Pa Kylian Mbappe, PSG është një ekip normal, nuk të ngjall frikë, por me “gjelin” në formacion, francezët janë në një tjetër nivel. Kapiteni vërtetoi edhe një herë se është thjesht i pazëvendësueshëm për këtë ekip, përballë Real Sociedad ishte pikërisht ai që bëri diferencën duke realizuar një “dopietë” golash. Ylli francez tregoi menjëherë klasin e tij, që në minutën e 15-të, në topin e parë që i erdhi në këmbë, me një veprim personal kaloi PSG në avantazh.
Me fillimin e pjesës së dytë, Mbappe u shkëput shpejt duke realizuar golin e dytë, një gol që praktikisht mbylli sfidë, në një kohë kur PSG kishte fituar 2-0 edhe sfidën e parë. Sociedad u përpoq të rikthehej në lojë, por goli i Merino erdhi vonë, në minutën e 89-të, duke mos i prishur festën francezëve që siguruan një biletë për në fazën çerekfinale.
“Jemi shumë të lumtur, dëshironim të fitonim për të siguruar kualifikimin. Cili është mesazhi im pas kësaj dopiete? Nuk kam asnjë mesazh në veçanti, Champions është një turne i veçantë ku duhet të japësh gjithnjë maksimumin”, u shpreh Mbappe duke bërë në fund dhe një koment të shkurtër për raportin e tij me Luis Enrique: “Shumë i mirë, shumë i mirë. Nuk kam asnjë problem me të. Luis nuk është një problem për mua”, theksoi Mbappe.
Pavarësisht luftës së fortë të zhvilluar mes palëve, për largimin e tij me parametra zero, të gjithë në Francë përulen përpara Mbappe: “I pazëvendësueshëm”, shkruan L’Equipe në faqen e parë.