Rikthimi pas në shekuj: Autokracitë, sot një fakt global

Nga Pranvera SHEHAJ

Për përkufizim, ‘autokracia’ si koncept, i referohet një qeverie në të cilën pushteti është i përqëndruar në një person të vetëm. Ky i fundit, njihet si autokrat, një term që rrjedh nga greqishtja e lashtë, i.e., ‘auto’ – që do të thotë ‘vetë’, dhe ‘kratos’ – që do të thotë ‘fuqi’. Ndërkohë që udhëheqja e vendeve të tyre me autoritet absolut është dogma dhe vetë feja e autokratëve, këtë e realizojnë më së miri duke qenë të lirë nga kontrollet dhe balancat të cilat veprojnë mbi ligjin. Këtyre mekanizmave, i shtohet fuqia e autokratëve për të reformuar ligjin sipas dëshirës. Prej vitit 2022, instituti “Varieties of Democracy” (V-Dem) klasifikoi afërsisht 88 nga vendet e botës si autokraci. Këto 88 vende korrespondonin me 70% të popullsisë së botës.

Megjithatë, autokracitë, sipas klasifikimit të së njëjtës organizatë, nuk ishin uniforme në shkallë dhe karakteristika. V-Dem i ndan ato në dy grupe: autokraci të mbyllura dhe autokraci elektorale. Një sistem i përkugizuar si autokraci e mbyllur është ai në të cilën as shefi ekzekutiv (autokrati) dhe as legjislatura nuk zgjidhen përmes një procesi zgjedhor apo në çfarëdolloj forme alternative të shprehjes së vullnetit qytetar, kështu që qytetari nuk ka mundësi të shprehet, të kontribuojë e aq më pak të përcaktojë ai zgjedhjen e udhëheqjes së vendit. Nga ana tjetër, një autokraci zgjedhore realizon zgjedhje publike, ajo e përqafon sistemin shumëpartiak, çka nënkupton se teorikisht autokracitë zgjedhore i japin qytetarëve një rol në zgjedhjen e udhëheqësve të tyre qeveritarë. E megjithatë, përpos sfondit teorik dhe funksionit që fasada ka, këtyre zgjedhjeve zakonisht u mungojnë shumë nga masat mbrojtëse, karakteristikat dhe mekanizmat garantues për t`i konsideruar ato të drejta dhe të lira.

Na kujton diçka? Shumëçka, por përpara se ta konkretizojmë ligjërimin aty ku interesi ynë qëndron, ia vlen të përmendet gjithashtu se jo pa arsye autokracitë, qoftë në shkencat politike, e qoftë në diskutimin e analizave politiko-sociale, janë konsideruar si forma jo-optimale qeverisjeje. Arsyet dhe motivet përmbledhtazi gjenden tek pamja që ofron vetë autokracia dhe tiparet që karakterizojnë atë, pa lënë hapësirë për kundërshti: Autokrati merr të gjitha vendimet, pavarësisht nga pasojat, rregullat ose politikat në tryezë a në letra; liritë vetjake janë të kufizuara; qeveria përpiqet të përfshihet thellësisht në shumicën e çdo aspekti të jetës së përditshme, nga kontrolli i medias deri te drejtimi i shumë prej bizneseve dhe industrive kryesore të vendit; dëshirat dhe vendimet e autokratit, të cilat mund të paraqiten si nevoja të shtetit, peshojnë më shumë se të drejtat njerëzore të qytetarëve të vendit; shkeljet e të drejtave të njeriut dënohen rrallë në një autokraci, pasi autoritetet qeveritare të cilave do t’u raportohen shkelje të tilla janë zakonisht ose burimi i shkeljeve ose aleatët e shkelësve; pikën ia vendos frika e qytetarëve nga hakmarrja dhe ndëshkimi. Sërish, përkufizimi i autokracisë, na pasqyron shumëçka në Shqipërinë tonë, kinse kandidate për anëtarësim aty ku autokracia nuk ka as hije.

​Është Qershor 2022, kur një studim i Berlin Social Science Center publikon një artikull i cili dëshmon edhe vizualisht se si cilësia e institucioneve demokratike ka rënë në mënyrë domethënëse prej vitit 1900. Studiuesit i referohen këtij femonemi si: “episode të autokratizimit”, dhe identifikojnë ​tre valë të autokratizimit: e para rreth Luftës së Dytë Botërore, e dyta gjatë viteve 1960 -1970, si dhe vala e tretë e nisur rreth fundit të Luftës së Ftohtë. V-Dem në raportin mbi demokracitë në botë të 2022 dëshmon se demokracia globale ka rënë në nivelet e vitit 1986, ku 72% e popullsisë botërore (5.7 bilion njerëz) jetojnë në autokraci (krahasuar me 46% në 2012) dhe 43% e popullsisë botërore jetojnë në vende që po shkojnë drejt autokracisë (krahasuar me 5% në 2012). 44% e popullsisë botërore jetojnë në vende me autokraci zgjedhore, përfshirë, Shqipërinë, një vend në Evropën juglindore, i radhitur në këtë klasifikim me Rusinë, Indinë, Pakistanin, Filipinet, Nigerinë, etj. Për herë të parë në më shumë se dy dekada, globi fle dhe zgjohet më shumë në vende me autokraci të mbyllur se sa demokraci liberale.

Panorama globale bëhet edhe më e frikshme kur flitet për të tjera statistika si për shembull: liria e shprehjes e përkeqësuar  në 35 vende në 2022 (krahasur me 7 në 2012); sundimi i ligjit dhe cilësia e zgjedhjeve u ballafaquan me rënie në shumë vende; censura e qeverisë ndaj mediave u përkeqësua në 47 vende; represioni i qeverisë ndaj organizatave të shoqërisë civile u përkeqësua në 37 vende bashkë me cilësinë e zgjedhjeve, e cila degradoi në mënyrë domethënëse në 30 vende; së fundmi, qeveritë në 40 shtete rritën kontrollin e tyre mbi civilët ashtu sikurse mbi format e organizimit të shoqërisë civile. Përpos tronditjes statistikore, siç thotë dhe profesori i shkencave politike në Universitetin e Gothenburg, Prof. Lindberg, si interpretues i këtij raporti, ka ende shpresë, dhe shpresa vjen nga vende si Bolivia, Moldavia, Sllovenia, apo Maqedonia e Veriut të cilat kanë përmirësuar shoqërinë dhe sistemin e tyre politik duke iu afruar bindshëm standardeve demokratike.

Arsyet përse ky dhjetëvjeçar ka krijuar një terren fertil për rizgjimin, konsolidimin e më pas zhvillimin e autokracive në mbarë botën janë sa subjekt i analizave të thella të shkencave politike, aq edhe lehtësisht të pasqyruara në ngjarje që kanë bërë zhurmë të fortë globale. Në pak fjalë ato do të përmblidheshin në paradigmën “command and control” (komando dhe kontrollo) e cila qëndron në zemër të kushtetutave të shumë vendeve, dhe përfshin klauzola emergjente që lejojnë qeveritë të dalin jashtë kuadrit të zakonshëm kushtetues për të ndërmarrë veprime urgjente. Ky dhjetëvjeçar i karakterizuar nga pandemi globale, kriza ekonomike dhe konflikte të armatosura ka krijuar djepin e përshtatshëm për aplikimin e kësaj paradigme. Fakti e kërkon të thuhet se masa të tilla kanë çuar në abuzim me pushtetin dhe përkeqësim të parimeve demokratike në terma afatgjatë.

Studime të shumta dalin në përfundime se autokracia moderne e shekullit XXI, ndryshe nga ajo totalitariste e tipit Hitler, Stalin, Pinochet apo Galtieri, i është përshtatur një bote globaliste, ku kufijtë janë të hapur mes shteteve, media është e ndërkombëtarizuar dhe ekonomitë janë të bazuara në njohuri, i.e., knowledge-based. Autokratët modernë ia kanë dalë të heqin barrierat e kontrollit mbi pushtetin e tyre përmes represionit të moderuar nën kufijtë e të qenurit demokratikë. Kur autokratët modernë ushtrojnë represion (p.sh. organizimin e luftrave dhe revoltave etnike, forcën brutale policore, censurimin e medias, persekutimin e kundërshtarit politik, etj.) ata kamuflojnë qëllimin final. Për shembull, përndjekja, ndëshkimi dhe izolimi i kundërshtarit politik bëhet jo për motive politike, por për akuza të tipit evazion fiskal apo vjedhje. Për më tepër imitojnë shpesh, por jo domosdoshmërisht retorikën e liderëve demokratë, ashtu sikurse maskojnë shkeljet flagrante të ligjit dhe shformësimin e barazpeshës së pushteteve përmes propagandës mbi arritje ekonomike afatshkurtra apo risi në shërbime publike.

Pyetja më e rëndësishme do të ishte: si ia dalin autokratët modernë të ndërtojnë autokraci pa u dashur të marrin mbi supe mëkate masive e të pashlyeshme si ato të paraardhësve të tyre ideologjikë? Studime të rëndësishme (p.sh. Guriev dhe Treisman, 2020) sugjerojnë se metoda njëkohësisht më klasike e më të frytshme për ngritjen, konsolidimin dhe jetëgjatësinë e autokracive moderne, më së shumti atyre elektorale, mbështetet në kontrollin e informacionit. Autokratët modernë ndërkohë që shmangin t’i izolojnë vendet e tyre apo të terrorizojnë literalisht dhe masivisht popullin, mbështeten vetëm dhe thellësisht në manipulimin e opinionit publik. Përmes medias të censuruar, të korruptuar apo të friguar, autokratët bindin popullin se ata janë jo vetëm kompetentë e dashamirës, por të vetmit udhëheqës të vlefshëm. Legjitimiteti i autokratëve modernë qëndron jo tek frika aq sa tek popullariteti përmes manipulimit emocional, psikologjik dhe intelektual të turmës. Mjafton të reflektosh pak për të kuptuar se çfarë rrezikshmërie ka zgjerimi i pasojës së kësaj metode, kur kemi të bëjmë me shoqëri të paformuara intelektualisht, fëmijënore në dije, bindje, reagim, rezistencë dhe vetëdije politike. Raporti me të vërtetën kërkon ta pohojmë se shembull i kufirit ku arrin kjo rrezikshmëri është fatkeqësisht edhe vendi ynë, infantilja politike, e lashtë sa vetë toka, Shqipëri.

Shqipëria, sipas V-Dem klasifikohet ndër shtetet e Evropës juglindore që kontribuojnë në panoramën fataliste autokracive të mbyllura ose elektorale në botë. Vendi ynë u klasifikua për vitin 2022 si autokraci elektorale (ose zgjedhore), çka konkretizon dhe mishëron të gjitha defiçitet socio-politike dhe anti-demokratike që kanë prevaluar gjatë gjithë viteve të fundit në vendin tonë. Njëjtë, Berlin Social Science Center e klasifikon atë në autokraci të papërfshirë në konflikte gjeopolitike të armatosura. World Population Review radhit 83 autokraci të mbyllura ose elektorale në vitin 2022. Shqipëria? Krenarisht në radhë me Burkina Fason, Bjellorusinë, Pakistanin, Rusinë e të tjera. Për t’u evidentuar është fakti se ndër autokracitë në botë, Shqipëria dhe Serbia janë të vetmet vende të Ballkanit të renditura midis autokracive elektorale apo të mbyllura. Ndërkohë Mali i Zi, Bosnia & Herzegovina, dhe Maqedonia e Veriut konsiderohen së paku demokraci elektorale të dobëta. Bertelsmann Transformation Index (BTI) në statistikat e fundit të publikuara, e klasifikon Shqipërinë si demokraci defektoze (defective democracy), duke nënvijëzuar se vendi vuan së pari nga një dualizëm i theksuar midis deklarimit për reforma të shumta dhe moszbatimit real dhe korrekt të tyre, e së dyti nga një trasformim ekonomik i limituar. Freedom House në raportin e përvitshëm mbi të drejtat politike dhe liritë civile e vlerëson Shqipërinë si një prej 54 shteteve jo plotësisht të lira, ndërsa shqiptarët brenda territorit si pjesë e 22% të popullsisë botërore që jetojnë në vende jo plotësisht të lira. Së fundmi, indeksi i korrupsionit i Transparency International, i vendos firmën një virtyti klasik të autokracisë, i.e., në një shkallë nga 0 (shumë i korruptuar) në 100 (aspak i korruptuar), i atribuon Shqipërisë vetëm 37 pikë, ndërkohë që mesatarja globale për vitin 2023 ishte 43 pikë.

Nuk është as rastësi, as albanofobi, fakti që çdo indeks ndërkombëtar e klasifikon Shqipërinë si autokraci elektorale. Si rrjedhojë është e pamundur, – dhe jo mungesë dashamirësie a optimizmi – të solidarizohemi me mazhorancën parlamentare të socialistëve, kur dështimin për qoftë edhe një hap minimal progresiv pas vitit 2013, në rrugën e anëtarësimit në BE, e motivojnë me albanofobi kinse mbizotëruese në vendet e Unionit, problematikë brenda BE-së mbi politikat e zgjerimit apo çfarëdolloj justifikimi tjetër të tjerrur në diplomacinë alla-ballkanase shqiptare. Një dekadë dështim për zhbllokim të procesit të integrimit, dhe një qeveri që dështoi në terma absolutë dhe groteskë të regjistrojë qoftë edhe një arritje që e çon hapin e fundit të Shqipërisë drejt BE-së, – lëvizjen e lirë të arrirë nga qeveria Berisha në dhjetor të vitit 2010 – qoftë edhe fare pak më larg, nuk ka se si të jetë denjësisht e rreshtuar mes vendeve të BE-së. Një autokraci elektorale nuk është e mirëpritur në një Union inter-dhe sovra-kombëtar mes shteteve që sipas çdo indeksi dhe studimi konsiderohen si demokraci të konsoliduara. Shkurt, është donkishoteske të mendosh se vendi i dytë pas Sirisë, me numrin më të lartë të azilkërkuesve në shtetet e BE-së të paktën në katër vitet e fundit, guxon të mendojë se meriton të vlerësohet pozitivisht në rrugën drejt anëtarësimit.

Pranvera Shehaj

Referenca

  1. Boese V. and Hellmeier S. (2021). Autocratization and its consequences. Berlin Social Science Center.
  2. BTI Transformation Index 2022 Country Report: Albania.
  3. Democracy Report 2023. Defiance in the Face of Autocratization. V-Dem Institute.
  4. Freedom in the world 2023. Marking 50 years in the struggle for Democracy. Freedom House.
  5. Guriev, S., & Treisman, D. (2020). A theory of informational autocracy. Journal of public economics, 186, 104158.
  6. When democracies autocratize. United Nations Development Programme.
  7. World Population Review. Country rankings 2022, Autocratic countries.

About Redaksia

Check Also

Paradoksi i mbajtjes mbyllur të Urës së Ibrit në çerekun e shekullit XXI!

Nga Enver BYTYÇI Që kur është krijuar bota njerëzore i ka shpikur dhe përdorur urat për …