Zhulali: Erion Veliaj e mban pushtetin e tij vetëm me paratë e krimit dhe betonit!

Këshilltarja e PD në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Ilda Zhulali, e ka akuzuar drejtpërsëdrejti sot kryebashkiakun Erion Veliaj se e mban të gjithë pushtetin e tij vetëm nga paratë e krimit, vetëm nga paratë e betonit. “Po t’ia heqësh Erion Velisë këtë mekanizëm, ai është një asgjë,” tha znj. Zhulali gjatë një konference të përbashkët shtypi me këshilltarët e tjerë të opozitës.

“Ne dje kishim mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe çfarë të themi?! Mund të themi që përfundimisht në këtë qytet mbretëron paturpësia sepse këtë qytet e përfaqëson paturpësia. Kryetari i bashkisë, që ka paturpësinë që të pohojë publikisht se ka mbjellë 1 milion pemë në këtë vend, që paturpësisht e ka betonizuar Tiranën në çdo cep dhe në çdo skaj të saj, që paturpësisht refuzon të bëjë transparencë  për qytetarët se si e ka shndërruar Tiranën në krematorium me nivele alarmante të ajrit të ndotur dhe të gjitha këto përpiqet që t’i censurojë në mënyrë të pashembullt, na japin një panoramë që e kemi parë edhe në Kuvendin e Shqipërisë, e shikojmë dhe në çdo institucion tjetër në Shqipëri. Çfarë shikojmë është mungesë totale e përgjegjësisë, të llogaridhënies dhe pse bëhet kjo?! Vetëm për një arsye: për të shmangur kontrollin.

Me një gërvishje të vogël, me një kontroll sipërfaqësor, mund të shikosh që kjo qeverisje edhe në nivel qendror edhe në nivel lokal është e zhytur në korrupsion dhe krim.

Cili është vizioni i Erion Velisë për Tiranën?! Vizioni i tij është shumë i thjeshtë, ta kthejë Tiranën në një fjetore, në një gjellëtore dhe në një gropë të krimit. e ka bënë qytetin në shërbim të pastrimit të parave. Pse?!

Jo thjesht për të shkatërruar fizionominë e qytetit dhe trashëgiminë e tij kulturore, jo thjesht infrastrukturën e nevojshme që duhet të jetë në shërbim të qytetarëve dhe jo të ndërtesave, por sepse e mban të gjithë pushtetin e tij vetëm nga paratë e krimit, vetëm nga paratë e betonit. Po t’ia heqësh Erion Velisë këtë mekanizëm, ai është një asgjë”, tha Zhulali.

About Redaksia

Check Also

Mesazhi i fortë i Papa Leone: Po dëshmojmë me dëshpërim përdorimin e padrejtë të urisë si armë lufte

Mesazhi i fortë i Papa Lone XIV në rrjetet sociale Po dëshmojmë me dëshpërim përdorimin …