Edukimi, çelësi i zhvillimit të qëndrueshëm në një vend

Nga Klodian XHYHERI

24 janari, Dita Ndërkombëtare e Edukimit

Edukimi është çelësi i zhvillimit të qëndrueshëm në një vend.

Arsimi mbetet ende një sfidë për arritjet universale.

Arsimi u ofron fëmijëve një shkallë për të dalë nga varfëria dhe një rrugë drejt një të ardhmeje premtuese.
Por rreth 244 milionë fëmijë dhe adoleshentë në mbarë botën janë jashtë shkollës; 617 milionë fëmijë dhe adoleshentë nuk mund të lexojnë dhe bëjnë matematikë bazë.

Pa u marrë shumë me arsimin në botë, dua t’i kthej sytë nga arsimi në vendin tim. Mjerisht arsimi në vendin tonë këto vite ka bërë hapa prapa.

Referuar rezultateve të programit “PISA 2022”, Shqipëria është renditur në vendin e 62, ndër 80 vendet që kanë marrë pjesë në testim. Kujtojmë që në rezultatet e testimit për programin “PISA 2018”, Shqipëria u pozicionua në vendin e 61.

Duket se nga të dhënat e këtij testimi, janë përkeqësuar aftësitë e nxënësve 15 vjeçarë në matematikë, shkencë dhe lexim.

Po pse këto rezultate të dobëta në arsim?

Këto rezultate sot, janë korrje e keqe e asaj ç’ka kemi mbjellë dje. Politikat shkatërruese për arsimin, ikjet masive që ndikuan jo vetëm në uljen e numrit të nxënësve, por edhe në uljen e numrit të mësuesve më të aftë, degradimi i universiteteve, rritja e varfërisë, politizimi i sistemit arsimor, mosvëmendja nga qeveria, programe lëndore e tekste jocilësore etj, duket se janë disa prej arsyeve të këtyre rezultatave të ulëta.

Shqetësim shumë i madh është prirja drejt mos interesimit për shkollën nga nxënësit dhe kjo është vrastare për arsimin shqiptar. Ky interesim në ulje për arsimin nga nxënësit, është pikërisht se arsimin nuk e shohin më si një rrugë drejt një të ardhmeje premtuese dhe garanci për një jetë cilësore nesër, përkundrazi. Të rinjtë sot shohin rrugët e errëta si zgjidhje për jetën e tyre.

Nëse do të shohim nga e ardhmja , arsimi duhet vlerësuar si një ndërmarrje në të mirën publike dhe një pasuri e përbashkët kombëtare.

Mbetet detyrë për politikën, qeverisjen, organizatat joqeveritare që pothuaj janë joekzistente, komunitetet akademike, për gjithë shoqërinë, që sytë dhe vëmendjen ta kthejnë nga arsimi si çelës i mirëqenies dhe zhvillimit.

Pa arsim cilësor gjithëpërfshirës dhe të barabartë, nuk do të kemi kurrë sukses në thyerjen e ciklit të varfërisë, nuk do të kemi kurrë jetë më të mirë, të ardhme më të sigurtë dhe arritje të barazisë gjinore.

“Asnjë fëmijë, me dy prindër që e duan dhe një dhomë plot me libra, nuk është kurrë i varfër”.
Sam Levenson

About Redaksia

Check Also

Paradoksi i mbajtjes mbyllur të Urës së Ibrit në çerekun e shekullit XXI!

Nga Enver BYTYÇI Që kur është krijuar bota njerëzore i ka shpikur dhe përdorur urat për …