Burri i Felajt dhe Veliaj mbajnë peng hetimet për investimet te Qyteti Studenti

Në redaksinë e CNA-së ka mbërritur një denoncim nga aktivisti Aurel Kujtimi për investimet e bëra në vitin 2019 në godinën numër 6 të Qytetit Studenti.

Aktivisti, nëpërmjet padive të dorëzuara në SPAK dhe Prokurorinë e Tiranës, akuzon Drejtoreshën e Konvikteve, Anila Shehun, se ka abuzuar me fondet e rikonstruktimit duke shpërdoruar detyrën.

Sipas aktivistit, në dokumentet zyrtare rezulton se rikonstruktimi në një dhomë të konviktit nr.6 ka kushtuar 10 mijë euro, por nga vëzhgimet në terren dhe duke iu referuar çmimeve të referencës për orenditë dhe pajisjet, në një dhomë, investimi realisht ka kushtuar vetëm 1.36 milionë lekë.

Sipas Kujtimit, në total në këtë konvikt janë investuar 12.1 mijë euro, ndërkohë që në shkresat zyrtare vlera totale e investimit kap shifrën 953.263 euro.

“Duke u nxitur nga ky fakt që në përgjigjet zyrtare që kemi marrë nga “Rezidenca Studentore nr. 1” bie në sy godina numër 6 që është rikonstruktuar plotësisht me parimin e efiçensës së energjisë sipas të njëjtit program me mbështetjen e Qeverisë Turke nëpërmjet “Agjensisë Turke për bashkëpunim dhe koordinim” TIKA e cila ka kushtuar 953.263 euro. Sipas informacioneve dhe llogarive të mbledhura nga kompanitë në treg me çmim pakicë një dhomë në godinën numër 6 kushton 136.080 lekë të reja ndërkohë sipas llogaritjeve dhe informacioneve të mbledhura në godinën numër 6 duke pjestuar numrin e dhomave që janë 78 vihet re se janë shpenzuar 12.1 mijë euro”, thuhet në kallëzimin e bërë në SPAK nga Kujtimi.

Kjo çështje nuk është marrë nën hetim nga Prokuroria e Posaçme pas kallëzimit të bërë nga Kujtimi, por kjo e fundit ia ka deleguar Prokurorisë së Tiranës.

Përgjigjja e SPAK-ut, kalimi i dosjes te Prokuroria e Tiranës

“SPAK ka shpallur moskompetencë brenda 24 orëve duke ia kaluar Prokurorisë së Tiranës, ku çështjen e ka marrë në dorë prokurori Bledar Valikaj, bashkëshorti i Ermonela Felajt, që është deputete socialiste dhe mikeshë e ngushtë me Erion Veliajn, pasi konviktet janë në varësi të Bashkisë Tiranës. Nuk po hetohet për prapaskena politike”, u shpreh Kujtimi në një intervistë për CNA.

Dosja prej 7 muajsh është nën hetim nga prokurori Bledar Valikaj. Këtë të fundit, aktivisti e denoncon se po mban peng dosjen, duke mos hetuar rastin korruptiv të Anila Shehut, për shkak të lidhjeve miqësore që ka me kreun e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Përgjigjja nga Prokuroria e Tiranës

Përgjigjet e vetme që kanë ardhur nga Prokuroria e Tiranës kanë qenë që dosja është ende nën hetim, pa dhënë asnjë shpjegim nga prokurori Valikaj.

Aktivisti, gjatë intervistës për CNA, bëri thirrje për vënien e menjëhershme para përgjegjësisë të zyrtarëve të përfshirë, sipas tij, në këtë akt korrupsioni, ku janë vjedhur mijëra euro.

About Redaksia

Check Also

Alizoti: Shqipëria ka kaluar në rang karteli nga politika e Ramës!

Drejtuesi politik i Partisë Demokratike në Qarkun e Elbasanit, Tomor Alizoti, i ftuar në studion …