Reforma zgjedhore-jetike për fatin e demokracisë në Shqipëri

Nga Bujar LESKAJ

Raporti i OSBE\ODHIR-it për zgjedhjet vendore të 14 majit 2023 ofroi 27 rekomandime për përafrimin e zgjedhjeve tek ne, në përputhje me standardet e OSBE-së dhe standardet e tjera ndërkombëtare për zgjedhje demokratike.

OSBE\ODHIR denoncoi rastet e keqpërdorimit të burimeve shtetërore në nivel qendror dhe vendor gjate zgjedhjeve të majit 2023, si dhe dyshimet për presion nga partia në pushtet mbi punonjës të sektorit publik.

Të dyja strukturat ndërkombëtare monitoruese të zgjedhjeve tona, pohuan se rastet për blerje votash vazhdonin të ishin shqetësuese, duke kërkuar një hetim të pavarur për të gjitha pretendimet e opozitës për shkelje zgjedhore, përfshirë blerjen e votës, presionin ndaj votuesve nga strukturat e pushtetit në qendër dhe në bazë, si dhe keqpërdorimin e burimeve shtetërore (Raporti OSBE, viti 2023).

Kryefjala e zhvillimeve të sotme politike në vend duhet të jetë reforma zgjedhore. Kjo reformë është detyra kryesore dhe njëkohësisht përgjegjësia kryesore e historike e opozitës së bashkuar. Opozita e bashkuar ka detyrim sot ndaj të gjithë qytetarëve shqiptarë të kërkojë me forcë:

  1. Lejimin e koalicionve parazgjedhore, si një mundësi që votat e qytetarëve dhe votat që jepen për partitë e vogla të mos shkojnë dëm, si dhe si kusht “sine qua non” për zgjedhjet e përgjithshme të pranverës 2025;
  2. Listat e hapura, të cilat PD duhet t’i kërkojë po ashtu me forcë;
  3. Votimin e emigrantëve, i cili po rrezikon si proces të varroset edhe njëherë, nga hipokrizia, indiferenca dhe mosveprimi i sektit Rama në pushtet;
  4. PD të mos lejojë në asnjë mënyrë depolitizimin e komisioneve zgjedhore.

Opozita duhet të këmbëngulë fort në çdo lloj komisioni apo nënkomision parlamentar për realizimin e katër kërkesave të mësipërme, duke qenë konsistente në kërkesat e saj dhe duke ia djegur Ramës çdo tentativë për të bërë sërisht lojën e prishjes së marrëveshjeve, sikurse ndodhi me atë të 17 majit 2020, me deputetët e korporatave.

Në lidhje me kërkesën e katërt, të gjithë qytetarët po e shohin se sa thellë në këta 11 vjet janë futur në kapilarët e pushtetit dhe të makinës administrative qendrore dhe vendore patronazhistët e Ramës. Depolitizimi i komisioneve zgjedhore tani do të thotë kapitullim përballë armatës së trajnuar mirë dhe të gjithëndodhur të patronazhistëve. Fatet e zgjedhjeve të vitit 2025 nuk mund të lihen kurrsesi në duart e tyre.

xx

Po mbushet një vit nga raporti i OSBE/ODHIR dhe nuk ka lëvizur asgjë! Jo vetëm të 27 rekomandimet nuk janë shqyrtuar nga Komisioni Bipartizan, por as adresimi i Gjykatës Kushtetuese për votën e emigrantëve dhe herësin nuk ka njohur trajtim politik.

Tani, në mesin e marsit 2024, kur na ndan vetëm një vit e pak nga zgjedhjet e përgjithshme të pranverës 2025, jemi kthyer shumë pas. Kjo është e papranueshme, skandaloze dhe përgjegjësinë e vetme dhe të plotë e ka sekti Rama në pushtet, me indiferencën dhe sabotimin e tij ndaj propozimeve dhe rrugëdaljeve që jep opozita. Ishte Rama ai që prishi marrëveshjen zgjedhore të 17 majit 2020, e cila konfirmonte koalicionet parazgjedhore dhe garantonte një garë të drejtë. Ishte Rama që deformoi plotësisht garën zgjedhore.

Reforma Zgjedhore vazhdon të mbetet peng e marrëveshjes së vitit 2008 dhe opozita e bashkuar, me të gjithë peshën dhe kurajon e saj, duhet ta hedhë poshtë këtë marrëveshje, e cila deformoi sistemin demokratik të votës, vulosi kryetarokracinë dhe e bëri kryeministrin mbret! Ajo solli pasoja shumë të rënda dhe të hidhura për demokracinë dhe themelet e shtetit shqiptar.

Është koha për veprim nga ana e opozitës së bashkuar, sot më shumë së kurrë!

About Redaksia

Check Also

Veliaj shantazhon gazetaren pse i publikoi aferat korruptive

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj shantazhon gazetaren që ka publikuar fakte të shumta …