Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka, ka marrë fjalën sot në konferencën për shtyp të Kryetarit të PBDNJ, Vangjel Dulës dhe të ekipit mbrojtës të kryebashkiakut të burgosur të Himarës, Fredi Beleri.
“Skenari i përgatitur me aq kujdes ndaj Fredi Belerit, Kryetarit të zgjedhur me votë të bashkisë së Himarës, tregon qartësisht së bashku me zhvillimet që nga maji i vitit 2023 e deri tani, që me Edi Ramën dhe regjimin e tij, standardi i zgjedhjeve është jo thjesht i rrëzuar, por i vrarë, i pushkatuar.
Çdokush që ka pasur sadopak kureshtje dhe që të hulumtojë në dosjen e Fredi Belerit, dosjen e montuar, do të kuptojë që Edi Rama funksion me dy skenarë:
E para, asgjësimi i votës së lirë nëpërmjet blerjes, shantazhit, krimit të organizuar, përdorimit të administratës edhe të Policisë së Shtetit si në gjithë rastet e tjera dhe, kur nuk arrin me gjithë këto mekanizma të asgjesojë apo të devijojë votën e lirë, përdor skenarin e likuidimit politik të kundërshtarit.
Kjo tashmë për shqiptarët nuk është e re. E bërë me dije prej kohësh, efaktuar, por “Dosja Beleri” tregon që Edi Rama është gati të bëjë gjithçka për të mbajtur një pushtet në kundërshtim edhe me votën e ligjet, me një qëllim që të fshehë batërdinë që ai dhe qeveria e tij kanë bërë me pronat dhe pronarët e bregdetit.
Arrestimi dhe mbajtja në burg e Fredi Belerit ka vetëm një motiv të qartë: ai është kundërshtari politik i Edi Ramës, që me votën e himarioatëve do të ulej në atë karrige dhe do t’i zbulonte shqiptarëve dhe jo vetëm atyre, por gjithë faktorit ndërkombëtar, zullumin e Edi Ramës dhe të qeverisë së tij me pronat në bregdet”, tha Noka.