloj kontrolli konsiderohet një procedurë më e lehtë se sa skaneri i imtësishëm i pasurisë që kryen Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Më vonë, kur bashkëshortja e tij iu nënshtrua vetingut, trupa e KPK gjeti probleme me pasurinë e Sokol Sadushit, por tashmë ai e kishte kaluar “vetingun”.
Përqafimi i Sadushit me socialistët nuk vjen surprizë. Falë punës së drejtësisë së re, opozita është deformuar në mënyrë thelbësore, megjithatë është një provë tjetër më e qartë në sytë e shqiptarëve se kur besuan një drejtësi të pakapur politikisht po i bënin për budallenj./Lapsi.al
Çfarë thotë ‘Kodi i Etikës Gjyqësore
Kryetari i Gjykatës së Lartë Sokol Sadushi është shfaqur ditën e djeshme si një komunist i devotshëm.
Ai është shfaqur në rrjetin social në Facebook me shallin e kuq komunist në qafë si pioner me simbolikat e rilindjes trashguar nga Partia e Punës.
Në vend që të ishte i paanshëm, të paktën publikisht meqë ja kërkon detyra që ka marrë (pasi jo publikisht, dihet se kujt i bindet) Sadushi ka dalë dje hapur e duke na thënë se kë mbështet si në detyrën e tij publike, por edhe në ato shoqërore.
Edhe gjatë fjalës së djeshme në tubimin qytetar pranë shtëpisë së tij , kryetari i PD-së, Sali Berisha e akuzoi Sadushin si komisar politik që kërcënon avokatët.
Por nëse e shikon me vëmendje, kjo sjellje e gjyqtarit Sadushi bie në kundështimin të hapur edhe me vendimin numër 171 i viti 2021 nxjerrë nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, që bën fjalë për Kodin e Etikës Gjyqësore.
Aty thuhet shprehimisht, në pjesën e “Parimeve Bazë të Kodit të Etikës Gjyqësore” në nënçeshtjen Ç, “Parimi i Sjelljes së Hijshme dhe me vetpermbjatje”, në pikën g’, se gjyqtari, “duhet të shmangë shfaqjen e bindjeve të tij politik, edhe pse ai si çdo qytetar gëzon të drejtën për të pasur të tillë”.
Por Sadushi me daljen e tij publike me shallin e kuq komunist në qafë tregon se nuk pyet as për ligjin por as për kodin e Etikës publikuar me bujë vetëm 2 vjet më parë.