Çeku një milion

Nga Agim Xh. Dëshnica

-Tragim i jetuar-

Mbarim dhjetori 1998. Thëllimi i maleve nën borë përhapej mbi qytet në pullaze e taraca, në oborre, rrugë, sheshe e parqe. Dielli i mesditës i ngjante hënës, ndërkohë në kafen e ngrohtë e të mjegulluar pranë Sahatit të Xhamisë së Et’hem Beut, tek dëgjoheshin vetëm zëra burrash e trokitje gotash, qenë ulur dy miq të vjetër. Njërin e quanin Memli, Memli Kalaja. Vite e vite mësues, të ngratin e kishin hedhur tutje Matit, mbi Macukull, Komsi, Lis e Gurrë. Më së fundi i lodhur e thuajse i plakur, doli në pension. Tjetri, Rudini, Rudin Toshkëzi, i zbardhur ekonomist nëpër kantiere ndërtimi në baltë e pluhur, sado i aftë, lumëmadhi, kurrë nuk pati ndonjë post me rëndësi. Me atë shtatin e hedhur ai, njihej në mjedise klubesh e mencash, për zërin e lartë e pakëz si të ngjirur, kur hahej sidomos për sport e kulturë. Si plot të tjerë, edhe ai kishte dalë para kohe në pension. Po rinia? Bota e ëndrrave të tyre, qe vërtitur vetëm përbrenda kufirit, Memli.i frymëzuar nga bukuritë natyrës si poetet e lirisë; Rudini bredharak anës detit, me vështrimin për nga horizonti. Shpeshherë sodisnin ajrorët, teksa ngriheshi në qiell e humbisnin mbi re, ose me një farë trishtimi lundrimin e anijeve, që zhdukeshin dalëngadalë përtej valëve. E kështu, duke shpresuar në diçka të brishtë, fluturake e të pakapshme, në atë jetë tronditjesh, punuan për një fund pa fund e befas u zbardhën.

Tashmë, të enjteve e të shtunave, të dy miqtë, zinin vend në kafe, me filxhanët e gotat e ujit mbi tryezë. Ndjehej atje erë kafeje përzier me duhmë duhani, po miqtë të mësuar me atë gjendje, nuk donin t’ia dinin e nuk i trazonte asgjë. Teksa shijonin kafen, biseda e tyre, shtruar e shtruar pleqërishte, si përherë, përveç kujtimeve, sillej rreth shëndetit e parave.

– Eh, mor, Rud!  E ku mbahesh dot me pensionin sot.

-Mos pyet! Gjithsesi, meqë gruan e kam ende në punë mësuese, muajin e përballojme me aq sa mundim.

-Edhe unë punoj, herë marangoz, herë elektriçist, edhe hidraulik.

-Pra, nga mësues tani na je bërë, si usta Sadiku.

Qeshën të dy, pastaj Memli tha:

-Meqë ra fjala për zanate, do të të rrëfej një histori për të qeshur e për të qarë. Pardje dhashë e mora në shtëpi, me një mekanizëm të sajuar enkas për mbushjen e njëkohëshme të dushit e të lavatriçes, në orët, kur na vjen uji. Veçse për atë shpikje më duheshin katër bulona me dado. Kërkova hipur mbi stol, në raftin e aneksit, në qeset e kutitë e vjetra. Ishte një punë e kotë. Para se të nxehesha me veten edhe me gruan, meqë edhe koha dukej e mirë, e pashë  të udhës të hidhesha ca  andej,  nga Pazari i Ri, ku shiten hekurishte të vjetra, nga ishmagazinierë a kapterë  pleq e aty-këtu, edhe nga ndonjë i ri,  përbri tendave me fruta, zarzavate, peshk e ngjala.  U ndala para një burri të thyer në moshë e nursëz që rrinte ulur në një stol druri, pas një zgare të hekurt, me gjithëfarë vidash, gozhdësh e bulonash, bravash e kyçesh e ku di unë! Të gjitha të veshura me një shtresë ndryshku, ngjyrë kafe në të zezë. Mora në dorë një bulonë, që sipas mendjes sime, mund të më hynte në punë.- Sa bën kjo, usta? – e pyeta.–300 lekë të vjetra, – më tha.

“Ah! këta lekë, të vjetër  e të rinj”, rënkova. “Cilët qenë ata dritëshkurtër që e çuan ndërmend të na i ndryshonin lekun dhe ata kokëboshë, që miratuan ndryshimin!?” Gjithmonë pyesim: “të vjetra apo të reja?” Bëj hesap, edhe pse kanë shkuar tërë ato vite as sot, s’ka zot që e ndreq atë prapësi.

-Ke shumë të drejtë,-ia ktheu Rudi,–na u paksua një zero në llogaritë tona, por na u shtuan fjalët, hamendjet e vlerave e shpjegimet. E pësuam si francezët, “frank vjô, frank nëvë.” Si duket, kjo flame zhvlerësimesh apo rivlerësimesh, do të na jetë ngjitur si rodhe, ndoshta nga krizat financiare franceze, qysh nga Luigjët e parukeve e shpatave. Ndaj, shpesh ndërhyrja e ekonomistëve të shquar nga Anglia e shpëtonte Francën nga katastrofat. Ose kjo flamë do të na jetë shpifur nga reforma monetare “çervonc” e rusëve bolshevikë, pas revolucionit, se prapësitë politike dhe ekonomike e kanë kaluar kufirin tonë,  jo vetëm nga Parisi i komunarëve, por edhe nga Moska. Në kohën e Zogut, librat e Marksit i kishim peshqesh jo vetëm nga Berlini e Londra, por edhe nga Parisi. Pas luftës pushteti, që u shfaq në emër të popullit, me reformën  agrare e  la vetë popullin me gisht në gojë. Pra, nga fqinjët e veriut mori thonjtë e bufit e nxorri njërin sy. Me reformën monetare fshatarët, pasi sollën  në  banka  paratë  e kursyera, ngarkuar me hejbe mbi gomarë, pas këmbimi morën nga një trastë  me letra. E njëjta gjë ndodhi me ndryshimin e lekut nga i vjetër në të ri. Të gjithë u hutuan, sidomos udhëheqja, që miratonte si pa te keq kërkesa fondesh me lekë të reja, në dukje më të ulta. Pra, pushteti i popullit duke dashur të vërë vetullat e bufit, nxorri syrin tjetër me rrjedhje shpenzimesh për rrush e kumbulla, me dështime e varfëri. Mirëpo në qytet e në fshat, siç ndodh edhe sot, populli i bënte hesapet me të vjetra, ashtu si për një kohë të gjatë shumë vetë, në vend të 100-lekëshit ta prisnin shkurt: 1 napolon.

-Ashtu vërtet, ndaj edhe unë vrava mendjen me shifra e çmime. “Pra për dy bulona, thashë me vete, u dashkan 600 lekë, ose që të mos ngatërrohesha, 60 lekë të reja.”  Po, për dreq, duke rrëmuar nëpër xhepat e palltos të sapoblerë në pazarin me tenda, gjeta vetëm një monedhë metalike, 5O lekëshe!  Pra, paratë nuk do të më mjaftonin për të blerë ndonjë send tjetër. Si t’ia bëja? -Shtrenjtë i paske! – i thashë atij burri nursëz. Ai më pa me mërzi…- Në daç merri, në daç lëri! – m’u përgjigj pa ngritur kokën. – Aq i shes!

Bëra më tutje…Ndalova para një banaku “all’ aperto” prej llamarine mbi këmbëza hekuri “L” ose siç thonë në Gjirokastër, pafidhe.

– Ou, prit! Me atë pafidhen, -ia preu fjalën me të qeshur Rudi,- më kujtove një ndodhi furnizimi, kur kryeministër ishte Mehmet Shehu. Nga drejtoria e Punishtes, që bënte kova e gjyma në Gjirokastër, mbërriti papritur në kryeministri një telegram urgjent, tek thuhej: “Pafidhe koqe, plani rrezik!“ Nëpunësit mbetën gojëhapur e s’po mundnin ta deshifronin atë telegram enigmë.  Kush tallej ashtu dhe si guxonte!? Vajti puna deri te zv.kryeministri Haki Toska. Ky e pa, mblodhi vetullat e zeza dhe si gjirokastrit i ra në të, ndaj urdhëroi: “U dërgoni menjëherë llamarinë, se atje mo shokë, po rrezikohet pllani i shtetit!’’ Siç dukej po bëhej hataja. Djalli e merrte vesh, mbase po rrezikohej ujitja e misrit me kova e gjyma ose Kina për orizin.

– Ha, ha, ha! – u gajas Memli, pas tij iu ngjit edhe Rudit. Pasi u mbushën me frymë, pinë nga një gllënjkë ujë e pak kafe.

-Pra, ku e lamë fjalën?

– Te banaku me llamarinë.

-Ah, po! E pyeta të zotin e dyqan-banakut mbushur me një mori sendesh të ndryshkur:- Sa e jep këtë bulonë? Ndërkaq, një të dytë si ajo e mbaja në dorën tjetër.-100 lekë,- më tha mesoburri me kasketë.- A m’i jep të dyja aq?- Ai në ato çaste po merrej me një tel të sertë e të përdredhur. Pa më hedhur sytë më tha:- Hajt, merri! – I zgjata 50 – lekëshin “nëvë”. – Oh, po ku kam të vogla!… Pa i lëshuar bulonat nga dora, ia ktheva: si t’ia bëjmë?  Unë vetëm këtë kam!…-A e di çke? Merri dhe mbaro punë! Kur të bëhesh me të holla, m’i sill!

E falenderova e në çast ndërsa largohesha, vrava mendjen sesi ta thyeja atë monedhë të rrallë. Ndalova para disa çikrimave të tjera e po i vëreja me kujdes. Më zunë sytë tri bulona të gjata. -Sa bën një nga këto, të lutem?- Tri copë-njëqind lekë, -ma ktheu një djalosh kokorodhe që rrinte ulur përbri nja dy pleqëve me mall të pakët. I tregova 50 -lekëshin…-Nuk kam të holla zotni. Po edhe këtej rrotull asnjë nuk ka.- Kaloi një hop në heshtje. Papritur, ai shtoi:- merri të trija pa para, zotni!  S’ka problem!…

Dija se sllavët thonë nema problema, kurse amerikanët dhe europianët no problem. Neve në kësi rastesh themi, nuk prish punë. Mos ishte djali ndonjë mërgimtar i kthyer? -Jo, jo! Do t’i bije paratë patjetër, -fola i vendosur. Ai buzëqeshi e tha: Ç’të mundohesh, zotni!

-Falemnderit e mirë u pafshim! –Dhe e mbylla bisedën me aq.

Teksa rrotulloja nëpër duar 50- lekëshin, që nisi të më bezdiste, iu drejtova një fshatari që shiste vezë aty afër:

-A ke të ma shkoqësh këtë? – Jo, nuk kam! – Ma preu shkurt; iu afrova një gruaje bullafiqe, që kishte vënë mbi një shtroje domate, speca e spinaq. – Me gjithë qejf ta shkoq, o xhaje, por s’kam, e shkreta!

Më vajti mendja te një dyqan në kënd të rrugës, që mbante gozhdë, vida, vegla lloje – llojesh, rrjeta për miza, etj. Sa hyra i thashë:-Tungjatjeta!-Mirë se erdhe!

-Urdhëro,- ma  priti një burrë i shkurtë e vetullzi.- Më pesho, të lutem, njëqind lekë nga ato gozhdët  e vogla atje, se i dua  për të  mbërthyer një xham,  që m’u thye dje, – e gënjeva. -Si urdhëron! – Mori një dorë gozhdë, i peshoi, i mbështolli me një copë gazetë dhe i shtyu në banak drejt meje. I zgjata 50- lekëshin e dëgjova të njëjtën  përgjigje:- Nuk kam të thyera, zotni!- Ç’bëhet kështu!?-  fola majë  buzëve  me zë të lodhur,  pa ditur se kujt poi drejtohesha. Shitësi i dyqanit më pa të merakosur.

-Merrini, s’ka gjë! M’i sillni paratë, kur të kaloni këndej nesër a pasnesër!- Qëndrova një çast si i hutuar, pastaj e falënderova dhe dola. Pra, m’u shtua dhe një kreditor.

.U hodha një sy dyqaneve përballë. Mbi një derë dukej qartë me shkronja të bardha emri “Bukë!” Kalova në trotuarin matanë. U përkula para dritares së ulët me atë qerrata 50-lekësh në dorë e po vështroja bukët. Por edhe shitësi po më shikonte nga brenda.-Sa kushton kjo simite e vogël? – e pyeta.- Njëqind të vjetra! – “Të blej diçka, mendova apo t’i lutem të më thyejë këtë metal rrumbullak banke?”-Më jep një simite si kjo, të lutem!- Ai kërkoi në raft, zgjodhi një të butë dhe ma zgjati të mbështjellë te një qeskë të bardhë, i zgjata 50-lekëshin. Shitësi vuri buzën në gaz. – S’kam të holla, po nuk ka gjë! Merre simiten! Paratë – nesër! Ai vazhdonte të më buzëqeshte miqësisht, si të kishte para një të njohur prej kohësh. Mos ishte nga një lagje me mua!?

Memli heshti, zgjati dorën, mori gotën e ujit, piu gjysmën e vazhdoi -Rashë në mendime sërish: “Ç’dreqin po më ndodh sot!? 50-lekëshi më kishte mbetur në xhep dhe unë kisha hyrë në borxh te katër vetë! Ku ta thyeja atë 50-çe të mallkuar, për të hequr qafe borxhlinjtë dhe për të qetësuar ndërgjegjen? Ku qenë zhdukur të hollat që kishin dalë më 1995 dhe 1996!? Ç’bënte Banka e sotme e mbushur me nëpunës të rinj? Po Qeveria?”

Vijoja t’i hidhja hapat duke u lëkundur e duke u nxehur me veten. Ndërkaq, nuk po pikasja “Dremler- Benzet” e përdorur e me frena të prishur, që nxitonin poshtë e lart pranë këmbëve të mia, nëpër atë rrugë të ngushtë, duke ngrënë, edhe trotuarin. Për më zi, nuk kisha me vete as letërnjoftimin. Në çast më ra ndërmend tregimi i Mark Tuenit për fatin e djaloshit Henri, që për pak do të mbytej në det, gjatë shetitjes me velier, por për mrekulli i shpëtuar nga një anije, që kalonte atypari, doli gjallë në Londër. Duke u endur vetëm nëpër atë qytet të madh, me rrobet copë, me pare sa për një ditë, ishte aq i uritur saqë një dardhë të kafshuar plot lëng të hedhur në kanalin me baltë nga dikush, pa një pa dy e mori dhe e hangri menjëherë. Në ato çaste, ngjau mrekullia e dytë, djaloshi papritur u bë zotërues i një dokumenti banke me vlerë, i çekut një milion, dhuruar nga disa xhentëlmenë thatimë që merreshin me baste. Veçse çekun për habi nuk ia thyente dot askush, si 50-lekëshn tim! Më tej me varg robaqepsish, me bodigardë e veturë, kryq e tërthor nëpër Londër. Në hotele luksoze, me kryehotelierë, me dama, reporterë të shumtë, plot pyetje e aparate fotografike me flesh! Më së fundi skandali! Natyrisht, nuk më ndodhi ajo që pësoi ai, se metalin tim, nuk ma mori era. Pra, nuk m’u desh të kërceja para e prapa, lart e poshtë, apo të shtrihesha për ta kapur. Ai qerrata nuk donte që nuk donte të binte as nga dora, që të vrapoja pas tij në rrokullimë e sipër e ta kapja para se të binte në ndonje pusetë pa kapak në trotuar!

Rudi dëgjonte e qeshte me gjithë shpirt, ndërsa Memli fliste i nxehur:-Nuk po ia gjeja fillin asaj pune. Më merrnin për mësues të vjetër, në gjendje jo të mirë, pa më respektonin? Apo mos më pandehnin të pasur, por kurnac e plakush? Jo, jo, se i atillë as kam qenë e as jam! Nga ky hutim më zgjoi një lypës i ri sakat, shtruar shesh në një qoshe, pak më sipër Poliambulancës së madhe, me moneha metalike para, që nuk reshtte refrenin migjenian:

-Më fal ndonjë lekë, zotni, të faltë Zoti! –.Dhe befas si vetëtimë më erdhi një mendim. Shkova drejt tij, i hodha një sy dhe i tregova paren time, “Njëmilionshin e Henrtt”. -Unë po të jap pesëqind lekë, – i thashë, – dhe ti do më kthesh vetëm katërqind! Të shkoqura, ama, qindshe! Mirë? Ai më vërejti ngultas, pastaj buzëqeshi aq ëmbël, saqë e gjithë ajo pamje e përvuajtur iu zhduk si me magji. Pranoi në çast. I lëshova 50-lekëshin në dorë dhe mblodha nga coha e shtruar-përtokë katër qindshet e mia!

-Faleminderit shumë!  – i fola më në fund tepër  i kënaqur.

-Zoti të ruajtë!- më tha ai.- M’u bë sikur degjova: “Zoti të ruajtë mendjen!…” Ika pothuaj me vrap, me përshtypjen se kalimtarëve kureshtarë u kishte kapur syri çudinë më të madhe të asaj dite, se si një burrë i mbajtur me flokë të bardha e me pamje profesori qe përkulur e kishte marrë paratë e një lypësi fatkeq…Mbërrita me një frymë te bukëshitësi.- Urdhëro  njëqind  lekët dhe faleminderit! – Asgjë dhe eja prapë, kur të duash!  Do t’ju shërbejmë me qejf!- Shkova te dyqani në kënd të rrugës.- Urdhëro  njëqind  lekët dhe më fal, hë? Burri i shkurtër më hodhi një sy, më kujtoi, e mori monedhën metalike dhe e hodhi në sirtar.-Mirë ardhsh!

I lashë dyqanet dhe kërceva në sheshin e pazarit.

-Faleminderit! – i thashë burrit me kasketë! – Ja, njëqind lekët e tua! Ai i mori dhe qeshi.- Nuk përtove  që u ktheve!? -Më fal, po nuk kam përtuar kurrë në jetë. Pazari, pazar! – Nga aty, drejt e te djaloshi kokorodhe.

-Urdhëro njëqindlekëshin për tri bulonat!- i thashë. Më pa me mirësi dhe buzëqeshi.- Unë e kisha harruar fare. Mbaje, nuk e dua!- Jo, jo! – ia prita. – Tregtia pa para s’ecën përpara! Meqenëse po më dukesh djalë për së mbari, dua të të pyes, a fiton gjë me këtë sojë tregtie?- Eh! ka ndryshuar koha.- Më tha si burrë i pjekur dhe heshti, nuk e mbaroi  fjalën.- Kohën mos e lër të iki kot djalosh! Pse nuk merresh me një punë më fitimprurëse? Fytyra iu çel e tundi kokën me miratim. – E përshendeta: Mirëupafshim! -Rrofshi! – më tha buzëgaz.

Pas kësaj, mora frymë lirisht dhe preka në xhepa bulonat, gazetën me gozhdë dhe simiten e butë në qeskë. Tashti të gjitha ato ishin të mijat. Para s’kisha më. Mirë thonë gjirokastritët: “e thieve, vate!” Nisa të filozofoja përsëri për çekun e bastet e pasanikëve londinezë, që talleshin me milionat e bankave.

-Ashtu siç ndodhi me thesarin e Bankës Shqiptare dhe gjermanët, – shtoi Rudini – apo Europa, që nguroi t’ia kthente Shqipërisë edhe pas vitit 92. Nuk thonë kot se floriri i huaj, pasuron bankat e mëdha.

-Mirë thua! E ç’është një pensionist si unë? Herë zanatçi e filozof, por edhe i zemëruar me ata që punojnë në Bankë, të cilët nuk e vënë ujët në zjarr e na lënë pa të holla, pa lëre pastaj me ato vonesa e pagave tona të ulta, pas vjedhjeve misterioze, edhe ditën në rrugë!…

Bisedat e zgjatura mbaruan. Në mes të zhurmës, vetëm tani dëgjoheshin, pak si tepër, krismat e gotave prej qelqi e filxhanëve në pjata porcelani dhe fërshëllima e avullit të ekspresit. Të dy miqtë paguan kafenë e ujin. U ngritën, veshën palltot dhe dolën. Bënë disa hapa në trotuar, pastaj ndaluan, i dhanë dorën njëri – tjetrit dhe u ndanë disi më të lehtësuar se herëve të tjera.

Në qiell dielli mbërdhinte, në tokë drurët e zhveshur kishin ftohtë.

About Redaksia

Check Also

Një vit nga ikja e “Sokratit Shqiptar”!

Nga Bujar LESKAJ Sot, datë 5 dhjetor 2024 bëhet 1 vit nga ndarja nga jeta …