Vendimi i gjykatës: Princi të largohet nga Pallati Mbretëror! 

Është zbardhur vendimi i plotë i gjykatës, që pajisi me urdhër mbrojtjeje Princin Leka II Zogu dhe Elia Zaharian, të cilët paditën njëri-tjetrin për dhunë.

Në dokumentin e siguruar nga Tch, theksohet që Princi mund t’i afrohet Pallatit Mbretëror, vetëm në rastet kur do të takojë vajzën e mitur.

Pasi ka pranuar padinë e Elias, gjykata ka urdhëruar “lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes për të:

“Urdhërohet menjëherë i padituri Leka II Zogu të mos kryejë ose të mos kërcënojë se do të kryejë vepër dhune në familje ndaj paditëses Elia Zogu.

Urdhërohet menjëherë i padituri Leka II Zogu të mos i afrohet paditëses Elia Zogu, përtej një distance prej 5 metrash.

Urdhërohet menjëherë i padituri Leka II Zogu të mos qëndrojë në banesën ku jeton paditësja Elia Zogu, e cila ndodhet në adresën Rruga Murat Toptani, Vila Rezidenciale Mbretërore nr.6, Tiranë, me përjashtim të rasteve kur ka oraret e takimit me fëmijën e mitur, Geraldina Zogu.

I padituri Leka II Zogu ka të drejtë të takojë dhe të qëndrojë me fëmijën e mitur nga dita e hënë deri të premten, nga ora 16:00 deri në orën 18:00 dhe ditën e shtunë dhe të diel nga ora 11:00 deri në orën 13:00, marrja dhe dorëzimi i fëmijës do të realizohet në prezencën e dados.

Gjykata ka pranuar padinë edhe nga Princ Leka dhe ka lëshuar urdhrin e menjëhershëm të mbrojtjes për të:

“Urdhërohet menjëherë e paditura Elia Zogu të mos kryejë ose të mos kërcënojë se do të kryejë vepër dhune ndaj paditësit Leka II Zogu.

Urdhërohet menjëherë e paditura Elia Zogu të mos cenojë, kërcënojë paditësin Leka II Zogu.

Urdhërohet menjëherë e paditura Elia Zogu të mos i afrohet paditësit, banesës ku jeton paditësi Leka II Zogu, vendit të tij të punës apo vendeve të tjera që frekuenton, përtej një distance 5 metër.

Urdhërohet menjëherë e paditura Elia Zogu të mos qëndrojë në banesën ku jeton, e cila ndodhet në adresën Rruga Murat Toptani, Vila Rezidenciale Mbretërore nr.6, Tiranë, gjatë orareve të takimit të paditësit Leka II Zogu me fëmijën e mitur Geraldina Zogu.

E paditura Elia Zogu deri në marrjen e vendimit për vërtetimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes, do të qëndrojë në banesën ku jeton aktualisht, e cila ndodhet në adresën Rruga Murat Toptani, Vila Rezidenciale Mbretërore nr.6, Tiranë.

Ky urdhër i menjëhershëm mbrojtjeje i fillon efekte që nga data 7 mars 2024.

Data e gjykimit për vërtetimin e këtij urdhri do të jetë në 21 mars, ora 114:00.

Ky vendim përbën titull ekzekutiv dhe ekzekutohet menjëherë nga Zyra e Përmbarimit.

Shkelja e këtij vendimi përbën vepër penale, sipas nenit 320 dhe 321 të Kodit Penal.”

Kujtojmë se Princ Leka dhe Elia Zaharia janë prej muajsh në proces divorci, ku Elia Zaharia jeton në Pallatin Mbretëror ndërsa Princ Leka jeton në banesë me qira.

Ky i fundit thuhet se është në një romancë me fotografen e Pallatit Mbretëror, Blerta Celibashin. Dyshja është fotografuar shpesh herë bashkë, por ende ata nuk e kanë konfirmuar publikisht.

Së fundmi, Princ Leka dhe Elia Zaharia u përplasën fizikisht, teksa i pari kishte shkuar në Pallatin Mbretëror për të takuar vajzën e tyre 3-vjeçare, Geraldinën. Princi kishte flimuar me telefon momentin kur Elia Zaharia i vinte nga pas dhe ushtronte dhunë ndaj tij.

Ndërkohë të dy palët denoncuan në Polici për dhunë ndaj njëri-tjetrit, ku fillimisht përplasja kishte nisur mes Princ Lekës dhe babait të Elias, Gjergj Zaharisë.

About Redaksia

Check Also

Ambasadori Alistair King-Smith mori shpifjen e Lulzim Bashës dhe e përcolli si të vërtetë te qeveria e tij

Lideri i opozitës, Sali Berisha i është përgjigjur ambasadorit britanik në Tiranë, Alistair King-Smith, duke …