Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar së fundmi në një intervistë tërheqjen e tij të papritur nga politika. Një lajm i bujshëm që pritet të sjellë një ndryshim shumë të madh në politikën shqiptare. Rama ka treguar se nuk do të garojë për mandat tjetër dhe zyra e kryeministrisë do të jetë e fundit, për karrierën e tij politike.
“Mandati i tretë do të iki kur të vija dita e fundit në shtator të 2025-ës, e deri atëherë do të shihni plot punë e vepra të mira që do të marrin jetë. E kam të pamundur ta besoj se një zyrë e katërt në këtë karrierë do të më joshë dot më shumë se sa atelieja ime, ku kam shumë ide e fantazma të imagjinatës sime që më kërkojnë t’i nxjerr nga vetja dhe t’i sjell në jetë përmes syrit e dorës.
Nuk më josh asnjë angazhim në politikën ndërkombëtare, siç nuk do të më kishte joshur dot as zyra e ministrit të kulturës së Francës, apo ajo e kryetarit të Bashkisë së Berlinit, sikur teorikisht ta fantazoja për një moment, duke u kthyer në kohën kur vendosa të hyj në të parën, apo të bëj fushatë për të hyrë e ndenjur 11 vjet në të dytën.
Kjo e kryeministrit është zyra e tretë dhe e fundit e karrierës sime publike në politikë, tjetra do të jetë atelieja e “rrobaqepësisë” së ëndrrave të mia artistike, ku dua ta mbyll udhëtimin tim në këtë jetë me bindjen se çfarë mu dha nga Zoti e nga ata që më besuan, e ktheva sa dita e sa munda, pa u kursyer në asgjë dhe për asgjë, e me urimin që lashë mbrapa një kujtim të mirë.
Unë përpiqem dhe bëj më të mirën. Unë jam përpjekur të bëjë më të mirën gjatë 10 viteve të fundit. Nuk them se gjithmonë kam pasur të drejtë. Natyrisht që jo. Ka pasur edhe gabime dhe gjëra që janë bërë gabim gjatë kësaj kohe. Por në fakt kur kthej kokën mbrapa dhe shoh dhjetë vjet që kaluan, unë besoj se ka shumë gjëra që janë bërë mirë”, ka treguar Rama për revistën Newsboomb.