Analisti Fatos Lubonja, duke komentuar arrestimin e kreut të ARRSH, Evis Berberi, tha se ka dyshime se gjithçka ka ndodhur si pasojë e një lufte Brenda llojit.
Lubonja në emisionin ‘Open” tha se, Berberi mund të jetë kallëzuar nga një denoncues “brenda llojit” duke iu referuar një konflikti të brendshëm politik, ose një konflikt mes bizneseve të lidhura me njëra-tjetrën. Ai theksoi se drejtësia në këtë rast nuk po vepron si kontrolluese, por si eliminuese duke u shprehur se SPAK është instrumentalizuar.
Lubonja ngriti dyshime te ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku dhe bashkëpunëtorë të kreut të ARRSH duke përmendur se 298 tenderët për të cilët akuzohet Berberi nuk mund të kenë kaluar pa u vënë re dhe të jenë zbuluar vetëm në këtë moment.
“Cili është shkaku, kush është denoncuesi? Kjo që nuk ka denoncues është pikëpyetje. Sipas meje mund të ketë dy lloj denoncuesish. i pari mund të jetë denoncuesi brenda llojit për shkak të konfliktit të brendshëm politik ose një konflikt mes bizneseve të lidhura me njëra-tjetrën. Këta kanë trokitur sipas meje në SPAK. Është pak problem që SPAK nuk e thotë. Ky nuk është drejtori i vetëm, dihet prej kohësh që kush merr zyra në Shqipëri nuk i shërben të tjerëve, por i shërben vetes. Këtu thonë se çdo drejtor ka minimumi 1 milionë euro.
Këtu lind tema e SPAK-ut, si e mori këtë, ka shumë gjëra që themi ne dhe mediat që janë denoncuar në SPAK, ka shumë abuzime. Kjo befas u hap me arrestime. Problemi është se kjo punë është trashur shumë dhe nuk mendoj se kemi një frikësim, por eliminim, si ato që bëheshin dikur. Drejtësia nuk është kontrolluese sipas meje. Jo vetëm SPAK. Unë gjykoj që SPAK e bën këtë sepse diku ka një intrigë. Është një instrumentalizim i SPAK sërish më shumë se një SPAK që vepron i pavarur.
Ose është për fasadë që kapëm një, por ky është shumë i rëndësishëm. Por 298 tendera, dhe tani u kapën këto 298 tendera?! Nuk e shohin atë që bëhet ata, ajo ministrja Balluku nuk e sheh atë që bëhet. Ky ka dalë jashtë rreshti dhe duhet të eliminohet”, u shpreh Lubonja.