Bardhi: Përsëri sot Presidenti i Republikës humbi mundësinë të jetë shërbyes i interesit publik

Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka reaguar ndaj dekretit të Presidentit Bajram Begaj, lidhur me zonat e mbrojtura. Në reagimin e tij, Bardhi shprehet se përsëri sot Presidenti i Republikës humbi mundësinë të jetë shërbyes i interesit publik.

“Dekretimi prej tij i ligjit që shkatërron zonat e mbrojtura është tjetër provë se për Kreun e Shtetit në çdo rast prevalon interesi korruptiv i klientëve të Edi Ramës dhe jo interesi i qytetarëve shqiptar.

Kurrë në më shumë se 30 vjet Shqipëria nuk ka patur një President që nuk guxon të ngrihet në lartësinë e detyrës, si garant i Kushtetutës, ku përcaktohet se identiteti kombëtar dhe trashëgimia kombëtare janë baza e këtij shteti, i cili ka për detyrë t’i respektojë dhe t’i mbrojë.

Që nga emërimi në detyrë Presidenti i Republikës ka kthyer për rishqyrtim vetëm një ligj, që lidhej me interesat personale të tij. Ndërkohë një shumësi ligjesh, që prekin interesin e qytetarëve, që bien ndesh me Kushtetutën, ligje me porosi klienteliste apo korruptive, janë miratuar me kokën ulur nga Presidenti i Republikës, duke u vetëshpallur si degë e ekzekutivit dhe duke humbur rolin e tij kushtetues.

Shqipëria ka nevojë urgjente për rikthimin e balancës mes pushteteve, duke nxitur kontrollin e ndërsjellt mes tyre. Rikthimi i mekanizmave demokratike dhe mbrojtja e demokracisë është më i domosdoshëm se kurrë”, thekson Bardhi.

About Redaksia

Check Also

Berisha: Basho-opozitarët janë pengje të shpërfytyruara të vesit, bëjnë avokatinë e vjedhjes së votës nga Edi Rama

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në fjalën e tij në tubimin qytetar ne mbështetje …