Stadium i ri 800 milionë euro?

Do të kushtojë 500 deri në 800 milionë euro dhe do të financohet nga Fondi Publik i Investimeve i Arabisë Saudite (PIF). Parku i ri Olimpik i Kryeqytetit është drejt fazës së përfundimit të projektit nga një studio britanike dhe sipas presidentit të Komitetit Olimpik Shqiptar, Fidel Ylli, do t’i dorëzohet së shpejti partnerëve në Arabinë Saudite.

Ylli deklaroi në emisionin INSIDER nw SCAN nga gazetari Angelo Haruni, se vendndodhja është përcaktuar pranë aeroportit të Tiranës, në një zonë midis tij, autostradës së re dhe disa liqeneve. Sipas tij, pjesa më e madhe e tokës është shtetërore, madje qeveria është duke përgatitur edhe shpronësimet për pronarët në pjesën e mbetur të sipërfaqes ku do të ndërtohet projekti.

“Kjo është një iniciativë e diskutuar me qeverinë, kryeministrin. Kemi rënë dakord. I kam thënë se do gjej një tokë që të mos rëndojë buxhetin e shtetit. Pjesa dërrmuese 2/3 është tokë shtetërore, parcelat e tjera do të kompensohen. Është një zonë e konceptuar që zbret nga aeroporti dhe shkon tek kjo qendër.

Kam pasur një takim me kadastrën, kemi nxjerrë të gjithë hartën. Takimi i radhës është për të bërë gati VKM-në e shpronësimit që t’ia paraqesim investitorit pa probleme pronësie.

Shumë shpejt do të kemi mundësi të prezantojmë edhe renderat me video. Po ju tregoj edhe mesazhet me investitorët nga Arabia Saudite që kërkojnë planet e biznesit”.

Kreu i KOKSH tha për SCAN se vlera e projektit është rritur në 800 milionë euro, sepse vlera e mëparshme prej 500 milionë eurosh u konsiderua një projekt i vogël nga ana e fondit saudit PIF.

“Unë kam pasur një takim në Riad me princin që është ministër i sportit. Pasi i prezantova shumën prej 500 mln eurosh më tha se mendonte se është një shumë e vogël që ta paraqesim tek Fondi i Arabisë Saudite. Më tha të mundohemi që ta rrisim pak më shumë. Dhe shifra tani ka arritur në 800 mln euro, por janë të dyja variantet”.

Kompleksi olimpik do të përfshijë një stadium prej 41,508 vendesh, 3 fusha futbolli, stadium të mbyllur atletik, salla multisportive, pistë hockey, fusha golfi, hapësirë rekreative për fëmijët, poligon qitjeje, pishinë, muze, restorante, kinema, etj. Ai do të financohet me formatin PPP, si arena kombëtare dhe plani i biznesit parashikon një hotel me 5 yje dhe dy hotele me 4 dhe 3 yje, zyra për biznese dhe prodhim energjie nga panelet diellore. /Scan Tv

About Redaksia

Check Also

15 vite nga heqja e vizave, Berisha: Pa viza edhe në Amerikë dhe anëtarësim në BE pas 11 majit

Kryetari i PD, Sali Berisha ka kujtuar përmes një postimi në facebook liberalizimin e vizave …