Alexei Navalny, lideri i opozitës ruse, do të përcillet sot në banesën e tij të fundit, pasi humbi jetën në burg.
Sipas raportimeve të mediave të huaja, në kishën ku po kryhet ceremonia mortore, por edhe në segmentet drejt varrezave ku do të prehet në Moskë, ka një prani tepër të madhe të forcave të policisë.
Ndërkohë, gazetarët kanë kërkuar të marrin një reagim nga zëdhënësi i Kremlinit, i cili ka deklaruar se në fakt nuk kanë asgjë për të komentuar për Alexei Navalny, teksa përsëriti mesazhin për qytetarët se nëse do të kenë protesta për të, secili që merr pjesë do të përballet me përgjegjësitë ligjore.
“Kremlini nuk ka asgjë për t’i thënë familjes së Navalny në ditën e funeralit të tij”, deklaroi Dmitry Peskov.
Kush ishte njeriu që luftoi kundër shtetit rus dhe refuzoi të heshtë
Aktivisti dhe politikani opozitar u dënua me 19 vjet në gusht 2023 pasi u shpall fajtor për akuzat për ekstremizëm në lidhje me Fondacionin e tij Kundër Korrupsionit.
Ai ishte tashmë i burgosur për akuza të tjera për të cilat deklaroi se ishin të motivuara politikisht.
Duke u bërë i njohur në fillim të viteve 2000, Navalny ishte dënuar më parë për sfidë ndaj zyrtarëve të qeverisë, përvetësim, mashtrim, shkelje të lirimit me kusht dhe për shpërfillje të gjykatës.
Fondacioni që ai ngriti në vitin 2011 ka kërkuar të nxjerrë në shesh të vërtetën për Putinin dhe bashkëpunëtorët e tij përmes dokumentarëve në internet që ekspozonin stilin e tyre të pasur të jetesës.
Fushata e tij e vazhdueshme i dha atij një rrjet ndjekësish besnikë brenda dhe jashtë Rusisë.
Ai gjithashtu u burgos në mënyrë të përsëritur, iu ndalua të kandidonte për poste politike dhe ajo që e bëri të njohur në tërë botën ishte helmimi në 2020 me agjentin nervor Novicok, i përdorur gjërësisht në epokën sovjetike për të eliminuar kundërshtarët, sulm të cilit i mbijetoi mrekullisht pas kurimit në Gjermani.
Shumë liberalë në Rusi e kishin parë atë si një figurë të stilit Mandela dhe shpresonin se ai do të lirohej për të marrë përfundimisht postin e presidentit.