Agresioni i kryeministrit Rama ndaj gazetares bën bujë në mediat ndërkombëtare

Incidenti mes kryeministrit Edi Rama dhe gazetares Ambrozia Meta po bën bujë në mediat ndërkombëtare.

Një nga portalet më të mëdha dhe më të rëndësishëm në botë, Politico, shkruan sot se kryeministri shqiptar refuzoi të kërkojë falje pasi intimidoi fizikisht një gazetare.

Politico shkruan se gazetarja po e pyeste Edi Ramën në lidhje me një investim të dhëndrit të Donald Trump, Jared Kushner.

Portali thekson se Rama e shtyn në fytyrë gazetaren Ambrozia Meta, e cila punon për SYRI TV.

Më pas, gazetarja tha se i kishte thënë Ramës që të mos e prekte.

“Fatkeqësisht, kryeministri Rama tani po demonstron arrogancën e tij të zakonshme ndaj gazetarëve me kontakte fizike. Më vjen keq që kreu i qeverisë nuk e kontrollon dot veten kur pyetet për çështje me interes publik”, tha Meta.

SafeJournalists Network, një grup që mbron të drejtat e shtypit në Ballkanin Perëndimor, i quajti veprimet e Ramës “të papranueshme dhe alarmante” dhe i kërkoi atij të kërkonte falje. Grupi vuri në dukje se Rama ka një histori hakmarrjeje ndaj gazetarëve që janë kritikë ndaj qeverisë, duke përfshirë ndalimin e tyre nga konferencat për shtyp.

Ish-kryeministri shqiptar Sali Berisha e quajti Ramën një “mizogjin” dhe incidentin “një akt brutal dhe të shëmtuar”.

Por Rama iu kundërpërgjigj kritikave, duke e quajtur akuzën se ai e frikësoi Metën një “gënjeshtër të neveritshme” që “nuk respekton viktimat e vërteta të agresioneve të pushtetit ndaj grave gazetare në mbarë botën”.

Edhe gazeta e madhe belge, HLN, shkruan se kryeministri shqiptar Edi Rama po kritikohet shumë pasi shtyu një gazetare.

Më tej media shkruan se, gazetarja Ambrozia Meta i bëri një pyetje Ramës për një projekt investimi në ishullin e Sazanit, i cili është një zonë ekologjike e mbrojtur. Pamjet tregojnë kryeministrin duke vënë dorën në fytyrën e gazetares dhe duke e larguar atë.

“Mendoj se është turp që kreu i qeverisë nuk mund të kontrollojë veten kur pyetet për çështje me interes publik”, tha Meta për Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Investigative.

Në rrjetet sociale, njerëzit kërkuan që Edi Rama të kërkonte falje publike për shtyrjen, por ai nuk u përgjigj, përfundon shkrimin HLN, që ka ndarë edhe një video nga momenti i incidentit.

“Unë nuk tregova agresion dhe iu përgjigja të gjitha pyetjeve me durim,” tha kryeministri në X.

About Redaksia

Check Also

Gjekmarkaj: Kjo është stina e fundit politike për Ramën! Të bashkuar do të sjellim fitoren e PD

Drejtuesi Politik i Partisë Demokratike për Qarkun e Lezhës, Agron Gjekmarkaj ka postuar në faqen …