Lideri i opozitës, Sali Berisgha tha se, Partia Demokratike ka programin më të shkëlqyer dhe ne kemi trashëgimi për realizimin e premtimeve tona. Berisha u shpreh se PD ka programin më të shkëlqyer që adreson dhe zgjidh të gjitha problemet e mëdha me të cilat përballet vendi.
“Atyre që mendojnë se këto janë fjalë boshe, atyre u përgjigjemi se ne kemi një trashëgimi dhe ajo trashëgimi është dyfishimi i rrogave dhe pensioneve për shqiptarët.
Ajo trashëgimi është transformimi i infrastrukturës për Shqipërinë.
Ajo trashëgimi bëri që Shqipëria të kalojë nga grupi i vendeve me të ardhura të ulëta në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta.
Ajo trashëgimi bëri që shqiptarët, më të varfërit e më të varfrit jo vetëm në rajon, por ndër 3 më të varfrit në planet në vitin 1992, të jenë më të mirëpaguarit në rajon në vitin 2012.
Ajo trashëgimi bëri që Shqipëria të anëtarësohet në NATO, të luftojë me zero tolerancë krimin, të marrë liberalizimin e vizave.
Dhe u shndërrua në një faktor të pazëvendësueshëm të pavarësisë së Kosovës.
Kjo nuk është asgjë për t’u projektuar për të ardhmen.
Por askush nuk mund të na thotë ne se nuk kemi realizuar ato që kemi premtuar.
Askush nuk mund të na thotë ne se nuk dimë rrugën e dy dhe trefishimit të rrogave.
Askush nuk mund të na thotë ne se nuk çelim dot dyert e integrimit të plotë të Shqipërisë në Europë.
Por të gjitha këto miq, kanë vetëm një kusht dhe ky kusht është krijimi i qeverisë teknike. Vota e lirë e shqiptarëve”, tha Berisha.