Gjatë fjalës në tubimin qytetar, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi se Edi Rama është një hajdut, që i ka shndërruar punët publike në një mallkim qytetar.
Berisha tha se, nuk kanë nevojë të pyesin askund sepse ata kanë parë se rruga Rrëshen-Morinë është ndërtuar në më pak se dy vite.
“Miqtë e mi, dje ai do deklaronte një muaj pasi u shemb rruga Korçë-Ersekë, do përgjigjej me një fjali, se ka fajin e ka kompania e ndërtimit dhe ajo do paguajë.
Edi Rama i ka shndërruar punët publike nga bekime për publikun në mallkime për publikun.
Dje u thoshte shqiptarëve të pyesin pak se sa kohë merr një rrugë, ndërtimi i një rruge në Gjermani apo në Angli.
I asgjësonte ata. Vetëm sa nuk u thoshte ju hani bar.
Se sa merr një rrugë për të ndërtuar, shqiptarët e kanë mësuar prej kohësh. Nuk kanë nevojë të pyesin askund sepse ata kanë parë se rruga Rrëshen-Morinë është ndërtuar në më pak se dy vite.
Se rruga Ibë-Elbasan me tunele e të gjitha u ndërtua në 18 muaj.
Se rruga Levan-Memaliaj u ndërtua në 24 muaj.
Se rruga Orikum-Sarandë u rindërtua në 70 e sa kilometra në pak më shumë se dy vite.
Se rruga Shkodër-Hani i Hotit u ndërtua në dy vite e gjysmë.
Se rruga Levan-Vlorë u ndërtua në dy vite.
Kurse rruga Qukës- Qafë Plloçë vazhdon ndërtimin prej 15 vitesh. Nga 75 milionë euro për 43 kilometra, gjer sot janë shpenzuar 255 milionë të vjedhura dhe vetëm të vjedhura.
E tillë është rruga që iu referua Edi Rama. Edhe ajo Korçë-Ersekë, një rrugë prej 27 kilometrash, vazhdon ndërtimin prej 13 vitesh. I ndërrohet gjurma dhe arrin të gjashtëfishohet çmimi.
Pra, ky hajdut ka shndërruar punët publike në një mallkim për qytetarët, të cilat përdoren për t’i vjedhur dhe rrjepur, për t’i varfëruar dhe denigruar, për të shkatërruar vendin”, tha Berisha.