78% e votuesve kundër qeverisë për vendosjen e tatimit mbi profesionet e lira

Një sondazh i zhvilluar nga Monitor ka treguar se për shumicën e pjesëmarrësve regjimi i ri fiskal për profesionet e lira nuk është i drejtë.

41% e pjesëmarrësve në sondazh janë shprehur se ky regjim i ri nuk është i drejtë, pasi krijon paqëndrueshmëri fiskale dhe dizavantazh konkurrues.

Pothuajse 37% e votuesve në sondazh gjithashtu mendojnë se regjimi i ri fiskal nuk është i drejtë, por me argumentin se profesionistët e lirë nuk duhet të diferencohen nga bizneset e tjera të vogla në vend, që deri në vitin 2029 do të vazhdojnë të jenë të përjashtuar nga tatimi mbi të ardhurat.

Në total, 78% e votuesve në sondazh e vlerësojnë të padrejtë aplikimin e tatimit në masën nga 15% deri në 23% për profesionistët e lirë.

Vetëm 22% e votuesve janë të mendimit se regjimi i ri fiskal është i drejtë, sepse edhe profesionistët e lirë duhet të paguajnë tatime, ashtu siç paguajnë homologët e tyre të punësuar dhe punëmarrësit në përgjithësi.

Që nga 1 janari 2024, profesionistët e lirë në Shqipëri me të ardhura vjetore deri në 14 milionë lekë do të paguajnë tatim mbi fitimin në shkallën 15%. Fitimi i tatueshëm do të llogaritet duke zbritur nga të ardhurat totale një vlerë të njohur shpenzimesh në masën 30%, ose në rast të kundërt duke mbajtur kontabilitet të plotë të ardhurave dhe shpenzimeve.

Ndërkohë, profesionistët e lirë me xhiro me qarkullim vjetor mbi 14 milionë lekë do të tatohen në masën 23% të fitimit.

Sipas një shkrese të dërguar në janar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për tatimpaguesit që janë subjekt i ndryshimeve ligjore, për llogaritjen e tatimit paraprak të vitit 2024, do të përdoren të dhënat që kjo kategori biznesesh do të deklarojnë për të ardhurat dhe shpenzimet e 2023.

Të dhënat e deklaruara për të ardhurat, shpenzimet dhe fitimin e tatueshëm, që bizneset do të deklarojnë për vitin e kaluar do të jenë më tej objekt i vlerësimit nga Administrata Tatimore për përllogaritjen e tatim fitimit paraprak gjatë vitit 2024.

Kjo skemë është e njëjtë me atë që përdoret për bizneset e mëdha, të cilat e parapaguajnë tatim fitimin bazuar në fitimet e viteve të mëparshme.

Sipas vlerësimeve të Ministrisë së Financave, skema e re e tatimit të profesioneve të lira do të prekë gjithsej rreth 29 mijë subjekte.

Sipas relacionit të projektbuxhetit 2024, të ardhurat e programuara në buxhet nga kjo kategori janë parashikuar në rreth tre miliardë lekë.

About Krye Redaktor

Check Also

Shqiptarët të zhytyr në varfëri, produktet bazë kushtojnë më shumë se në Europë

Një analizë krahasuese e çmimeve e zhvilluar nga “Monitor” në 52 produkte ushqimore, të kujdesit …