”Dyqani mbyllur… kthehem shpejt!”

Nga Iva V.GRILLO

Lajmi i postuar dje mbi mbylljen e Muzeut Kombetar për “rikonstruksion, zbukurim…etj”, pa bërë publik asnjë projekt të aprovuar, plan apo foto të asaj që synohet të bëhet me këtë ndërtese e institucion, më kujtoi ato shënimet me shkrim dore që shiheshin nëpër xhamat e dyqaneve të bukës apo bulmetit dikur: “kthej për 5 minuta”…”dyqani mbyllur…kthehem shpejt”, etj, etj.

Në këto raste nuk jepej asnjë arsye formale por njerëzit e merrnin me mend që shitësi apo punonjësi kishte ikur për hesap të vet diku…për gjumin e drekës apo për të zgjidhur ndonjë hall personal.

Të shikosh në 2024 të njëjtën sjellje nga institucione shtetërore, që ulin “qepenat” pa dhënë një arsye a projekt zyrtar, por mjaftohen vetëm me premtimin “kthehem pas 5 vjetësh”…është tragji-komike.

Sot ka qarkulluar në rrjet një foto që tregon një projekt të mundshëm për “rikonstruksionin” e godinës…ku dallohet qartasi një kullë gërdallë mbi Muzeun Kombëtar…ku këtij të fundit i bie të shërbejë si bazament apo bodrum i gërdallës.

Nuk di sa i vërtetë është ky variant, gjithsesi vetëm ngritja e gërdallave të tilla mund të spjegojë mbajtjen sekret të projektit të rikonstruksionit dhe komunikimet e tipit “muzeu mbyllur…kthehem pas 4-5 vjetësh”.

Në qoftë se projekti është ky që shohim në foto, pas “pushimit” 4-5 vjeçar ajo se çfarë do të përurohet do të jetë: Kulla Kombëtare me një muze…dhe jo Muzeu Kombëtar.

About Redaksia

Check Also

E drejta që s’u dha, por u fitua: Emigrantët shqiptarë në Itali dhe beteja e tyre 30-vjeçare!

Nga Alba KEPI Pas dekadash kontributi në ekonominë italiane, letra, peticionesh dhe pritje të gjata, …