Zëri i Amerikës: Këshilli i Ambasadorëve amerikanë, ishte për një vizitë fakt-mbledhëse në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni të Veriut. Cilat janë gjetjet tuaja?
Philip Hughes: Na ka bërë përshtypje të thellë përparimi që Maqedonia e Veriut dhe Kosova kanë bërë që nga shpallja e pavarësisë së tyre dhe përparimin që ka bërë Shqipëria, që nga përmbysja e regjimit brutal të Enver Hoxhës dhe rilindja si shtet demokratik. Njëkohësisht, na bëri përshtypje ndikimi i madh i fqinjëve në politikat e këtyre tre shteteve – rolin e madh që Serbia luan në skenën politike të Kosovës, rolin e madh që Bullgaria luan në skenën politike të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipëria e cila, siç e kuptuam, ka detyrim kushtetues të përkujdeset për mirëqenien e shqiptarëve jashtë kufijve të saj. U befasuam me aspiratën e këtyre shteteve për t’u bërë pjesëmarrës të plotë të komunitetit Euro-Atlantik dhe përparimit që kanë bërë për të realizuar këto qëllime. Njëkohësisht, në secilin rast, ato kanë pengesa për integrim në BE dhe në rastin e Kosovës edhe në NATO. Në rastin e Shqipërisë, çështjet e korrupsionit dhe kriminalitetit në njërën anë dhe problemet me një qeverisje të mirëfilltë demokratike nga anën tjetër, janë pengesa të shkaktuara nga vetë klasa politike e , Shqipërisë, që ky vend duhet t’i tejkalojë.
Zëri i Amerikës: Duke patur parasysh këto sfida, si duhet të angazhohen hartuesit e politikave amerikane me rajonin?
Philip Hughes: Duhet të provojmë të vazhdojmë dialogun e ngushtë me të gjitha palët në rajon dhe natyrisht ta vazhdojmë praninë e forcave amerikane atje. Ne vizituam Kampin Bondsteel dhe jemi thellësisht të impresionuar me profesionalizmin e ushtrisë tonë dhe kontributin që ajo jep në rajon… Nxisim qeverinë e Shqipërisë që të vazhdojë përpjekjet për të tejkaluar dy sfidat që i përmenda. Është vështirë për një qeveri që ka avantazhet siç i ka qeveria e Kryeministrit Rama, avantazhet e krijuara për shkak të bojkotimit të zgjedhjeve të mëparshme nga Partia Demokratike, që ka një pozitë të tillë komanduese në aspektin elektoral, të nxisë garë të vërtetë demokratike dhe t’i japë hapësirë palës tjetër. Mungesa e garës së vërtetë demokratike do të shndërrohet në pengesë për Shqipërinë nga ata që hezitojnë ta pranojnë vendin në Bashkimin Evropian për arsye të ndryshme dhe nuk u duhen dhënë arsye të tjera.
Zëri i Amerikës: Një nga çështjet kundërthënëse të viteve të fundit është vendimi i qeverisë së Shteteve të Bashkuara për të shpallur ish Presidentin e Shqipërisë Sali Berisha, persona non-grata. Në raport e konsideroni këtë vendim të padrejtë. A mund të na shpjegoni përse?
Philip Hughes: Kjo që thoni është paksa një lexim i gabuar i asaj që ne po përpiqemi të themi në raport. Është vështirë të gjykojmë rastin e Sali Berishës, sepse nuk kemi qasje tek faktet. Nuk e dimë se çfarë dëshmish i janë paraqitur Departamentit të Shtetit, apo çfarë provash kishte Sekretari Blinken kur bëri përcaktimin. Ajo që po përpiqemi të themi në raportin tonë, ajo që po përpiqemi të nënvizojmë, është se ky mund të jetë një rast, ku një nga ligjet tona po praktikohet në mënyrë shumë të përgjithshme, pa vëmendjen e duhur të Kongresit, duke sjellë pasoja të padëshiruara. Kjo është situatë në kundërshtim me traditat tona ligjore në Shtete të Bashkuara, ku njerëzit duhet të kenë qasje ndaj dëshmisë kundër tyre, në mënyrë që të kenë mundësinë për të kundërshtuar provat dhe të argumentojnë për të mbrojtur veten. Dhe kjo nuk është e mundur me mënyrën se si këto rregullore për shpalljen (non-grata) janë hartuar. Ajo që u përpoqëm të theksojmë është se kemi të bëjmë me diçka që bie ndesh me traditat ligjore amerikane dhe ndoshta duhet shqyrtuar. Ndoshta ka qenë e padrejtë, nuk e di, sepse nuk i kam faktet për rastin e Sali Berishës. Por është e sigurt se ai nuk ka qasje ndaj fakteve dhe nuk ka patur mundësinë që të mbrohet nga shpallja e vendimit apo të argumentojë në mbrojtje të vetes. Kjo nuk është mënyra se si ne i bëjmë gjërat në aspektin ligjor, në përgjithësi në SHBA, ndonëse ai natyrisht është shtetas i huaj.
Zëri i Amerikës: Shpallja, megjithatë, është mbështetur në një ligj të Kongresit, si një mjet politik për të luftuar korrupsionin dhe përcaktimet publike kanë filluar në vitin 2018 me prokurorin Adriatik Llalla. Dua t’iu pyes për kornizën kohore të këtij vendimi, sepse ju thoni se është vendim i administratës së Presidentit Biden, i Sekretarit Blinken. A mund të ketë filluar procedura nga administrata e mëparshme?
Philip Hughes: Qeveria amerikane, para zgjedhjes së Presidentit Biden më 2020, mund të ketë patur prova apo të dhëna nga Shqipëria, nuk e di. Ambasada u tregua e gatshme të na takonte por nuk na dhanë asnjë informacion, nuk hynë në asnjë nga faktet e rëndësishme që çuan te vendimi. Prandaj nuk e di se kur qeveria amerikane mund t’i ketë siguruar fillimisht të dhënat që mund të kenë çuar në vendimin e Sekretarit Blinken. Të gjitha diskutimet u përqëndruan në vendimet e marra gjatë administratës së Presidentit Biden.
Zëri i Amerikës: Dhe së fundmi, sa i rëndësishëm mbetet rajoni i Ballkanit?
Philip Hughes: Mendoj se mbetet shumë i rëndësishëm, sepse është një rajon që po bën përparim demokratik dhe ekonomik. Shpresoj që edhe Kosova një ditë të kalojë pragun dhe të anëtarësohet jo vetëm në BE, por në NATO për ta plotësuar praninë e aleancës në këtë pjesë të botës. Por nga përvoja ime, Shteteve të Bashkuara shpesh u duhet të përballen me çështje urgjente, dhe kjo shkakton vonesa në trajtimin e çështjeve të tjera të rëndësishme. Gjatë viteve ’90, konfliktet në Ballkan ishin kriza të menjëhershme. Tani ato nuk janë të tilla, por mund të bëhen sërish pjesë e një krize të menjëhershme, nëse konflikti në Ukrainë ka një përfundim të keq për ukrainasit, ose nëse Rusia vazhdon agresionin, apo në rastin ekstrem, synon të vërë në provë Nenin 5 të traktatit të NATO-s, në përpjekje për të thyer aleancën. Prandaj ky rajon duhet të ketë vëmendje politike të vazhdueshme dhe përparësi nga Shtetet e Bashkuara.