Muçollari: Alarmi i OBSH, Tirana ndër qytetet më të ndotura në Europë. Grimcat e rrezikshme 2.5 herë më të larta

Deklaratë e anëtarit të Kryesisë së PD, Grigels Muçollari

Një tjetër alarm për gjendjen katastrofale te ajrit në Tiranë dhe në Shqipëri, vjen nga matjet e sapopublikuara të Organizatës zvicerane IQAir. Ajo konstaton se në vendin tonë përqendrimi i grimcave të dëmshme në ajër, është 3 herë më i lartë se norma që sugjeron OBSH.

Me gjithë shqetësimet e ngritura në mënyrë të përsëritur, qeveria dhe autoritetet shqiptare nuk kanë bërë asgjë.

Rezultati është ky që shohim e thithim përditë në ajër dhe që nga viti në vit ka përkeqësim. E tregon dhe tabela.

Në vitin 2021 niveli i grimcave të rrezikshme ishte 12,5 mikrogram, pra 2.5 herë më e lartë. Një vit më vonë rritet edhe më shumë, duke kapur 14.5. Dhe vijmë tek matja e fundit për vitin 2023, me 16.7, ku tejlakohet me 3 herë kufiri i vendosur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Krejt ndryshe është, për shembull, Kroacia, ku sipas këtij raporti, niveli i ndotjes është reduktuar me 40 përqind.

PM2.5, siç emërtohet përqendrimi i këtyre grimcave, është përgjegjës për shume sëmundje, si astma, kanceri, goditjet në tru, prekjen e mushkërive dhe ndikon edhe në zhvillimin e fëmijëve.

Shëndeti, cilësia e jetës dhe ajri që thithin qytetarët, nuk janë prioritet për qeverinë e për kryebashkiakun.

Për ta, pasurimi, privilegjet, vrapi pas parave, propaganda, janë shqetësimi kryesor.

Kam një pyetje për këdo që na ndjek. A keni sot një të afërm që vuan nga alergjitë, nga prekja e mushkërive, nga tumoret, apo fëmijë që shfaqin probleme me zhvillimin?

Ajri i ndotur, që ndotet çdo vit e më shumë, është një nga shkaqet kryesore. Po çfarë po bëjnë autoritetet për këtë. Asgjë, përkundrazi po ndikojnë në përkeqësimin e situatës. Ju e shihni këtë te makineritë e rënda që janë shtuar, te betonieret, te ndërtimi në çdo skaj, te fabrikat qe nuk respektojnë standardet.

Duhet të kuptojmë se pse qeveritarët tanë nuk e kanë shqetësim ndotjen. Janë gjatë gjithë ditës ose në zyra luksoze, ose në makina po aq luksoze, ose në vilat e tyre milionëshe në periferi ose bregdet, ku ndotja është larg normave të kryeqytetit e të zonave me banim të dendur.

Shqipëria është sot vendi më i ndotur në Europë dhe këtë nuk e shpëlan dot asnjë propagandë, asnjë samit, asnjë pemë që mbillet për publicitet dhe asnjë pyll orbital që nuk ekziston.

Qeveria dhe politikat e saj të mjedisit janë shkaktare te ndotjes dhe askush tjetër. Që të pastrohet ajri dhe mjedisi, duhet pastruar vendi nga kjo qeveri.

About Redaksia

Check Also

Brain Gain si kthim doktrine për Kombin!

Nga Blerim VAKAJ  Jetojmë në një kohë kur pak kush pyet për doktrinën, filozofinë apo …