Lulzim Salillari, vëllai i biznesmenit Pëllumb Sallilari, është marrë i pandehur nga prokuroria e Tiranës.
Sipas prokurorisë, ai akuzohet për një rast ndërtimi pa lejë nga shoqëria “Salillari”, në zonën e kopshtit zoologjik në kryeqytet. Nën akuzë janë dhe zyrtarë të tjerë të firmës që zotërohet nga biznesmeni i afërt me qeverisë Pëllumb Salillari.
Hetimet kanë konstatuar se firma Salillari kishte marrë lejë nga bashkia e Tiranës në vitin 2020 për të ndërtuar një godinë me 6 kate mbi tokë, përveç parkimit.
Por ajo që rezulton nga kontrolli në terren i autoriteteve ishte se godina ishte ngritur jo 6, por 7 kate, me një shtesë ndërtimi 2444.12m2 pa leje.
Kontrollet në ndërtimin e “Salillarit” sipas prokurorisë, erdhën pas disa denoncimeve të banorëve të zonës për ndërtim pa leje.
“Në datën 06.07.2022, shërbimet e Postës së Policisë Farkë pranë Komisariatit të Policisë Nr.1 Tiranë janë njoftuar nga salla operative e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë se në portalin e policisë së shtetit ‘Komisariati Dixhital’ ka disa njoftime nga banorë të zonës së kopshtit Botanik rruga ‘Bilal Sina’, Njësia administrative Nr.13 Tiranë, ku thuhej së subjekti ‘Salillari’ shpk po ndërton pallate pa leje”, sqaron prokuroria.
Sipas të njëjtave burime, në pjesën e përparme të pallatit në krahun përball kopshtit zoologjik gjendet e fiksuar në një llamarinë e afishuar leja e ndërtimit nr.prot X-13444/6 datë 27.11.2020lëshuar nga Bashkia Tiranë ku thuhet se punimet kryhen nga shoqeria “Salillari” shpk, do të ndërtohet një godinë banimi dhe shërbimi 1,4 dhe 7 kate me 1-5 kat parkim dhe shërbim nëntokë me afat kryerjen e punimeve 60 muaj si dhe një foto e pamjes së jashtme të projektit të godinës.
Referuar aktit të konstatimit të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit rezulton se gjatë kontrollit të ushtruar në objektin me leje ndërtimi nr.X-13444/6 datë 27.11.2020 të objektit “Godinë banimi dhe shërbime 1,4 dhe 6 kat me 1-5 kat parkim dhe shërbime nëntokë u konstatua ndryshim nga projekti i miratuar duke realizuar sipërfaqe shtesë në shkelje të kushteve të lejes së ndërtimit ku sipas lejes totale sipërfaqe ndërtimore mbi tokë është 10516.29m2 dhe gjendje faktike 12960.41m2 pra shtesë ndërtimi 2444.12m2.
Referuar lejes së ndërtimit me nr.prot X-13444/8 datë 27.11.2020 të Bashkisë Tiranë për objektin e sipërcituar me subjekt ndërtues “Salillari” shpk rezulton se leja e ndërtimit është “Godinë banimi dhe shërbimi 1,4 dhe 6 kate, me 1-5 kat parkim dhe shërbim nëntokë”.