Berisha: Qeveria i blen gjykatës e prokurorë me rroga të larta, rroga mesatare e shqiptarëve ka rënë me 40-50%

Kryetari i PD, Sali Berisha, gjatë fjalës në tubimin qytetar deklaroi se, qeveria ka vendosur ti blejë gjykatësit e prokurorët jo me premtime, por me lek. Berisha tha se, qeveria rrit pagat e tyre, duke bërë që ata të vendosen në shërbim të qeverisë, por ndërsa rriten pagat e tyre, rrogat e shqiptarëve kanë rënë me 40-50 përqind.

Mirëmbrëma dhe përshëndetje të përzemërta.

Është kënaqësi e veçantë dhe u falënderoj me shumë mirënjohje për këtë takim shprese të përnatshëm.

Për fjalët tuaja, për praninë tuaj, betejën tuaj me të cilën ju rrezatoni shpresë, besim tek mbarë shqiptarët.

Të dashur miq.

Sot njëlloj si në pushtimet më të egra, ne përballemi me dy të këqija të mëdha. Me dy armiq të egër të qenies sonë.

Së pari, me mohimin e votës së lirë.

Së dyti, me vjedhjen e tmerrshme të pasurive publike dhe fondeve publike nga qeveritarët tanë.

Që të dyja këto fatkeqësi të mëdha kombëtare, të dy këto mure që na ndajnë nga e ardhmja që meritojmë, kanë një autor. Kanë një ndërtues të tyre dhe ky është Edi Rama.

Të dashur miq.

U bëj sonte thirrje shqiptarëve kudo që janë të mendojnë për një moment dhe të shtrojnë pyetjen vetes: si ka mundësi që në vitin 2013, ne arritëm të jemi qytetarët më të mirëpaguar në rajon, arritëm të kemi rrogat dhe pensionet më të larta në rajon.

Çfarë ndodhi me ne këto 10 vite, gjatë të cilave rrogat duhet të ishin dyfishuar, minimumi dyfishuar, për të mos thënë trefishuar? Pse ne u rrokullisëm përsëri siç kemi qenë në dekada në mos shekuj, njerëzit më të keqpaguar në rajon?

Kjo ka vetëm një shpjegim. Asgjë tjetër, vjedhje, vjedhje dhe vetëm vjedhje të pasurive të qytetarëve shqiptarë nga Edi Rama dhe klika e tij.

Cilido që sheh shifrat, konstaton se pas vitit 2013, shqiptarët paguajnë taksa dy herë më shumë.

Se pas vitit 2013, rrogat njëlloj si në sistemin komunist u ngrinë dhe nuk u rritën.

Borxhi u rrit, rrogat dhe pensionet nuk u rritën.

Çmimet u rritën dhe tejkaluan çmimet në vendet e BE-së.

Sot, miqtë e mi, ushqimet e përditshme i blen më lirë në Itali, i blen më lirë në Greqi, i blen më lirë në shumicën e vendeve të BE.

Kjo sepse rrogat, pensionet, mbeten ato të cilat ishin. Nuk ndoqën rritjen e çmimeve.

Kjo bëri që varfëria e frikshme të shtrohet këmbëkryq në 60 përqind të vatrave të shqiptarëve.

Ndërkohë që rrogat e zyrtarëve më të lartë, krahasuar me rrogën mesatare të shqiptarëve, u bënë 6 herë më të larta.

Por jo vetëm 6 herë, por edhe 15 herë më të larta. Nuk ka vend në botë që një zyrtar të marrë 15 rroga, apo të marrë 70-80 pensione në muaj.

Kjo ndodh vetëm në sistemin ku nomenklatura e pushtetit nuk pyet për jetën e qytetarëve.

Kjo ndodh vetëm në sistemin ku gjykatës dhe prokurorë blihen nga qeveria me rrogat e larta.

Dhe i jepet gjykatëses 6 milionë rrogë, 7 milionë rrogë, një krim shtetëror i vërtetë.

Një muaj më parë po lexoja deklaratën e një kongresmeni të SHBA, i cili u shpreh se të ardhurat e tij mujore nuk ishin rritur një dollar të vetëm nga viti 2009 gjer në vitin 2024.

Ndërkohë, rroga mesatare e amerikanëve ishte rritur në mënyrë progresive.

Mu kujtua Shqipëria, ku rroga mesatare e shqiptarëve, në raport me çmimet, është ulur të paktën me 40-50 përqind.

Kurse rrogat e larta të ministrave, qeveritarëve, janë dy e trefishuar dhe më shumë”, u shpreh Berisha.

About Redaksia

Check Also

Begaj dhe Balla sajojnë vizita shtetërore në Gjermani, dy bileta për Hamburg

Golat e kombëtares këtë europian në Gjermani janë nga ato ngjarje që kur të kujtohen …