Nga Bujar LESKAJ
Si kryeçifligari i Shqipërisë po provon pa sukses hipnozën e rradhës me shqiptarët
Mitomania është një çrregullim psikologjik, në të cilin personi i prekur kthehet në gënjeshtar patologjik. Mitomani ka një sjellje të vazhdueshme, të prirë drejt gënjeshtrave, të cilat i ofrojnë përfitime të menjëhershme, siç janë admirimi apo vëmendja e të tjerëve.
Sapo opozita ia arriti më në fund të bashkohej, Rama ka dalë në një tur në gjithë vendin, gjoja për të rritur anëtarësinë në PS, duke deklaruar dhe u vetëgënjyer se gjoja sekti i tij në qeverisje është tre hapa para nga opozita e sotme e bashkuar.
Në fakt, Rama kërkon thjesht të hipnotizojë qytetarët, i tmerruar nga unifikimi dhe kompaktimi i rradhëve të opozitës, e cila po i sjell shpresë vendit për zgjedhjet e përgjithshme të 2025-ës.
Përmes takimeve pompoze me tapete të kuq, sekti Rama në qeverisje kërkon t’u shesë shqiptarëve hashashin dhe hipnozën se vendi po ecën përpara. Në të vërtetë, Shqipëria ka ecur vetëm prapa në ndërtimin e shtetit të së drejtës, ndoshta me dekada prapa, për qindra arësye. Po rendis tre më kryesoret prej tyre, që janë ndër më aktualet sot.
Së pari, sekti në qeverisje e ka shndërruar Kuvendin në një noter të rëndomtë të qeverisë, duke nxitur dhe sponsorizuar situatën kaotike të sotme të ligjvënësit, e cila i lejon të vazhdojë të prodhojë ligje që kapin Shtetin, në dobi të oligarkëve të vet, si Ligji për zgjatjen e Investimeve Strategjike, Ligji për Lojrat e Fatit, Ligjin për Burimet Ujore, ndryshimet në Ligjin për Zonat e Mbrojtura, etj.
Së dyti, Rama praktikisht i ka shbëre institucionet e pavarura dhe ato kushtetuese në vend, duke ua zeruar integritetin dhe dinjitetin. Mjafton të kujtojmë sjelljen e Institutit Kombëtar të Statistikave, i cili përfundoi në tetor 2023 Censin e popullsisë dhe, i deformuar nga presioni i Ramës, deklaroi se do ta vonojë me nëntë muaj nxjerrjen e rezultateve, deri në qershor 2024, duke mbuluar kësisoj të vërtetën e hidhur se në 11 vjet të qeverisjes së sektit Rama, shqiptarët kanë votuar me këmbë, duke iu larguar masivisht vendit të tyre! Ndoshta më shumë se një milion prej tyre kanë lënë Shqipërinë në këta 11 vjet!
Së treti, përmes një demagogjie të pafre në mediat tradicionale dhe rrjetet sociale, duke u dhuruar tendera publike pronarëve mediatikë, sekti Rama ka arritur të topisë disi shoqërinë civile dhe ndërgjegjen publike të vendit, duke e shndërruar Shqipërinë në një çiflig të madh tri dimensional të propogandës së tij. Por, megjithë realitetin virtual të krijuar me mjeshtëri, sekti nuk ka mundur të zbehë revoltën dhe pakënaqësitë e qytetarëve ndaj rregjimit autokratik që kanë mbi krye këto 11 vjet dhe që i ka varfëruar masivisht dhe detyruar të braktisin atdheun.
Në zgjedhjet e përgjithshme të vitit të ardhshëm, autokrati, demagogu dhe mitomani Rama do të pësojë fatin e figurave groteske të historisë sonë, si Esad Pashë Toptani, Koçi Xoxe, Mehmet Shehu dhe Enver Hoxha, duke përfunduar me turp në koshin e saj.