Kryetari i PD, Sali Berisha në fjalën e tij përshëndetëse në tubimin qytetar ka falënderuar të gjitha nënat, gratë, motrat dhe vajzat shqiptare për kontributin e tyre të paçmueshëm. Berisha tha se, për PD-në nuk do të ketë përparësi më absolute se sa beteja e pamëshirë kundër diskriminimit të femrës
“Mirëmbrëma dhe një përshëndetje të zjarrtë ju qëndrestarëve të lirisë, por sonte para jush dhe në emër tuaj dua të përulem me nderimin më të madh, mirënjohjen më të pakufishme para nënave, motrave, zonjave, zonjushave të pranishme sot në këtë protestë dhe kudo që janë në të 4-anët e Shqipërisë dhe kudo që ndodhen jashtë dheut tonë, në mbarë botën.
Të dashur miq!
Nuk ka fjalë, nuk ka himn, nuk ka apoteozë, nuk ka simfoni, nuk ka këngë, nuk ka melodi që mund të paraqesë atë që nënat, motrat, vajzat, gratë tona meritojnë për gjithçka ato kanë bërë dhe bëjnë.
Miqtë e mi!
Nuk dua të harrojmë se vetë bota e qytetëruar dhe qytetërimi kanë në themel para së gjithash dhe mbi të gjitha, gruan, nënën vajzën, motrën.
Ekzistenca e kombit shqiptar si i tillë, është atribut i nderit të tyre.
Dhjetëra e dhjetëra pushtime kaluam në këto troje, por ato lindën vetëm shqiptarë.
Ruajtën për të marrë hua fjalën e një nëne e cila u ndodh në kampin e Tepelenës dhe varrosi fëmijën e vet; ruajta thotë sojin e burrit. Ruajti nderin e vet dhe të tilla qenë gratë shqiptare në shekuj.
Ndaj dhe ne ngelëm shqiptarë.
Miqtë e mi!
Me asgjë nuk mund të shpërblehet ai vlerësim që nënat dhe motrat, gratë meritojnë.
Ato janë së bashku me forcën hyjnore, krijuesit e mrekullisë më të madhe të shoqërisë njerëzore, familjes, vatrës familjare.
Por nga ana tjetër në mënyrë të padrejtë ato u shpërblyen me murin e patriarkisë, me sundimin e patriarkialitetin, mur i cili në shekuj dhe mijëvjeçar ishte dhunuesi më absolut i të drejtave të njeriut.
Mur i cili edhe sot është gjenerator dhunë dhe padrejtësie ndaj tyre.
Është kudo në botë, por në Shqipëri është ndër më të egrit, më të rëndë se kudo tjetër.
Kontributi i nënave, motrave, vajzave dhe grave në shoqëri është i paçmueshëm në të gjitha aspektet dhe megjithatë ato janë të diskriminuara.
Kontributi i tyre në luftën kundër diktaturës ka qenë përcaktues, vendimtar, guximi, përkushtimi i tyre ishte përcaktues për çlirimin e Shqipërisë.
Me këtë vetëdije PD në pushtet u angazhua në një betejë të vendosur kundër pasojave të murit të patriarkisë. Në vitin 2006, diskriminimi mes vëllait dhe motrës, burrit dhe gruas, nënës dhe babait, në rrafshin financiar arrinte në një diferencë 36% në rroga.
Por të betuar për të bërë gjithçka kundër këtij muri, edhe sot ndjehem i lehtësuar sepse kjo diferencë pas 8 vitesh qeverisje të PD-së zbriti në 17.8 %. Arriti në nivelin Europian.
Përsëri kjo sot kjo diferencë është rritur në mënyrë të neveritshme.
Ky dhjetëvjeçar ishte 10-vjeçari kulmor i dhunës primitive të burrave, por dhe të shtetit ndaj grave, qëndrimit indiferent ndaj kësaj dhune, qëndrimit patriarkal ndaj kësaj dhune.
Sot gruaja shqiptare përballet me dy të këqija të mëdha.
Përballet sërish me murin në rritje të patriarkisë.
Përballet në diktaturën e bazuar në aleancën e pushtetit me drogën, krimin dhe vjedhjen.
Është ajo e cila çdo mëngjes, çdo drekë dhe darkë, vuan e para pasojat e tiranisë së varfësirë, e tiranisë së mjerimit.
Është ajo që vuan më shumë se të tjerët, mjedisin narkotik të krijuar nga politika e kanabizimit të plotë të Shqipërisë nga Edi Rama.
Është ajo që mban brengën e madhe të përcjelljes së fëmijëve në dhera të tjera.
Pra dy janë të këqijat e mëdha me të cilat përballet sot, nëna, motra, gruaja e vajza shqiptare, por përsëri e thatë shumë bukur, e thanë bukur oratoret e shkëlqyera që folën para meje: po të kishte një emër tjetër gruaja do të quhej heroinë se në të vërtetë të tilla janë.
Askush nuk përballet me më fuqi me të keqen se sa nënat, motrat, gratë dhe vajzat tona.
Ndaj dhe unë shfrytëzoj këtë rast duke garantuar se për PD-në nuk do të ketë përparësi më absolute se sa beteja e pamëshirë kundër diskriminimit të burrit me gruan, vëllait me motrën, babait me nënën.
Në këtë kontekst do të bëjmë gjithçka për barazi reale gjinore.
Do të bëjmë gjithçka që fëmijët të rriten, edukohen në kushte e mjedise normale.
Do të bëjmë gjithçka që gratë dhe vajzat tona të mund të shpalosin potencialin e jashtëzakonshëm që ato mbartin në vetvete, për veten, familjen dhe kombin shqiptar e Shqipërinë”, u shpreh Berisha.