Ish-ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri, është paraqitur në SPAK mëngjesin e sotëm. Nuk dihen ende arsyet përse ish-ministri socialist ka shkuar në Prokurorinë e Posaçme.
Kujtojmë se kryeministri Rama e “zhveshi” Gjiknurin nga një post i rëndësishëm si ai i Sekretarit të Përgjithshëm të PS-së, njëjtë siç veproi me Arben Ahmetajn para se t’ia dorëzonte drejtësisë.
Në dokumentet e hartuar nga prokurorët e SPAK, rezulton se, krahas dyshimeve se ish-ministrat Lefter Koka dhe Arben Ahmetaj, kanë përgjegjësi penale në procedurat e ndjekura për dhënien me koncesion të impiantit të përpunimit të mbetjeve në Elbasan, është përfshirë në mënyrë të drejtëpërdrejtë më së paku edhe një i tretë, Damian Gjiknuri, ish-ministër i Infrastrukturës në vitin 2014, kur qeveria i dorëzoi koncesionin rreth 30 milionë euro kompanisë “Albtek Energy” të Stela Gugalljas, bashkëjetuese e Mirel Mërtirit.
“Me shkresën datë 17.11.2014 të Ministrit të Industrisë dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, i është kthyer përgjigje shtetasit Lefter Koka, Ministër i Mjedisit (në atë kohë), ku shprehen parimisht dakord, duke shprehur se përzgjedhja e procedurës së koncesionit është e drejtë e autoritetit kontraktor (Ministrisë së Mjedisit, shën.red)…”, thuhet në dokumentin e SPAK-ut.
Qëndrimi i Gjiknurit nuk është thjesht parimor dhe irrelevant në këtë histori.
Gjithnjë sipas SPAK-ut, Ministria e Gjiknurit ka pasur rol thelbësor në procedurën koncesionare.
“…Rezulton i administruar një dokument, “Impiant i përpunimit të mbetjeve urbane në qytetin e Elbasanit, studim fizibiliteti, me kokën e Ministrisë së Mjedisit, i përgatitur në nëntor 2014, i nënshkruar nga 6 persona…Në pikën 2 të këtin dokumenti, ‘Analiza Teknike’, është shënuar se Projekti pritet të ketë aktorë kryesorë në nivel kombëtar; Ministrinë Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes; Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministrinë e Financave…”.
Për llogari të hetimit të saj, SPAK shprehet se, “siç vihet re, një aktor shumë i rëndësishëm është Ministria e Zhvillimit Ekonomik…”.
Në të njëjtën frymë, në optikën e SPAK-ut, secila nga tre ministrisë, përfshirë edhe ajo e Infrastrukturës, e drejtuar nga Gjiknuri, ka pasur rol shumë të rëndësishëm në procedurën e koncesionit të inceneratorit të Elbasanit.
Nga “tre aktorët kryesorë”, pra Arben Ahmetaj, Damian Gjiknuri dhe ministri i Financave i asaj kohe, Shkëlqim Cani, vetëm ky i fundit ka shprehur skepticizëm dhe pengesa për realizimin e projektit. Lefter Koka, i cili, sipas letrave, ideoi procedurën e paligjshme, është i arrestuar. “Aktori i parë”, Arben Ahmetaj, tashmë i shpallur në kërkim ndërkombëtar. Mbetet për t’u parë në vijim se si do të veprojë SPAK me “aktorin e dytë të rëndësishëm”, Damian Gjiknuri, i cili, njëlloj si Ahmetaj, ka shprehur dakordësinë për procedurën e paligjshme të kontratën koncesionare për impiantin e mbetjeve të Elbasanit.
Jo vetëm procedurat, por edhe pagesa nga Zoto-Mërtiri?
Në faqet 269-271 të dosjes së SPAK mbi hetimin e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj dhe lidhjeve të tij me biznesmenët e incineratorëve, prokurorët vërejnë se kanë gjetur dy pagesa të bëra nga Klodian Zoto për hotele në Frankfurt dhe në Vienë, me emër klienti Damian Gjiknuri. Prokurorët i paraqesin këto rezervime si prova për të treguar se të katërt mund të jenë takuar në Frankfurt.
“Ekziston dyshimi se shtetasit Arben Ahmetaj dhe Damian Gjiknuri janë takuar dhe kanë qëndruar bashkë më datë 08.02.2014 në Frankfurt me shtetasit Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto,” thuhet në dokumentin e prokurorisë.
Sipas fakteve të mbledhura nga hetimi, Zoto ka paguar për Gjiknurin Hotelin Mariot me vlerë 147 mijë lekë.
“…emaili i agjencisë xxx me titull ‘hoteli i mr Gjiknuri’” shkruhet në dokumentin e prokurorisë. “…Ky email më datë 08.02.2014 ora 07.45.51 i është përcjellë nga Damiani emailit të Klodian Zotos,” shkruan më tej prokuroria. Gjiknuri ishte nisur në këtë rast për në Shtetet e Bashkuara në një udhëtim zyrtar.
Në rastin e dytë, një hotel në Vienë është paguar në emër të Gjiknurit nga Klodian Zoto. Në këtë udhëtim, Gjiknuri ishte me mision zyrtar, negociatat me kompaninë çeke të energjisë elektrike, CEZ për riblerjen nga shteti shqiptar të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes. Por prokuroria thotë se një projekt tjetër nga ana e Zotos dhe Mërtirit ka qenë objekt i bisedimeve – një kontratë koncesionare për instalimin e mbi 1 milionë matësave të energjisë elektrike. Prokuroria vëren se nga informacioni i marrë nga bankat e nivelit të dytë, Zoto bëri pagesa me vlerë mijëra dollarë në një hotel në Vienë me një opsion që sugjeron se ai ka qenë fizikisht atje dhe se karta nuk është përdorur online.
Sipas prokurorisë bëhej fjalë për një interes në të cilin ishte përfshirë kompania ITS sh.p.k dhe AE Distribution e shtetasit Gerian Kuka si dhe një kompani kineze, me qëllim të shitjes së matësave të energjisë elekrike. Gjiknuri në atë kohë ishte ministër i Energjisë dhe Shqipëria po përjetonte të ashtuquajturën reformë të rimëkëmbjes së sektorit të energjisë, e cila përfshiu burgosjen e mijëra shqiptarëve nën akuzën e vjedhjes së energjisë elektrike. Nga sa dihet publikisht, nuk ka të dhëna nëse një projekt i tillë u realizua ndonjëherë.
Por, në prononcimet për mediat, Damian Gjiknuri ka publikuar disa shkresa se udhëtimet dhe pagesat e hoteleve janë paguar nga ministria që ai drejtonte.
Ndërkohë, sa i përket pyetjes nëse është takuar apo jo ndonjëherë me biznesmenët Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, Gjiknuri nuk ka dhënë asnjë koment, teksa ka deklaruar se do përgjigjet në SPAK nëse do të thirret për të dëshmuar.
Edhe Berisha ka krahasuar rastin Ahmetaj me atë të Gjiknurit
Pas përfundimit të mbledhjes së Asamblesë së PS-së, kreu i PD-së Sali Berisha ka dhënë një deklaratë për mediat, ku është shprehur se Damian Gjiknuri u flak njësoj si Arben Ahmetaj, teksa përgjegjës kryesorë për çështjen e inceneratorëve ka bërë Ramën-Agaçin dhe Veliajn. Sipas Berishës, Gjiknuri është në hetim kombëtar për çështjen e inceneratorëve, por edhe në hetim ndërkombëtar për çështjen “McGonigal”.
“Asambleja e mafies shtetërore më të rrezikshme në Europë, pas asaj Putin-Lukashenko, u mbyll siç filloi, nën flakët e djegësave. Ajo çka mund të thuhet me siguri nga ky zhvillim 50-minutësh është se djegësat po përzhitin, po përcëllojnë me flakët e tyre, ndonëse nuk janë ndërtuar, mazhorancën mafioze të Edi Ramës.
Mafia shtetërore më e rrezikshme në Europë, u mblodh me dyer të mbyllura pasi vendi është në flakë. U mblodh me dyer të mbyllura pasi prokuroria speciale, në një dosje 310 faqe, ka tronditur si një tërmet 8-ballësh, mafien më të rrezikshme të Europës. Ka tronditur sepse ka sjellë edhe njëherë në skenë për publikun shqiptar dhe ndërkombëtar, vjedhjen e shekullit dhe të gjithë organigramën e piramidës së vjedhjes së shekullit me në krye Edi Ramën.
Ajo dosje që rëndom mund të quhet dosja ‘Ahmetaj’, në çdo rresht, në çdo fjalë, në çdo kuptim dhe çdo nënkuptim, është dosja Rama, dosja Agaçi, dosja Veliaj. Ndonëse viktima e fundit, Damiani, që u flak sot si Arben Ahmetaj, natyrisht me këshillën për t’u arratisur, dosja dhe flakët e saj kanë përcëlluar deputetë, ministra të tjerë e me radhë. Ndaj dhe lokali i bukur i pronarit të vet, u shndërrua në shpellë mafie për një orë. Nuk kam asgjë me lokalin, por dyert e mbyllura ishin fytyra e vërtetë e mafies shtetërore.
Largimi i Gjiknurit ishte…Gjiknuri është një kufomë politike e pakallur me dy hetime të tmerrshme, një kombëtar dhe një ndërkombëtar. Është në hetim kombëtar për aferën e inceneratorëve, por në një vepër penale bashkautor me Edi Ramën dhe shpejt do e sjellin këtu, Gjiknuri është në hetim ndërkombëtar për aferën McGonigal, dhe Edi Rama kujton se do e kalojë Lanën duke hedhur Gjiknurin. Jo, do bjerë vetë. Çështja McGonigal i rri si shpatë Damokleu”, u shpreh Berisha./BoldNews