Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës së mbajtur në tubimin qytetar, ka uruar besimtarët bektashinj për Sulltan Novruzin. Berisha tha se, teqetë kanë qenë qendra të shqiptarizmës.
“Të dashur qëndrestarë dhe qëndrestare, misionarë të kauzës së drejtë, të lirisë dhe dinjitetit njerëzor, guximtarë të pamposhtur të vendosur për një betejë pa kthim gjer në përmbysjen e diktaturës së bazuar në aleancën e pushtetit me krimin, vjedhjen e qytetarëve shqiptarë dhe drogën.
Duke u përshëndetur ju përzemërsisht, përshëndetur oratorët e mrekullueshëm të këtij parlamenti të shkëlqyer të fjalës së lirë, në emër tuaj dhe të PD, u përcjell sot urimet më të përzemërta në këtë ditë të shenjtë, besimtarëve bektashinj shqiptarë.
I uroj ata në këtë ditë të bekuar, jo vetëm për bektashinjtë, por për të gjithë besimtarët e Zotit.
Miqtë e mi, bektashizmi dhe atdhetaria në Shqipëri kanë qenë një dhe të pandarë.
Teqet e bektashinjve shqiptarë ishin folezat e mësonjëtorëve të para të gjuhës shqipe, së bashku me kishat dhe institucionet e tjera.
Teqet e bektashinjve shqiptarë ishin streha e luftëtarëve të lirisë dhe atdhetarisë.
Frashërlinjtë, bektashinj dhe rilindas të pavdekshëm, hartuan doktrinën e shqiptarësisë si doktrinë perëndimore të kombit.
Bektashinjtë shqiptarë patën fatin të kryesojnë bektashizmin në botë.
Ndaj dhe i përshëndes ata ku janë, udhëheqësit e tyre kudo, në Shqipëri dhe mbarë botën”, tha Berisha.