2 vite e 6 muaj burg ka kërkuar Prokuroria e Posaçme për kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës Fredi Beleri. Ndërsa për bashkëpunëtorin e tij Pandeli Kokaveshin kërkoi 2 vite, por që të konvertohen për shkak të gjendjes shëndetësore dhe rrethanave familjare në 4 vite shërbim prove. Përpara se SPAK të shprehej me pretencën e saj, ishte vetë Beleri që akuzohet për korrupsion në zgjedhje që bëri një deklaratë. Ai e quajti procesin ndaj tij të montuar dhe me mungesë provash.
“Ju u treguat të njëanshëm dhe të paligjshëm në vëndimmarrje. Ju rrëzuat kërkesat më elementare të provave të një procesi gjyqësor, kryerjen e akteve të ekspertimit. Ju nuk pranuat sepse nuk pranoj prokuroria kryerjen e akteve të ekspertimit. Ju nuk pranuat sepse nuk pranoi prokuroria të sillte pajisjet dhe mjetet e përgjimit të cilat nuk i ka. Nuk lejuat betimin tim për të marrë mandatin. Pranuat në gjykim akte të falsifikuara. Ju edhe kur i gjejmë ne falsifikimet e policisë dhe të prokurorëve për të më mbajtur mua në burg, nuk doni ti hetoni dhe kallëzoni. Administruat dëshmi të rreme dhe dëshmitarë të paguar. Për ju është e rëndësishme që të plotësoni dëshirat dhe të zbatoni urdhërat e kryeministrit për të mbajtur peng Bashkinë e Himarë. Në këto kushte një pjesë e prokurorisë dhe Kryeministri besojnë te drejtësia juaj”, u shpreh Beleri.
Beleri u ndal edhe tek refuzimi i kërkesës së përjashtimit të gjyqtares Irena Gjoka nga procesi gjyqësor.
“Ju po zhvilloni një proces të paligjshëm, të dënueshëm dhe të porositur nga Kryeministri Rama, duke administruar dëshminë e rremë të Abdyl Ramës, kjo pasi gjyqtarja Irena Gjoka e mbajti 2 muaj në duar, ankimin kundër vendimit të mos fillimit të procedimit penal në lidhje me kallëzimin tim, për deklarim të rremë përpara oficerit të policisë gjyqësore kundër shtetasit Abdyl Rama, pa dhënë vendim. Ndaj për këtë shkak, duke ndikuar me vendimin tuaj në një proces të paligjshëm dhe të denueshëm prej 2 muajsh kam bërë kallëzim për ju, gjyqtaren Gjoka, dhe prokurorin Kondili. Deri me sot unë akoma nuk kam asnjë informacion se çfarë është bëre me këtë kallëzim” tha ai.
Beleri përmendi edhe moslejimin e betimit nga GJKKO duke iu drejtuar kësaj të fundit se shkoi edhe më tej duke i thënë në vendim kryeministrit Edi Rama si të zgjidhë hallin e tij, pa qenë palë në proces.
Avokati që mbrojti të martën në seancë Fredi Belerin Geni Gjyzari, komentoi zhvillimet në seancë në një prononcim për mediat
Ndërkohë para nisjes së seancës, disa shtetas, dolën në dyert e gjykatës ku tentuan të digjnin një flamur grek. Ata u pikasën nga policia e cila ndaloi veprimet teka bëri shoqërimin e tyre në komisariat.