Lideri i opozitës, Sali Berisha u shpreh se po mbahet në arrest për një vendim të vitit 2008 që qytetarët të përdornin letrat me vlerë për objektet në privatizim, ndërsa Edi Rama miratoi sot pas 16 vitesh zgjatjen e afatit të përdorimit të tyre. Berisha tha se kjo është drejtësia e monstrës Xhorxh Soros.
“Unë flas sot nga kjo dritare në arrest shtëpie me akuzën e Edi Ramës se unë në vitin 2008 kam miratuar një vendim qeverie, që qytetarët të përdorin për të blerë objektet e privatizimit, letrat me vlerë.
E vërteta si drita e diellit është se ai vendim u mor 1 muaj pasi familja e dhëndrit tim dhe ai kishin paguar mbi 90 përqind të shumës me lekë dhe jo letra me vlerë.
Dhe kishin paguar një muaj më parë, kurse vetë dhëndri im përfitoi nga ai vendim 64 euro.
Ndërkohë si Bege, ata paguan 40 përqind të 800 mijë dollarëve.
Sot Edi Rama përsëri miratoi vendimin për zgjatjen e përdorimit të letrave me vlerë.
Ky i pafytyrë, ky i pamoral që akuzon paraardhësin se miratoi vendimin për letrat me vlerë për të favorizuar dhëndrin me 64 euro, tani, sot pas 16 vitesh, përsëri zgjat afatin e përdorimit të këtyre letrave.
U ndala në këtë shembull vetëm për të ilustruar se cila është sot drejtësia në Shqipëri.
Se cila është drejtësia e re e monstrës së njerëzimit, Xhorxh Sorosit.
Drejtësia e llumit njerëzor”, tha Berisha.