RRËFENJË ARABE
Rashid Abdyl
Perkthieu:
Agim Xh. Deshnica
Na ishte njëherë një tregtar. Në ditët e para të qershorit, kur moti qe zbutur ca, teksa në qiell nuk dukej asnjë re, ai vendosi të shtegtonte nëpër vende, që nuk i kishte parë kurrë, e andej të takohej edhe me një mik të vjetër. Meqenëse udhës do të kalonte përmes vendeve të shkreta, mbushi torbën me bukë e hurma. Shaloi kalin, ia vari hejbetë tek shala dhe ia hipi. Gruaja e fëmijët e përcollën, duke i uruar udhën e mbarë. Ai u duk për ca kohë mbi kalë teksa largohej dalëngadalë dhe pastaj më s’u pa.
Me ndihmën e Zotit, tregtari udhëtoi disa ditë e net deri sa arriti tek miku. Ai e priti me të gjitha të mirat. Pas tri ditësh tregtari mori udhën e kthimit për në shtëpi. Të katërtën ditë, tek kalëronte udhës, pa një kopsht plot me pemë. Sapo hyri brenda kopshtit, u ul të shlodhej në hijen e një arre, afër një burimi me ujë të pastër e të ftohtë. Mori nga torba pak bukë e një grusht me hurma dhe filloi të hante, duke i hedhur bërthamat ca djathtas e ca majtas. Pasta jiu fal Zotit.
Sapo deshi të nisej, shtangu në vend, kur përballë pikasi i tmerruar një xhind të llahtarshëm, me këmbët në tokë e kokën në re, po edhe me alamet hanxhari në dorë.
– Çohu në këmbë, – sokëlliti xhindi, – ndryshe ta preva kokën në çast, sepse ti më vrave djalin!
– Për Allah, – u betua tregtari, – unë në tërë jetën time s’kam vrarë kurrë njeri! Ç’është kjo që dëgjoj!?
– Si the?! Po a nuk ishe ti, që zure vend këtu e u shtrove të haje hurma?
– E vërtetë! S‘mund ta mohoj!
– Ashtu fol, de! Dhe bërthamat zotrote na i hodhe përqark. Aty kaloi im bir. Njëra bërthamë e goditi në kokë dhe e la top në vend! More vesh? Prandaj unë duhet të të vras tani!
Tregtari u trondit sa s’bëhet. U drodh, e humbi toruan krejt e, duke u dridhur, iu lut:
– Aman, o xhind, mos më vrit!
– O po do të të ndaj më dysh fare, se më vrave djalin më të mirë!
– Ke hak, vërtet o xhind, se e paskam vrarë, por ama ta dish se gabova padashur!
– Mbylle gojën të them, se do të të ther! – klithi xhindi me tërbim. Pastaj e rrëmbeu, e përplasi përtokë dhe ngriti hanxharin e frikshëm.
– O xhind, kjo s‘është as dëshira e as fuqia e Allahut, ndaj më jep pak kohë, sa t’i shoh e të ndahem për herë të fundit me fëmijët e mi e me gruan!
Xhindi i vrenjtur, si u mendua pak, e pyeti:
– Betohesh, se pas një viti, duke filluar nga kjo ditë, do të kthehesh këtu?
– Në emër të Allahut, betohem!
E kështu xhindi e la të lirë të ikte. Tregtari i hipi kalit dhe e mori udhën me revan. Më në fund arriti në shtëpi, hyri në oborr, zbriti nga kali dhe, sapo pa gruan e fëmijët, qau me dënesë.
– Si është puna? – e pyeti gruaja e trembur. – Pse je kaq i dëshpëruar, kur ne mezi po presim me gëzim të festojmë kthimin tënd!?
– Ah, moj grua, si të mos jem kështu, kur më mbetet të jetoj vetëm edhe një vit?
Ai i tregoi asaj gjithçka nga ngjarja me xhindin .
Me të dëgjuar se ç‘tha njeriu i tyre i dashur, të gjithë u pikëlluan.
Fëmijët, duke bërtitur, u mblodhën rreth babait me lot në sy.
… Kur viti po mbaronte, i gjori tregtar kujtoi xhindin dhe filloi të përgatitej për udhë. Iu fal si përherë Allahut, pastaj u nda me familjen. Çunat iu hodhën rreth qafës e nuk po i shqiteshin. Vajzat, duke qarë derdhnin lot të nxehtë, gruaja vajtonte.
– Fëmijët e mi, – u tha ai – do të bëhet ç‘ka thënë Allahu, që është një e s’ka të dytë!
Më në fund, hipi në kalë e u dha lamtumirën.
Duke ikur i menduar, mbërriti në kohën e caktuar në kopshtin me pemë. Ashtu si një vit më parë, hyri atje brenda, u ul në hijen e arrës, ku pati ngrënë hurmat, dhe priti me drithërimë xhindin vrastar. Atë kohë aty afër kaloi një plak me shkop në dorë, tok me dy qen të zinj. Pasi e përshëndeti, e pyeti:
– Vëllai im, përse je ulur në këtë vend plot me xhinde e përbindsha?
Dhe tregtari i tregoi tërë ndodhinë me xhindin. Ai u habit nga tërë ç’dëgjoi, ndaj e pyeti përsëri:
– Vëllai im, ti qofsh! Me gjithë mend i premtove dhe qenke kthyer në këtë vend të mallkuar!? Për Allah, nuk të lë vetëm deri sa të vijë xhindi!
Dhe kështu, u shtruan të dy në muhabet. Tek po bisedonin, befas u err. Një si pluhur i zi u ngrit mbi ta, e pasi u shpërnda, drita u kthye rishtas. Papritur ata panë të tmerruar xhindin me hanxhar në dorë. Pa përshendetur asnjë prej të dyve, ai i thirri tregtarit:
– Bëhu gati të vdesësh!
Plaku iu afrua e i tha:
– A i sheh këta qen, o xhind?
– Po! – ia kthehu xhindi.
– Në do të dish, të dy janë vëllezërit e mi! Po të ta rrëfeja historinë e tyre dhe timen, do të habiteshe me fatin tonë. Është krejt ndryshe ajo nga ndodhia jote me tregtarin, veçse, nëse rrëfimi im do të jetë më prekës, a do ta lësh të lirë këtë njeri të besës, por fatkeq e me një tufë fëmijë?
– Po qe se historia jote, siç thua, del më ndryshe, atëherë të jap fjalën se do ta fal.
Dhe plaku filloi të tregonte:
– Kur babai ynë u nda nga jeta, la pas tre djem. Pak kohë më parë paratë e tij ai i kishte ndarë barabar për ne. Secili mori shumën e caktuar. Dhe kështu secili prej nesh hapi nga një dyqan. Vëllai më i madh punoi vetëm tre vjet. Pastaj kaloi detin dhe u mor me shitblerje mallrash në vende të largëta, duke harxhuar shumë nga paratë e dyqanit të braktisur. Iku kësisoj plot një vit. Një ditë, në hyrje të dyqanit tim, vura re një lyps.
– Nuk më njeh se kush jam? – më pyeti lypsi i mbytur në lot. – Kur e pashë nga afër, nuk u besova syve, ishte vëllai im i madh! E përqafova, e mora brenda në dyqan dhe e pyeta se çfarë i kishte ndodhur. Ai m‘u përgjigj:
– I humba të gjitha paratë.
E mbylla dyqanin, shkova bashkë me të në shtëpi, i fala gjysmën e parave që kisha dhe i thashë:
– Me këto para, shtroju punës dhe hiq dorë nga rrugët pa krye!
Vëllai i kënaqur, pasi i mori paratë, hapi një dyqan tjetër.
Pak më vonë vëllai i dytë, ky qeni këtu, vendosi po ashtu të merrej me tregti në qytete të largët. U përpoqëm ta ndalonim, por ai nuk na dëgjoi.
Pas një viti, u kthye, ashtu si vëllai i madh, duke lundruar me anije.
– Vëllaçko, – i thashë, – a nuk t’u luta të mos e lije punën e të mos ikje?
– Ashtu, vërtet, prandaj humba gjithçka! – u përlot ai.
E mora në shtëpi dhe u shtruam të hanim drekën. Pastaj i ndava paratë e mia barabar me atë. Me to ai hapi një dyqan tjetër. E kështu nuk u ndamë për një farë kohe.
Por, një ditë vëllezërit u bënë bashkë dhe m‘u lutën edhe mua që të ikja me ata për tregti në vendet prapa diellit.
– Jo! – iu përgjigja të dyve i vendosur. – Prapë me aventura ju!?
M’u bindën e nuk më bezdisën më. Dhe kështu përreth gjashtë vjet i mbajtëm të hapur dyqanet, duke blerë e shitur me fitim sipas rregullave të tregtisë. Megjithatë, çdo vit, ata më luteshin që të shkonim për tregti përtej detit. Më në fund u thashë:
– Vëllezër, pranoj të vij me ju, por më parë më tregoni sa para keni në arkat tuaja?
Ata, pa pikë turpi më thanë se arkat i kishin zbrazur. Ndërkohë, në dyqanin tim nga dita në ditë arka ime mbushej me para. Por, meqenëse pranova, i ndava paratë e mia në tre pjesë, nga një për secilin. Por, ama, në fund fare mora nga çdonjëri prej tyre nga një grusht parash, shtova tek ato edhe një grusht nga paratë e mia, i bëra bashkë dhe i groposa.
– Këto po i lë këtu që t’i kemi për ndonjë të papritur, siç ndodhi me ju! – u thashë.
– O, po ky është një mendim i shkëlqyer! – brohoritën ata të dy me një gojë.
– Pasi mbyllëm dyqanet, ne blemë një sasi mallrash, morëm me qera një anije të madhe dhe lundruam nëpër det ditë e natë. Rreth një muaj kështu, deri sa arritëm në portin e një qyeti. Më të hyrë në atë qytet, shitëm mallrat tona, blemë të tjera për t’i shitur në vendin tonë dhe i ngarkuam në anije.
Kur po rrija në breg, takova një vajzë të veshur me rroba të vjetra. Ajo më puthi dorën e më tha:
– O zotni, ju lutem bëmëni një të mirë dhe unë do të jem e vlefshme për ju! Gjithçka që do të bëni për mua do t‘jua shpërblej!
– Më thuaj më parë dëshirën tënde, – i thashë, – dhe unë, po munda, do të ta plotësoj pa asnjë shpërblim.
– Zotni! -m’u lut ajo, – martohuni me mua dhe merrmëni në anije të jetojmë bashkë!
– Më erdhi shumë keq për të. I frymëzuar nga Allahu, pranova. E vesha me rrobe të reja nga më të bukurat dhe u martuam. Pastaj e mora në anije. Udhës rashë në dashuri me të, rrinim bashkë natë e ditë dhe s’u kujtova më për vëllezërit e mi. Por, me sa kuptova më vonë, ata zjenin përbrenda nga zilia, ndaj paskëshin rënë në ujdi të më vrisnin natën. Njëherë, teksa po flija me gruan, hynë pa u ndjerë në dhomën tonë, na mbartën në krahë, si mua dhe gruan e na hodhën në det. Kur u zgjova, gruaja e kthyer në pulëbardhë, më ngriti mbi valë e më zbriti në një ishull. Të nesërmen në mëngjes ajo më tha:
– O burri im, të pata dhënë fjalën se do të të shpëtoja nga çdo e keqe. Atë ditë, në breg të detit, sa të pashë, rashë në dashuri me ty, ndaj t’u afrova.
Kur e dëgjova seç tha, u preka thellë në zemër dhe u lumturova në shpirt, se më kishte shpëtuar jetën. Dhe pastaj i tregova tërë historinë time qysh nga koha, kur babai qe ndarë nga jeta. E heshtur më dëgjoi deri në fund dhe e zemëruar më tha:
– Tani do të fluturoj, të mbys anijen tok me vëllezërit e tu!
Bëra çmos t’ia zbusja zemëratën:
– Për hir të Allahut, mos! – iu luta. – Fundja, i kam vëllezër!
Befas ajo më kapi fort, fluturoi me mua dhe më la në çatinë e shtëpisë sime. Zbrita në oborr, nxora nga dheu paratë e fshehura, nxitova për në pazar, njoftova me tellall blerësit dhe hapa dyqanin.
Kur u ktheva pasdite në shtëpi, gjeta në oborr dy qen të lidhur. Sa më panë, nisën të lehnin të egërsuar, duke u përpjekur t’i këpusnin litarët e të më vërviteshin.
Papritur dëgjova zërin e gruas sime:
– Këta janë vëllezërit e tu! Do të jetojnë dhjetë vjet si qen. Më pas do të jenë prapë njerëz.
Më tregoi edhe vendin se ku mund ta gjeja dhe iku fluturim.
Dhjetë vjetët shkuan. Tek po kaloja këtej me dy vëllezërit e mi në kërkim të gruas sime, për të prishur magjinë, takova këtu këtë njeri të mirë, që sipas fjalës së dhënë, po të priste ty të vije. E ky më tregoi se ç’hall kishte. Kur mësova se do ta vrasësh, ndalova të shoh çfarë do të ndodhë. – Plaku u mbush me frymë, psherëtiu, u vrenjt dhe thirri:
– E, o xhind, gjithë sa tregova a nuk qe prekëse?
– Po, po, vërtet ashtu, tregimi yt ishte jo vetëm prekës, por edhe i çuditshëm, fitove! Prandaj po e fal këtë njeri!.
Dhe xhindi iku e nuk u duk më.
Tregtari falënderoi Allahun dhe plakun bujar. I hipi kalit e u kthye në shtëpi pranë familjes, te fëmijët e te gruaja. Lumturia e tyre nuk u shpreh me fjalë, por me thirrje, britma e këngë gazmore.